Si po ecën procesi i regjistrimit të Diasporës dhe çfarë do prodhojë kjo praktikë për herë të parë në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.
Analistët e ftuar në ‘5 Pyetjet nga Babaramo” në Report TV, ndanë mendimin se megjithëse procesi po ecën normalisht, me shifra të larta dhe shfaq pozitivitet, problemet dhe rreziku i dështimit të procesit final mbetet prezent.
Shkak është problematika e votës kolektive, teknikalitetet, fakti se opozita dhe PD po e kundërshton aktualisht duke bërë propozime të reja. Mosmarrëveshjet mes PS dhe PD mund të shkaktojë edhe dështimin e këtij procesi.
“Unë e shikoj pozitiv, përtej pritshmërisë që kisha, deri në 70 mijë, por është shifër pozitive. Uroj që të votojnë, sikur edhe 100 mijë veta, sepse jo të gjithë ata që regjistrohen do votojnë. Këtu besoj do jetë ngatërresa se është hera e parë që bëhet për emigracionin, se që të jetë perfekte kjo punë nuk do shkojë. Uroj që të shkoj mbarë. Ata të gjithë kanë dokumente, kjo nuk bën sens, përveç vendeve që të kërkojnë ta dorëzosh shtetësinë. PD kërkon të quhen të vlefshme dokumenti deri ditën e zgjedhjeve, por që të mos kenë asnjë dokument shqiptar, unë nuk jam dakord. Pra jam dakord për ata që u ka skaduar dokumenti, që të lejohen të votojnë. Tjetra është çështja e pagesës, është goxha kosto por ia vlen, unë them që të bëhet nga shteti pagesa. Them se do merren vesh për kaq, janë marrë vesh për gjëra të mëdha, jo më për këtë. Ka dhe defekte, por po ecën si proces. Nëse s’bien dakord do të thotë se kanë dyshime”, thotë deputeti Dashamir Shehi.
Por ai denoncon mënyrën e fushatës së parakohshme politike që po bëhet nga PS dhe PD dhe propagandën që po bëhet.
“S’më duket pozitiv si proces, se po krijojnë propagandë, po çojnë problemet e Shqipërisë te emigrantët. Vlera e diasporës është të votojë si trupë elektorale, nuk ndodhet nën presionin e administratës, biznesit, patronazhistëve dhe pushtetit. Këta janë miq me njëri-tjetrin, pijnë edhe kafe, zgjidhin problemet e njëri-tjetrit. Por pas datës 11 bëhen dy kafe, se kthehen në armiq. Të ndalohet propaganda politike jashtë Shqipërisë. Kujtoj precedentin e Erdogan në Gjermani vite më parë, kur Merkel s’e lejoi të bënte miting në Berlin. Ata që kanë dashur të votonin kanë ardhur herë pas here, kjo bëhet për ata që nuk vijnë dot, për votën me postë”, thotë Shehi.
Inida Gjata, kryetare e Aleanca Kombëtare Shqiptare, shprehet se ky është momenti që të ndryshojë realiteti shqiptar, edhe me votën e emigrantëve. Por denoncoi fushatën elektorale që po bëhet, duke shkelur Kodin.
“Besoj se ishte momenti i duhur për të marrë hapin e duhur, për të ndryshuar realitetin shqiptar. Na lind si detyrë të angazhohemi politikisht, se ndryshe se ndryshojmë dot, Shqipëria është në baltë, është shkatërruar. Gjërat më të tmerrshme janë politikat antikombëtare dhe pazare në kurriz të interesave shqiptare. Janë hallet sociale, ekonomike, pensionistët, emigrimi masiv që po ndodh, s’ka rrugë dhe shkolla. Këta e kanë nisur fushatën elektorale në Diasporë që tani, duke e shkelur ligjin dhe duke mos e respektuar Kodin Elektoral. Shteti të financojë një pjesë të parave për udhëtimin dhe emigrantët të vijnë të votojnë aty, duke mbuluar pjesën tjetër të shpenzimit”, nënvizon Gjata.
Poli Hoxha mendon se situata po shkon drejt radikalizimit mes dy partive të mëdha dhe procesi do dështojë ose do ketë një marrëveshje tjetër të fshehtë mes PS dhe PD.
“PD po shkon drejt një radikalizimi, sepse kërkon të konsiderohet propozimi i tyre. Sepse dëgjova dhe Berishën që tha që të votojnë edhe ata që nuk kanë fare dokument shqiptar, pra këta e kanë ngritur stekën dhe nuk është më çështje teknikalitetesh. Këto janë truke për t’i përdorur për publikun dhe për të arritur marrëveshjen andej mbrapa. Kam idenë se po përgatiten për një marrëveshje tjetër. Ata nuk morën masa, programi i regjistrimit ka probleme, nuk punon. Sepse këta e kaluan pas vendimit të Kushtetueses votën e diasporës. Ky është votim kolektiv. Shkojnë në restorant dhe mblidhen e votojnë. Kjo është shkelje”, thotë gazetari.
Kurse gazetari tjetër, Almer Toska, shprehet i bindur se ky proces do dështojë nga mënyra se si po shkon, sepse edhe vota do jetë kolektive dhe do kontestohet.
“Vota e diasporës mund të dështojë. Është çështje teknikaliteti. Opozita nuk ka njerëz të angazhuar të përgatitur për teknikalitetet dhe regjistrimin, siç bën PS-ja që çon deri 5 njerëz në Angli, Gjermani, Itali etj., për të ndjekur procesin e regjistrimit. Opozita duhet të kërkojë që procesi teknik të jetë transparencë dhe i aksesueshëm. PS po punon që të mos i shpëtojë asnjë votë dhe po e menaxhon shumë mirë. Do ketë aq shumë manipulime, sa do jetë me keq se 1996, manipulim masiv i votës me administratë, ministra, strukturë shtetërore. Në të kundërt do jetë proces i dështuar, do mbyllen sytë, do ketë raport dhe do vijojë qeverisja”, pohoi ai.
Pano Soko, nga nisma ‘Thurja’ tha se nuk besonte se vota e emigrantëve do ndikohej apo drejtohej nga forcat e mëdha.
“Nuk dua të besoj se ata i mbledhin në lokale dhe i thonë hajde voto për mua. Ndoshta mund të më ndihmosh për aplikimin po, por jo të ndikojë se për kë të votojnë. Nga 1,6 mln besojmë se do votojnë te 200 mijë”, shprehet Soko.
Lajmi kryesor:
'5 Pyetjet'/ Shehi: Koalicion me Bashën e Alibeajn, s'kemi kandidat për kryeministër! Hoxha: Të largohen mamuthët e tranzicionit! Toska: Basha do e vjedhë mandatin!
A.Q/I.M/ReportTv.al