Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj gjatë një prononcimi për mediat jashtë Kuvendit, ka deklaruar se vrasja në sallën e gjyqit të gjyqtarit Astrit Kalaja është një akt i tmerrshëm që godet themelet e shtetit shqiptar.
Po ashtu ai tha se pronat janë problemi kryesor i shqiptarëve. Teksa më tej shtoi se e drejta e pronës, iu është hequr qytetarëve për shkak të ligjit 7501.
Ndërsa në fund i bëri thirrje qytetarëve që të këmbëngulin për pronat e tyre.
Deklarata e plotë:
Është seanca e shtatë që mblidhet Parlamenti dhe iu mohohet e drejta e fjalës deputetëve. Ndodhi përsëri dhe sot gjetën një pretekst për të mbyllur seancën dhe për të mohuar të drejtën e fjalës për deputetë të zgjedhur nga qytetarë shqiptarë.
Ajo që ndodhi vrasja e djeshme e gjyqtarit në sallën e gjyqit është një akt i tmerrshëm që godet themelet e shtetit shqiptar.
Por ne nuk mund të harrojmë që ka një problem të madh që shqetëson pothuajse çdo qytetar shqiptar që është prona, problemi i pronës.
E ndërkohë që flitet vetëm për një aspekt nuk flitet për problemin kryesor.
Është normale sepse problemet e pronës, mohimi i të drejtës së pronës 35 vjeçare buron pikërisht nga ky parlament.
Pjesa më e madhe e deputetëve që ulen në Parlamentin e Shqipërisë nuk kanë probleme me pronat, i kanë zgjidhur problemet e tyre me pronën.
Atyre askush nuk i ka rënë në qafë.
Ndryshe nga çfarë i ka ndodhur çdo qytetari shqiptar pothuajse, të cilit i është mohuar e drejta e pronës dhe nuk iu është mohuar e drejta e pronës për paaftësi, por qëllimisht duke nisur nga ligji famëkeq i 7501 e deri tek ligjet që aktualisht po bëjnë si ligjet e fundit, ligji për investimet strategjike, ligji i famshëm gjoja paketa e maleve që nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të rrëmbyer pronat nga qytetarët nga pronarët legjitimë.
Kjo po ndodh e ne duhet të flasim për problemet e qytetarëve shqiptarë që janë prona e drejta e pronës.
Pavarësisht kësaj padrejtësie, unë i ftoj të gjithë të mos të dorëzohen, e drejta e pronës është e drejtë që nuk mund të mohohet. Të vazhdojnë të ngulin këmbë pavarësisht vështirësive, pavarësisht padrejtësive.
Dhe ne për këtë do punojmë dhe në Parlament. Dhe Parlamenti këtë duhet të bëjë, të japë zgjidhje, nuk është kurrë vonë për zgjidhje.
Mjaft më me gënjeshtra që nuk zgjidhet, nuk zgjidhet. E thonë se duan të vazhdojnë t’i vjedhin, t’i vjedhin siç kanë bërë me ligjin për investimet strategjike dhe me ligjin për paketën e maleve.
Imagjinoni para disa ditësh e kanë falur Portin e Pashalimanit një investitori, e kanë falur me firmën e Edi Ramës.
Nuk ka pronarë ajo tokë? Nuk ka patur pronarë ajo tokë?
Ka por këta nuk ia kanë dhënë atij sepse e kanë përdorur si plaçkë, të njëjtën gjë kanë bërë në gjithë bregdetin e Shqipërisë. Të njëjtën gjë po bëjnë dhe duan të bëjnë edhe në zonat malore
Lajmi kryesor:
Vrasja e gjyqtarit/ PD në Kuvend: Të dorëhiqet ministrja e Brendshme! Koçiu: Ju i linçoni gjyqtarët! Lamallari: Turp, po bëni politikë
A.D/r.k./ReportTv.al