Kreu i inteligjencës së Moldavisë paralajmëroi për një rrezik "shumë të lartë" të një ofensive ruse që kërcënon pjesën lindore të vendit vitin e ardhshëm.
Ai gjithashtu pretendoi se Moska dëshiron të krijojë një korridor tokësor përmes Ukrainës për në rajonin e shkëputur moldav të Transnistria.
Komentet e Alexandru Musteata, kreu i Shërbimit të Informacionit dhe Sigurisë, konfirmuan informacionin nga Ukraina ku gjeneralët e lartë të ushtrisë paralajmëruan për një ofensivë të tillë që mund të ndodhë në fillim të vitit të ardhshëm.
“Çështja nuk është nëse Federata Ruse do të ndërmarrë një avancim të ri drejt territorit të Moldavisë, por kur do ta bëjë këtë”, tha Musteata gjatë një interviste në kanalin televiziv TVR-Moldova.
Ai tha se inteligjenca moldave beson se Rusia mund të përpiqet të arrijë Moldavinë dhe ofensiva mund të nisë në janar-shkurt ose më vonë në mars-prill.
Shërbimi i Informacionit dhe Sigurisë ka lëshuar një deklaratë në të cilën thuhet se veprimi sulmues rus varet nga zhvillimet e forcave ruse në Ukrainë. Musteata tha se Rusia dëshironte që forcat e saj që pushtuan Ukrainën të lidhen me ato në Transnistria.
Rusia dëshiron të krijojë një korridor në lidhje me një provincë të rebeluar të Moldavisë, Transnistria, e cila de iure është pjesë e Moldavisë dhe de fakto një shtet pa status të qartë njohjeje ndërkombëtare, i dominuar nga popullsia rusishtfolëse.
Shteti u krijua në shtator 1990 pasi Moldavia shpalli shkëputjen e saj nga Bashkimi Sovjetik. Pastaj një rajon me kryeqytet në Tiraspol deklaroi se dëshiron të qëndrojë në Bashkimin Sovjetik. Në vitin 2017, rajoni shpalli flamurin e Federatës Ruse të barabartë me flamurin e tij, duke e trajtuar atë si simbolin e tij kombëtar. Që nga pushtimi rus i Ukrainës, Transnistria është parë nga fqinjët e saj si një pikë e mundshme ndezjeje për shkak të retorikës agresive të Rusisë të shpërndarë në mediat lokale dhe nga autoritetet transnistriane.
Moldavia, që tani kërkon lidhje më të ngushta me Perëndimin, ka dënuar pushtimin rus të fqinjit të saj, Ukrainës.
Lajmi kryesor:
Lufta në Ukrainë/ Sulme ruse në Kiev! Putin takon Lukashenkon në Minsk, presidenti bjellorus: Do të vendosim sisteme raketore 'S400', të furnizuar nga Rusia
S.C/ReportTv.al