Politikë

Vrasja e gjyqtarit/ PD në Kuvend: Të dorëhiqet ministrja e Brendshme! Koçiu: Ju i linçoni gjyqtarët! Lamallari: Turp, po bëni politikë

9 Tetor, 07:21| Përditesimi: 9 Tetor, 13:05

  • Share

TIRANË- Mazhoranca dhe opozita u bënë bashkë vetëm 1 minutë për të mbajtur heshtje në nderim të gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u vra më 6 shtator në sallën e gjyqit ndërsa po shpallte një vendim. Pas këtij momenti, PD e PS u përfshinë në debate të ashpra dhe fyerje, për shkak të debatit që ka dominuar opinion publik mbi sigurinë në institucionet e drejtësisë, debat që çoi në mbylljen e seancës brenda 2 orëve ndërsa pengoi prezantimin e raporteve të 4 institucioneve.

Opozita e vendosi gishtin e përgjegjësisë tek 2 ministrat, ajo e Brendshme Albana Koçiu dhe ai i Drejtësisë Besford Lamallari, ndonëse këta të fundit në detyrë vetëm prej një muaji.  Dështimi për mbrojtjen e gjyqtarëve, për ta, duhet të shoqërohet me dorëheqje të menjëhershme.

PD i kujtoi ministres Koçiu shkresat e KLGJ ku kërkonte policë për sigurinë në Gjykata, por VKM e vitit 2020 ku përcaktohet se siguria garantohet nga punonjës sigurie, nuk e përmendën.

“Kjo çështje nuk mund të kalojë si një ngjarje dite apo jave. Ministrja e Brendshme duhet të japë dorëheqjen. Kryeministri duhet të japë shpjegime për masat e sigurisë”, tha Gazment Bardhi.

“As kartelet e Ekuadorit nuk kanë vrarë një gjyqtarë në zyrën e tij, kur ka lexuar vendimin. As mafia italiane nuk e ka bërë. Minimumi që ne mund të bëjmë ne si Parlament, është që të fillojmë një moment reflektimi kombëtar”, tha Jozefina Topalli.

“Pas zisë së gjyqtarit tregoni se fytyrat i keni masaka dhe maskat fytyra. Sa i përket ministres, ajo ka bërë mashtrim publik, dhe asnjë nuk mund të mbrojë një mashtruese publike të denoncuar nga KLGJ”, tha Berisha.

Përgjigjen e morën nga vetë ministrja Koçiu, e cila tha se nëse një punonjës Policie do ishte përgjegjës, sot do të ishte në pranga. Opozitës që e akuzuan si përgjegjëse për vrasjen, Koçiu ju kujtoi gjuhën linçuese që ata përdorin kundrejt njerëzve të drejtësisë.

“Përgjegjëse për vrasjen nuk jam unë, jeni ju, nga mëngjesi në darkë me këtë gjuhë që përdorni”, iu tha Koçiu.

Nga ana tjetër, ministri i ri i Drejtësisë, Besfort Lamallari akuzoi opozitën se po bën politikë me vrasjen.

“Të bësh politikë me vrasjen dhe me një rast tragjik dhe të bësh retorikë, politikisht mbi një vrasje është e rëndë”, tha Lamallari.

“Turp të vijë ty që sot këtu po bën avokatin e një vrasësi. Turp që si zv.ministër i brendshëm nuk i je përgjigjur thirrjes për ndihmë që të ka bërë KLGJ. Që sot nuk mban përgjegjësi bashkë me kolegen për vrasjen e gjyqtarit që jepte vendim në emër të Republikës të Shqipërisë”, iu përgjigj Zhupa.

Veprimi i Flamur Nokës që nuk lejoi ministren Koçiu të flasë, i cili gjatë seancës ishte paralajmëruar dy herë të tjera nga kryeparlamentari Niko Peleshi, solli mbushjen e kupës për socialistët dhe Taulant Balla kërkoi kalimin në votim menjëherë, ndonëse më herët në Konferencën e Kryetarëve ishte rënë dakord për të diskutuar rreth 10 orë mbi raportet e veprimtarisë së 4 insitucioneve.

Në mungesë të reflektimit opozitar, Peleshi hodhi në votim raportet dhe mbylli seancën. As mbyllja e seancës nuk i zbuti gjakrat. Edhe nga oborri i Parlamentit palët akuzuan njëra tjetrën se nuk lejojnë seanca normale.  

Lajmi në përditësim...

Ora 12:44
Shehaj: Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, akt i tmerrshëm! Prona, problemi kryesor për shqiptarët

 

Kryetari i Partisë Mundësia, Agron Shehaj gjatë një prononcimi për mediat jashtë Kuvendit, ka deklaruar se vrasja në sallën e gjyqit të gjyqtarit Astrit Kalaja është një akt i tmerrshëm që godet themelet e shtetit shqiptar.

Po ashtu ai tha se pronat janë problemi kryesor i shqiptarëve. Teksa më tej shtoi se e drejta e pronës, iu është hequr qytetarëve për shkak të ligjit 7501.

Ndërsa në fund i bëri thirrje qytetarëve që të këmbëngulin për pronat e tyre.

Deklarata e plotë:

Është seanca e shtatë që mblidhet Parlamenti dhe iu mohohet e drejta e fjalës deputetëve. Ndodhi përsëri dhe sot gjetën një pretekst për të mbyllur seancën dhe për të mohuar të drejtën e fjalës për deputetë të zgjedhur nga qytetarë shqiptarë.

Ajo që ndodhi vrasja e djeshme e gjyqtarit në sallën e gjyqit është një akt  i tmerrshëm që godet themelet e shtetit shqiptar.

Por ne nuk mund të harrojmë që ka një problem të madh që shqetëson pothuajse çdo qytetar shqiptar që është prona, problemi i pronës.

E ndërkohë që flitet vetëm për një aspekt nuk flitet për problemin kryesor.

Është normale sepse problemet e pronës, mohimi i të drejtës së pronës 35 vjeçare buron pikërisht nga ky parlament.

Pjesa më e madhe e deputetëve që ulen në Parlamentin e Shqipërisë nuk kanë probleme me pronat, i kanë zgjidhur problemet e tyre me pronën.

Atyre askush nuk i ka rënë në qafë.

Ndryshe nga çfarë i ka ndodhur çdo qytetari shqiptar pothuajse, të cilit i është mohuar e drejta e pronës dhe nuk iu është mohuar e drejta e pronës për paaftësi, por qëllimisht duke nisur nga ligji famëkeq i 7501 e deri tek ligjet që aktualisht po bëjnë si ligjet e fundit, ligji për investimet strategjike, ligji i famshëm gjoja paketa e maleve që nuk është gjë tjetër veçse një mënyrë për të rrëmbyer pronat nga qytetarët nga pronarët legjitimë.

Kjo po ndodh e ne duhet të flasim për problemet e qytetarëve shqiptarë që janë prona e drejta e pronës.

Pavarësisht kësaj padrejtësie, unë i ftoj të gjithë të mos të dorëzohen, e drejta e pronës është e drejtë që nuk mund të mohohet. Të vazhdojnë të ngulin këmbë pavarësisht vështirësive, pavarësisht padrejtësive.

Dhe ne për këtë do punojmë dhe në Parlament. Dhe Parlamenti këtë duhet të bëjë, të japë zgjidhje, nuk është kurrë vonë për zgjidhje.

Mjaft më me gënjeshtra që nuk zgjidhet, nuk zgjidhet. E thonë se duan të vazhdojnë t’i vjedhin, t’i vjedhin siç kanë bërë me ligjin për investimet strategjike dhe me ligjin për paketën e maleve.

Imagjinoni para disa ditësh e kanë falur Portin e Pashalimanit një investitori, e kanë falur me firmën e Edi Ramës.

Nuk ka pronarë ajo tokë? Nuk ka patur pronarë ajo tokë?

Ka por këta nuk ia kanë dhënë atij sepse e kanë përdorur si plaçkë, të njëjtën gjë kanë bërë në gjithë bregdetin e Shqipërisë. Të njëjtën gjë po bëjnë dhe duan të bëjnë edhe në zonat malore

Ora 12:28
Taulant Balla: Dy orë e nuk kaluam dot në rend dite, Berisha këtë e ka zanat! Nëse nuk lënë deputetët të flasin, këtë përgjigje do të marrin

 

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, pas përfundimit të seancës plenare, ka fajësuar opozitën për krijimin e pamundësisë për të vijuar diskutimin për rendin e ditës në Kuvend.

Gjithashtu Balla u përgjigj dhe për akuzat lidhur me Arubën, ku opozitarët pretendojnë një takim të socialistëve me kartelet e drogës, duke thënë se Artur Shehu, një personazh i dyshuar për lidhje me krimin dhe rrjedhimisht dhe me takimin në Aruba, dikur ka ndihmuar Berishën të futej në qytetin e Vlorës.

Ndër të tjera, Balla tha se opozita do të marrë gjithmonë këtë përgjigje sa herë që nuk do të lejojnë zhvillimin normalisht të seancave plenare.

“Dy orë dhe nuk është e mundur që të fillojë diskutimi për rendin e ditës. Kur merr fjalën një i Këshillit të Ministrave ke disa mercenarë që turren për të mos lënë ministrat të flasin. Fyejnë me një fjalor rrugaçi çdo koleg. Jemi në një situatë që mua nuk është se më duket e papritur. Kjo është strategji e një personi. Sali Berisha këtë e ka zanat.

Zallamahia e PD që thotë për Artur Shehun. Për transparencë, Artur Shehu është njeriu që transportuar me makinë Berishën për të hyrë në Vlorë. Unë dhe asnjë nga PS nuk ka udhëtuar me atë. Berisha nuk do të që të flasi njeri nga të vetët. E merr fjalën 7 herë për procedurë.

Ranë dakord që sot nuk do të kemi diskutime të zgjatura. Dy orë nuk hymë dot në rendin e ditës. Sa kohë që të jem kryetar grupi në momentin që strategjia e Saliut për të mos e lënë të flasë as të vetët e asnjë, do të marri këtë përgjigje.

Gjatë kësaj seance, seanca u bllokua nga deputet që uzurpuan foltoren. Dhe deputetët nuk lanë ministrat të flasin dhe nuk ka për tu lejuar historia e vjetër të ripërsëritet nga një person që nuk i intereson.

Për mua Saliu është zero. Nuk kemi miratuar ligje, miratuam rezolutat që ishin miratuar në komisione. Kuvendi as nuk duhet t’i shqyrtojë këto rezoluta. Ka mbetur si një shtojsë e vjetër në rregullore”, tha Balla.

Ora 12:04
Mbyllet seanca parlamentare/ Mazhoranca voton 4 rezolutat e ditës, opozita protestë në sallë

 

Pas nisjes së seancës, fjalën e mori përsëri kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, fjalë e cila iu ndërpre nga kryetari i Kuvendit pasi nuk iu përmbajt procedurës. Niko Peleshi kaloi për votim 4 raportet e institucioneve, propozim i ardhur nga kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla.

Votohet me 76 vota pro dhe2 kundër “Për vlerësimin e veprimtarisë së Autoritetit të Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP).

Kalon me 76 vota pro dhe 0 kundër “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (KDIMDP) për vitin 2024.

Kalojnë me 76 vota pro raportet e ERRU dhe ERE për vitin 2024

Kalon me 74 vota pro dhe 1 kundër ‘Për vlerësimin e Veprimtarisë së entit rregullator të ujit për vitin 2024.

Gjatë procesit të votimit, anëtarët e opozitës u çuan në këmbë duke protestuar kundër mbylljes së seancës parlamentare.

Ora 11:35
Kuvendi në kaos/ Opozita refuzon kalimin në rend dite, Balla kërkon votim të rezolutave! Kryetari i Kuvendit jep 10 minuta pushim

 

Partia Demokratike nuk ka pranuar të hyjë në rendin e ditës duke nxitur debat për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja dhe duke bërë përgjegjës qeverinë.

Kreu i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla i ka kërkuar kryetarit të Kuvendit, Niko Peleshi të hedhë në votim 4 rezolutat pasi opozita refuzon që të kalojë në zhvillimin e rendit të ditës.

Niko Peleshi vendos për të pushuar seancën për 10 minuta me shpresën se situata do të rikthehet në normalitet.

“Çfarë është ky mo? Fjala për procedurë merret vetëm një herë. Kanë ndodhur shumë gjëra sot kryetar, keni përjashtuar nga e drejta e fjalës një deputet. Kryetar konstatoj që pjesa tjetër e sallës nuk do të që të hyjmë në rendin e ditës. Për pasojë propozoj kalimin në votim të 4 pikave të rendit të ditës. Shqyrtimi i mocionit për debat të kalojë në seancën tjetër”, tha Taulant Balla.

“10 minuta pushim për të shpresuar rikthimin në normalitet”, tha Niko Peleshi.

Ora 11:33
Vrasja e gjyqtarit/ Koçiu i përgjigjet opozitës: Nuk jam unë përgjegjëse, jeni ju me gjuhën linçuese

 

Ministrja e Punëve të Brendshme, Albana Koçiu iu përgjigj akuzave të opozitës për vrasjen e gjyqtarit Kalaja. Ndërsa Flamur Noka tentonte të pengonte fjalën e saj, Koçiu tha se nëse një punonjës i Policisë së Shtetit do të kishet qenë përgjegjës, do ishte vënë në pranga. Koçiu i tha opozitës se nuk është përgjegjëse për vrasjen, por gishtin e drejtoi nga opozita duke e akuzuar për gjuhën linçuese ndaj gjyqtarëve.

“Kush është nxitësi dhe urrejtës dhe njeriu më i pështirë që mund të ekzistojë në të gjithë këtë politikë parlamentare. Meqë u dëgjova të gjithëve dhe keni merakun e njoftimit publik. U sqaroj dhe njëherë gjuha e përdorur duke më etiketuar sikur kam gënjyer dhe mashtruar. Një pjesë e juaja janë juristë dhe e dinë se nëse do të kishte përgjegjësi një polic i shtet, sot do ishte në arrest. Policia ka kryer veprimet në përputhje të plotë ligjore, i qëndroj nga mëngjesi në darkë dhe shikoni bazën ligjore, që është miratuar që në 2016, ka prodhuar sot rezultate konkrete. Nuk i pëlqen opozitës, është duke treguar përgjegjësi në çdo vendimmarrje, produkt i kësaj reforme janë ndarjet e përgjegjësisë. Përgjegjësja për vrasjen nuk jam unë, por ju me këtë gjuhë që përdorini. Është e kotë që më tregon me gisht, nuk më intimdon, unë jam një grua më detyrë dhe duke e përdorur këtë gjuhë ja ku e keni dëshminë, që kjo gjuhë e juaj ka krijuar këtë ngarkesë politike. Trup të kesh nga mëngjesi në darkë, se me kaq vite sa ke në Kuvend duhet ta kishe ndryshuar narrativen politike”, tha Koçiu.  

Ora 11:27
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Klosi: Ngjarja e ka fillimin nga një procedurë korruptive e një zyrtari të lartë të PD-së

 

Gjatë fjalës së tij në Kuvend, deputeti i PS-së Blendi Klosi tha se rasti i konfliktit që çoi në vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, e ka fillimin në një procedurë korruptive e iniciuar nga një zyrtarë i lartë i PD-së.

PO ashtu ai i bëri thirrje opozitës që të mos sulmonte nga Parlamenti në Reformën në Drejtësi.

“Po i qëndroj asaj që kam përsëritur më parë, pjesa e procedurës nuk është pjesa e debatit politik. Kemi diskutime me orë të tëra, dhe aty duhet të diskutojmë. Edhe ndoshta nuk duhet ta merrja fjalën, por edhe unë solidarizohen me dhimbjen e madhe të familjes së ndjerit. Duhet të them disa të vërteta. Ngjarja që ndodhi, ka iniciativën në një procedurë korruptive dhe akuza kryesore shkonte tek një zyrtar i lartë i PD-së. Sot drejtor departamenti pranë Partisë Demokratike.

Kjo ngjarja na bën që të mendohemi fort për atë që duhet të bëjmë për sigurinë gjyqësore dhe gjithë reformës në drejtësi. Prandaj e mora fjalën, dhe duke u bashkuar me gjithë mendimin e qytetarëve, ne nuk duhet ta shfrytëzojmë këtë foltore, këtë Parlament, për të goditur, atë që është një nga reformat më të rëndësishme të shtetit shqiptar, Reformën në Drejtësi. Ne na kanë votuar si Parti Socialiste si garantët e vetëm për ta vazhduar Reformën në Drejtësi”, u shpreh Klosi.

Ora 11:21
Vrasja e gjyqtarit Kalaja/ Berisha: Koçiu mashtruese publike! Shqiptarët të provuar nga e drejta e procesit ligjor

 

Sali Berisha hodhi akuza ndaj ministres së Brendshme, Albana Koçiu, për të cilën tha se është mashtruese, referuar deklaratës së saj pas vrasjes së gjyqtarit Kalja se KLGJ kishte kërkuar policë për ruajtjen e sallave.

“Pas zisë së gjyqtarit tregoni se fytyrat i keni masaka dhe maskat fytyra. Sa i përket ministres, ajo ka bërë mashtrim publik, dhe asnjë nuk mund të mbrojë një mashtruese publike të denoncuar nga KLGJ. Ajo urrejtje është për drejtësinë, jo për individi. I ka provuar shqiptarët nga e drejta e procesit ligjor, sot sipas organeve kërkon 15 vite për një vendim. Është drejtësi që për mungesë të vendimeve ka krijuar raste vetëgjyqësie”, tha Berisha.  

Ora 10:44
“Opozita pa kokë dhe pa bisht”/ Balla kërkesë Peleshit: Respektoni rregulloren e Kuvendit për fjalën për procedurë

Kreu i Grupit Parlamentar të PS-së Taulant Balla i ka tërhequr vëmendjen opozitës se po shkelin rregulloren e Kuvendit. Ai i bëri thirrje kryeparlamentarit Niko Peleshi që të respektojë rregullon e Kuvendit kur bëhet fjala për procedurë.

“Zoti kryetar i Kuvendit, u bë seanca e disatë radhazi, dhe sot po arrin kulmin, pasi kërkohet seanca për procedurë dhe për fatin tonë të mirë, të paturit një opozitë pa kokë dhe pa bisht, në procedurë kërkohet dorëheqja e një ministri. Edhe këtë nuk e kishim parë, por e gëzuam sot me ju që ju paçim sa malet. Sepse në seriozitetin e një Parlamenti, një grup parlamentar prej 7 vitesh, jo për të bërë korbin, mund të kishin ardhur këtu me një kërkesë.

Sa kemi miratuar me konsensus, debatin me 10 orë për 4 çështjet që kemi në seancën e ditës. Javët e ardhshmi do të kemi drejtuesit e institucioneve të drejtësisë. Nuk mund të flasim sot për vrasjen e gjyqtarit, në respekt të familjes së tij. Sot gjyqtarët dhe magjistratët presin një mesazh solidariteti nga Kuvendi i Shqipërisë. Presin një distancim nga persona të caktuar kërcënojnë prokurorin dhe gjyqtarin tek dera e gjykatës. Këto presin.

Por ne shyqyr që ju kemi ju. Shqipëria gjynah që ju ka ju, sepse të marrësh fjalën vjedhurazi, duke përfituar nga qytetaria e Peleshit, zoti kryetar zbatoni rregulloren e Kuvendit. Fjala për procedurë merret vetëm për një çështje të rendit të ditës, apo për një propozim për ndryshim të rendit të ditës”, tha Balla në fjalën e tij.

Ora 10:37
Deputetja e PD-së përplaset ashpër me Besfort Lamallarin: Turp të të vijë që po bën avokatin e vrasësit! Jep dorëheqjen

 

Deputetja e Partisë Demokratike, Ina Zhupa i është kthyer ashpër ministrit të Drejtësisë, Besfort Lamallari. Ajo ka kërkuar dorëheqjen e tij dhe të ministres së Brendshme duke i akuzuar për mosgarantimin e jetës së qytetarëve shqiptarë si dhe të aktorëve të drejtësisë.

“Turp të vijë ty që sot këtu po bën avokatin e një vrasësi. Turp që si zv ministër i brendshëm nuk i je pagjetur thirrjes për ndihmë që të ka bërë KLGJ. Që sot nuk mban përgjegjësi bashkë me kolegen për vrasjen e gjyqtarit që jepte vendim në emër të Republikës të Shqipërisë.

Kur policia e shtetit thotë nuk kam kapacitet për të mbrojtur një gjyqtar, çfarë kapaciteti keni ju për të siguruar jetën e qytetarëve shqiptarë. Sot i promovuar pikërisht për këto dështime për papërgjegjshmëri për qytetarët shqiptarë. Këto janë rezultatet e reformës në drejtësi që thua ti? Këto janë rezultatet e keqqeverisjes tuaj që nuk çon policët që të mbrojnë gjyqtarët e shtetit.

Ne 1 minutë heshtje e mbajmë por nuk do të thotë që Kuvendi duhet të heshti.  Ju keni tejkaluar çdo skenar, dhe ato që bëheshin filma sepse Shqipëria sot nuk ofron siguri. të dy jeni skandalozë me qëndrimet që mbani. Të dy duhet të jepni dorëheqjen”, tha Zhupa.

Ora 10:29
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Gazment Bardhi ‘revoltë’ në Kuvend: Ministrja e Brendshme të japë menjëherë dorëheqjen

 

Kreu i Grupit Parlamentar i Partisë Demokratike, Gazment Bardhi ka kërkuar dorëheqjen e ministres së Brendshme, Albana Koçiu pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

Bardhi bën përgjegjës qeverinë si dhe Ministrinë e Brendshme për sigurinë e ulët në institucionet e drejtësisë.

“Ne emër të PD shpreh ngushëllimet familjes dhe kolegëve të gjyqtarit, ne sot seancën duhet ta kishim nisur me një fjalë dorëheqje të ministres së brendshme.

Është e papranueshme që gjyqtari të vritet në sallën e gjyqit teksa lexon vendimin e tij gjyqësore. Ministrja gënjeu se policia nuk ka detyrime për garantimin e sigurinë në institucione. Sipas legjislacionit është detyrë e policisë së shtetit që të garantojë sigurinë në institucionet e drejtësisë. KLGJ iu nxori zbuluar ku kërkonte mbështetjen e Policisë së Shtetit dhe policia refuzonte.

Kjo çështje nuk mund të kalojë si një ngjarje dite apo jave. Ministrja e Brendshme duhet të japë dorëheqjen. Kryeministri duhet të japë shpjegime për masat e sigurisë”, tha Bardhi.

Ora 10:29
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Topalli: Nëse nuk reflektojmë, ky vend do shkojë në humnerë

 

Deputetja e PD-së Jozefina Topalli e ka konsideruar vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja si goditje ndaj shtetit. Sipas saj, se me vrasjen e gjyqtarit, është vrarë iluzioni se në vendin tonë ka shtet. Ndërsa po ashtu theksoi, se nëse nuk reflektojmë, ky vend do shkojë në humnerë.

“E filluat seancën plenare me një minutë heshtje, është minimalja që bëtë. Mendoj se vrasja e gjyqtarët në zyrën e tij është e paprecedentë. As kartelet e Ekuadorit nuk kanë vrarë një gjyqtarë në zyrën e tij, kur ka lexuar vendimin. As mafia italiane nuk e ka bërë. Minimumi që ne mund të bëjmë ne si Parlament, është që të fillojmë një moment reflektimi kombëtar. Relativizmi që kërkojnë t’i bëjnë kësaj vrasje, është alarm i madh për të gjithë, por edhe të gjithë shtetin. Por në një vend që ka ministria dhe nuk ka shtet, ka ligje dhe nuk ka drejtësi, në një vend ku presidenti nuk respekton vendimin e Gjykatës Kushtetutës, çfarë emri t’i vëmë?

Me vrasjen e gjyqtarit, në vendin tonë është vrarë iluzioni se në këtë vend ka shtet. Nëse nuk reflektojmë, ky vend do shkojë në humnerë”, u shpreh Topalli.

Ora 10:26
Vrasja e gjyqtarit/ Ministri Lamallari i përgjigjet opozitës: Turp, bëni politikë me vrasjen

 

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari i përgjigjet opozitës e cila hedh akuza për sigurinë në gjykata pas vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja.

“Të bësh politikë me vrasjen dhe me një rast tragjik dhe të bësh retorikë, politikisht mbi një vrasje është e rëndë, akoma nuk janë bërë të 7. Keni përgjegjësi për gjithë gjuhën denigruese që keni përdorur nga daljet në ballkon, që keni sharë e telendisur  SPAK e SKRAP, çdo të hënë, nga altin dumani, Altin Troplini, këto janë akuzat dhe gjuhet e urrejtjes që keni ngjallur ndaj gjyqësorit. Keni ndërsyer militantët, mos bëj zhurmë, unë flas këtu si përfaqësues i institucioneve të drejtësisë. Nuk e keni lënë prokuror, keni anatemuar parterët startegjikë, ambasadorin e SHBA, Unionit, vetëm se mbështetën reformën në drejtësi dhe keni gojë të flisni. Ca është kjo, s’keni turp, prandaj u kanë lënë shqiptarët aty ku ui kanë lënë”, tha Lamallari.

Ora 10:25
Deputetëve iu propozua të nderojnë diktatorin Hoxha, Berisha i kthehet Peleshit: Hape seancën me apologji hipokrite, Enverin e fute në axhendë me urdhër të Ramës

 

Kreu i PD, Sali Berisha iu përgjigj Niko Peleshit, i cili kërkoi ndjesë për përfshirjen e diktatorit Enver Hoxha mes figurave kombëtare që mund të nderoheshin gjatë muajit tetor. Berisha akuzoi Peleshin se e futi diktatorin Enver Hoxha në axhendë me urdhër të Edi Ramës.

“Ti hape seancën me apologji hipokrite, Hoxhën e fute ti me urdhër të Ramës në axhendë. Nuk është gabim i librarisë. Ka një ligj që dënon propagandën komuniste për Enver hoxhën, ka rezolutë parlamenti, nuk është punë biblioteke. Rezolutat e kuvendit janë të detyruara. Imagjinoni ç’mund të ndodhte po të futej Hitleri në Budtenstag”, tha Berisha.

Ora 10:24
PD kërkoi reagim për dakordësinë Izrael-Hamas/ Balla ironizon Berishën: Ndonjë ditë do na shpallë luftë edhe me Marsin

 

Kreu i Grupit Parlamentar i PS-së, Taulant Balla ironizoi opozitën për kërkesën që Kuvendi të përshëndesë dakordësinë e arritur mes Hamasit dhe Izraelit për fazën e parë të planit të paqes në Gaza, e cila u njoftua nga presidenti i SHBA, Donald Trump. Balla vlerësoi përpjekjet e Trump, ndërsa shtoi se opozita duhet të kursejë të bëjë rolin e më “pro amerikanit”. Ai ironizoi më tej Berishën teksa tha se “do na shpallë luftë edhe me Marsin”.

“Na i kurseni këto shfaqje butaforike të garës mes jush se kush është më pro amerikani dhe kandidati për ministër të jashtëm në hije brenda jush. Kursejani vetes edhe gafat të një natyre diplomatike ndërkohë që njeriu që ka meritën kryesore në këtë çështje, presidenti Trump ende nuk ka udhëtuar për në Lindjen e Mesme. Na je bërë këtu…mos ia marrim meritën se tani siç thatë, dhe i drejtohem kryetarit parlamentar të PD-së se s’po merrem me ty, se duhet të jemi parlamenti i parë në botë që të përshendesim një marrëveshje paqejeje që presidenti amerikan pritet ta firmosë javën e ardhshme. Ndërkohë që jemi vetëm në fazën e parë të marrëveshjes historike nëse do të ndodhë që ende nuk është ratifikuar në qeverinë izraelite. Kursejeni këtë njeriu se ndonjë ditë do na shpallë luftë me marsin kështu si e ka nisur. Prandaj zoti kryetar i Kuvendit në emër të grupit të PS, përshëndesim përpjekjet maksimaliste të bëra nga Trump në dobi të paqes kudo në botë por t’ja kursejmë kuvendit këto lloj diskutimesh”, tha Balla.

Ora 10:24
Lamallari-opozitës: Nuk keni turp, mos bëni kapital politik me prokurorë e gjyqtarë! Do të vijnë te ju

 

Ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari i kujtoi opozitës sulmet ndaj prokurorëve e gjyqtarëve. Ai tha në Kuvend se në këto vite kanë mbjellë vetëm gjuhë urrejtjeje dhe se shqiptarët i njohin shumë mirë prandaj kanë mbetur në opozitë.

“Nuk keni turp! Shqiptarët e dinë prandaj iu kanë lënë aty ku iu kanë lënë. Mos linçoni prokurorë e gjyqtarë, mos ngjallioni gjuhën e urrejtjes. Urrejtja prodhon vetëm urrejtje dhe dhunë dhe këtë keni bërë këto vite. Kini kujdes kur bëni kapital politik me gjyqtarë e prokurorë. Lërini të bëjnë punën e tyre derisa të vijnë te ju”, tha ministri i Drejtësisë.

Ora 10:18
Instituti parlamentar propozoi të nderohej Enver Hoxha, Niko Peleshi ‘tërhiqet’: Ndjesë për perceptimin e gabuar! Kam kërkuar rishikim të procedurave të brendshme

 

Kryetari i Kuvendit të Shqipërisë, Niko Peleshi në çelje të seancës plenare ka kërkuar ndjesë në emër të institucionit që përfaqëson për përfshirjen e diktatorit Enver Hoxha në listën e figurave të tetorit.

Peleshi ka theksuar se përfshirja e Enver Hoxhës në listën e figurave të tetorit, nuk është përfshirë me kontekst negativ, por është përmendur vetëm për shkak të datës së lindjes.

“Kam vlerësuar më shumë seriozitet dhe kërkesat për qëndrim. Në emër të kuvendit dua të shpreh keqardhjen dhe ndjesën për keqkuptimin dhe perceptimin  e krijuar pavarësisht qëllimit të thjeshtë informativ të materialit pa pasur synimin të mbroj apo vlerësoj ndonjë figurë të veçantë, aq më tepër Enver Hoxhës që është përmendur vetëm për shkak të datës së lindjes.

Teksti është nxjerrë pa interpretim nga fjalori enciklopedik. Prezantimi i këtij materiali ka krijuar perceptimin e gabuar dhe nxitur shqetësim veçanërisht te familjet e viktimave.  

I kam kërkuar institutit parlamentar një rishikim të plotë të procedurave të brendshme të bibliotekës së kuvendit për tu siguruar që materialet e ardhshme të shoqërohen me kontekst të qartë historik”, tha Niko Peleshi.

Ora 10:14
Vrasja e gjyqtarit Astrit Kalaja, Kuvendi nis seancën me një minutë heshtje (VIDEO)

 

Seanca në Kuvendin e Shqipërisë ka nisur me një minutë heshjte për vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja, i cili u qëllua brenda sallës së gjyqit në Gjykatën e Apelit ditën e hënë.

Kryeparlamentari Niko Peleshi tha se gjyqtari Astrit Kalaja i shërbeu me integritet sistemit të drejtësisë.

“Pas konsultimit me grupet parlamentare, vrasja të hënën e gjyqtari Astrit Kalaja , i cili humbi jetën tragjikisht në Gjykatën e Apelit. Vrasja e një gjyqtari të Republikës së Shqipërisë u dënua nga të gjithë në vendin tonë. Gjyqtari Astrit Kalaja i shërbeu sistemit të drejtësisë me përkushtim dhe integritet. Në shenjë respekti, të mbajmë një minutë heshtje", tha Peleshi.

Ora 09:57
Mbledhja Konferencës së Kryetarëve, vendoset 150 minuta debat në parlament për çdo raportim nga institucionet

1759909694_ËhatsAppImage20251008at09.45.29.jpeg

Në mbledhjen e sotme të Konferencës së Kryetarëve, në shqyrtim të kërkesës për përcaktimin e kohës së debatit gjatë raportimeve në Kuvend. Pas diskutimeve, u vendos që koha e debatit të jetë 150 minuta për çdo raportim.

PD kishte kërkuar 4 orë debat për çdo raport. Kjo për te respektuar piken 3 te nenit 48 te rregullores e cila kufizon se ne çdo rast nuk mund te këtë me pak se 10 minuta për një grup parlamentar .Ndërkohë, mazhoranca kërkoi 120 minuta për çdo raport, por kjo bie me kundërshtim me nenin 48, pasi grupeve te vogla parlamentare i bie vetëm 6 minuta kohe për çdo raport.

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • rfdes: 09/10/2025 11:37

    vazhdon teatri! Ju qe votuat keta klloune .....

    Përgjigju
  • Igor: 09/10/2025 11:03

    Te gjith ata qe mbrojne korupsionin dhe Kriminelat e meritojne Plumbin,mjafte e vodhet popullin qe te pasuroni veten edhe miqt e juaj.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Mbrojtja për kreun e SPAK zgjatet deri në 3 vite pas mbylljes së mandatit, si ju duket?