Kronikë

Shembja e objekteve pa leje në bregdet, zv. ministri i Brendshëm: Vijojmë deri në zhbërjen e çdo paligjshmërie! Gjoba për zyrtarët që shkelën detyrën

8 Qershor 2021, 14:00| Përditesimi: 8 Qershor 2021, 14:57

  • Share

Nga veriu në jug, në vend ka filluar aksioni për shembjen e ndërtimeve pa leje, operacion ky që sipas zv. ministrit të Brendshëm, Besfort Lamallari, do të vijojë deri në në zhbërjen e çdo paligjshmërie në linjën bregdetare.

Operacioni 'bregdeti ynë' filloi dje në Velipojë dhe Ksamil, ndërsa në një intervistë në "Report Tv", Lamallari u shpreh se janë prishur deri më tani 15 objekte. Ai shtoi se ka edhe një ndërgjegjësim, pasi disa pronarë tashmë kanë filluar vetë prishjen e objekteve.

"Dita e djeshme shkoi shumë mirë. Janë prishur dje 6 në Velipojë dhe 9 në Ksamil, operacioni vijon. Ka edhe një ndërgjegjësim të momenteve të fundit pasi u pa vullneti i qartë i qeverisë për të pastruar njëherë e mirë bregdetin dhe kemi persona që po prishin tashmë godinat e tyre. Dje patëm të paktën 4 apo 5 raste në Ksamil ku vetë pronarët, ndërtuesit u angazhuan për të prishur objektet që kishin ndërtuar, e njëjta gjë po konstatohet edhe në Velipojë pasi u njohën me ultimatumin e qeverisë. Puna i përket tashmë strukturave shtetërore, IKMT që po mbështetet edhe nga strukturat e rendit për të shmangur konflikte. Operacioni do zgjasë deri në zhbërjen e çdo paligjshmërie në linjën bregdetare. Kemi dhe raste ku nuk mund të ndërhyhet në prishjen e gjithë objektit pasi katet e para mund të jenë me leje, po ndërhyjmë me metoda të veçanta, me prerje objekti që mos të dëmtohet pjesa tjetër. Këto janë raste sporadike. Duhet të marrë fund epoka e ndërtimeve pa leje. Kjo në fund të ditës është të bërit shtet. Nuk mund të vazhdojmë me këtë epokë të së kaluarës, të shfrytëzimit pa leje e shkeljes flagrante. Ky nuk është një aksion, por një operacion madhor, vetëm këto janë reforma shtetbërëse. Edhe Durrësi ka shumë objekte që janë evidentuar dhe me përfundimin e aksionit në Velipojë e Ksamil, procesi do vijojë paralelisht deri në pikën e takimit nga të dyja anët, për të pastruar çdo ndërtim pa leje", tha ai.

Për pastrimin e inerteve, ai sqaroi se po vijon paralelisht me prishjen e ndërtimeve, duke shmangur kështu një peizazh të pakëndshëm për turistët. Lamallari theksoi po ashtu se ky aksion nuk do të vijojë vetëm me prishjen e objekteve pa leje, por edhe me gjobitjen e të gjithë zyrtarëve që kanë shkelur ligjin duke lejuar ndërtimin e objekteve pa leje.

"Për inertet është pushteti vendor që vendos për venddepozitimin e tyre, bashkëpunohet me pushtetin vendor, ka vende të përcaktuara nga bashkitë. Gjatë kohës që ndërhyhet, vijon edhe procesi i largimit të inerteve të objekteve që janë prishur. Ky operacion nuk do vijojë vetëm me prishjen e ndërtimeve pa leje, por me sanksione financiare edhe sanksione të tjera që lejon ligji, ndaj atyre që kanë shkelur ligjin, strukturat përgjegjëse të Inspektorateve të ndryshme apo të strukturave të rendit, edhe SHÇBA po monitoron këtë proces. Zyrtarët që nuk kanë bërë detyrën do mbajnë përgjegjësi", shtoi Lamallari.

//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?