Shembjet e banesave tek ‘5 Maji’, Mazniku: Qytetarët po marrin vlerësim të drejtë për pronën! 75% e tyre kanë firmosur marrëveshjen me bashkinë

19 Janar 2022, 13:10| Përditesimi: 19 Janar 2022, 15:10

  • Share

Ndërtimi i lagjes së re të ‘5 Majit’ në Tiranë, ka sjellë edhe shembjen e qindra banesave, ndërsa disa banorë kanë kundërshtuar prishjen e shtëpive, duke mos u dakordësuar me marrëveshjen që ka ofruar bashkia. Nënkryetari i bashkisë së Tiranës, Arbian Mazniku, i ftuar në ‘Sot Live në Shqipëri’ në Report Tv tha se të gjithë banorët që preken nga projekti do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re. Mazniku tha se zona është në rizhvillim, për arsye të tërmetit të 26 nëntorit, ku në banesat e reja pritet që të strehohen edhe qytetarët që mbetën pa shtëpi nga tërmeti.

‘Zona e 5 majit është shpallur si një ndër zonat e rizhvillimit për arsye të tërmetit në vitin 2020 me VKM. Banorët janë informuar në mënyrë të rregull dhe po marrin një vlerësim të drejtë për pronën që kanë. Çdo person që ka atje një pronë apo tokë, po merr metër për metër, si për banesën edhe për truallin. Një pjesë e madhe kanë firmosur edhe marrëveshjen për të marrë bonusin qirasë për periudhën e ndërmjetme deri kur të rindërtohen banesat e reja. Për banorë të cilët nuk ka qenë i mundur legalizimi i i banesave të tyre ato do të marrin metër për metër sipërfaqet e tyre. Është miratuar një bonus qiraje deri sa të marrin ndërtesën.'- tha Mazniku.

Rreth 75% e banorëve në zonë, sipas Maznikut kanë firmosur marrëveshjen me bashkinë, ku nënvizoi se do të shpronësohen edhe ato që për arsye administrative e kanë pasur banesën e tyre të palegalizuar. Marrëveshja për banorët e tjerë është e gatshme, theksoi Mazniku, dhe i ftoi banorët që të shkojnë të firmosin marrëveshjen pasi në fund të këtij procesi do të jenë shumë më mirë seç ishin më para dhe do të kenë metër për metër që ato kishin më parë. Projekti i lagjes së re për të gjithë zonën e ‘5 Majit’, pritet që të përfundojë rreth vitit 2024, shtoi Mazniku.

'Më shumë se 75% e banorëve të zonës kanë firmosur marrëveshjen. Kemi qenë në fazën e fundit dhe kjo është për ato banorë që kanë kundërshtuar dhe ne jemi detyruar që të zbatojmë ligjin. Një pjesë e madhe e objekteve janë ndërtuar. Në fazën e parë prekeshin 180 banesa dhe sot që flasim pjesa më e madhe janë prishur dhe janë ndërtuar banesa të reja. Sot ka qenë pjesa për të prishur 4 banesa, janë edhe rreth 10-12 banesa të tjera për të mbaruar fazën e parë. Marrëveshja për ta është e gatshme, mund të shkojnë çdo moment dhe të firmosin marrëveshjen në fund të këtij procesi do të jenë shumë më mirë seç ishin më para do të kenë metër për metër që ato kishin më parë. Do të kenë një pronë plotësisht të ligjshme. Rindërtimi i fazës së parë do të përfundojë në 2022. Zhvillimi i gjithë lagjes 5 Maj do të dojë edhe 2 vite të paktën që të mbarojë rreth vitit 2023-2024.’- u shpreh Mazniku.

M.Q.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?