Policia rrethon ‘5 Majin’ në Tiranë, IKMT shemb disa banesa për rindërtimin! NJë pjesë e banorëve në protestë, një i ri hipën mbi çati dhe lidhet me pranga: E kam shtëpinë me letra! Ndërhyn FNSH! (VIDEO)

19 Janar 2022, 07:47| Përditesimi: 20 Janar 2022, 10:20

  • Share

TIRANË- Shembja e 7 banesave (nga 430 në total) që preken nga projekti i rindërtimit në zonën e '5 Majit' në Tiranë është shoqëruar me tensione mes banorëve dhe Policisë. Banorët kanë bërë rezistencë, pasi sipas tyre shembja e banesave është kundër ligjit, duke theksuar se ato nuk kanë bërë asnjë marrëveshje me Bashkinë e Tiranës sa i përket bonusit të qirave dhe se nuk dinë se ku të shkojnë. Report Tv ka ndjekur nga afër procesin, ku ka pasur një moment tensioni, pasi familja Mziu ka refuzuar që të lërë banesën për shkak se sipas tyre e kanë me dokumente të rregullta. Një prej familjarëve është lidhur me pranga dhe ka hipur në çati. Është dashur ndërhyrja e FNSH-së që të evakuohen të gjithë familjarët. 

Nënkryetari i bashkisë së Tiranë, Arbian Mazniku, tha në një intervistë për Report Tv se banorët i kanë marrëveshjet e gatshme me bashkinë dhe se do të shpronësohen me metër për metër si në truall ashtu edhe në banesë. Banorët e njësisë administrative numër 4 dhe numër 8 që preken nga ky plan, do të strehohen më tej në një bllok pallatesh që ndërtohet po te “5 maji” e ku do të bashkëjetojnë edhe banorë, shtëpitë e të cilëve kanë pësuar dëme nga tërmeti i 26 nëntorit, por edhe ata që i kap plani zhvillimor.

Nga ana tjetër, shumica e banorëve që janë prekur nga projekti i lagjes së re te “5 Maji” janë dakordësuar dhe kanë filluar nënshkrimin e marrëveshjeve me Bashkinë e Tiranës për t'u pajisur me shtëpi, sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, nëpërmjet procesit të kompensimit përmes shkëmbimit.

Sipas VKM-së së miratuar nga qeveria në shtator të 2021, sigurohet se të gjithë banorët që preken nga ky projekt do të përfitojnë kompensim të plotë, nëpërmjet shkëmbimit të pronës së tyre me objektet e reja që do të ndërtohen në lagjen e re. Po kështu, poseduesit e banesave në proces legalizimi, tashmë do të përfitojnë të njëjtën sipërfaqe në metra katrorë, në godinat e reja që po ngrihen në të njëjtën zonë. 

“Sipërfaqja ndërtimore në objektet e reja për banim, që përfitojnë poseduesit e ndërtimeve të klasifikuara si ndërtime pa leje (banesa), është 100 për qind e sipërfaqes së objektit pa leje”, thuhet në vendimin e qeverisë.

 

 

VIDEO-Një moment tensioni me banorët

 

 

 

VIDEO-Shembja e banesave

 

 

Ora 22:00
Përplasja me policinë te 5 Maji, 4 në hetim, mes tyre dhe subjekti i OFL-së, Elson Marku që kërcënoi Veliajn

Për përplasjen te 5 Maji mes banorëve dhe policisë në kuadër të prishjes së disa banesave për rikualifikim urban dhe rindërtimin, 4 shtetas janë nën hetim në gjendje të lirë. mes të hetuarve është edhe Elson Marku, i cili është subjekt i OFL-së dhe kërcënoi kryetarin e Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj se do i hidhte acid në fytyrë.

Nën hetim janë Elson Marku, 41 vjeç, për veprën penale "Kanosja për shkak të detyrës";

- Klodian Laçi, 40 vjeç dhe Ledion Mziu, 30 vjeç dhe Zelije Nexhi, 38 vjeçe, për veprat penale "Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik" dhe "Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik".

Këta shtetas, në rrugën "5 Maji" kanë kundërshtuar punonjësit e Policisë, duke treguar mosbindje ndaj urdhrave të tyre dhe duke i penguar në zbatimin e detyrës.

Protestuesi Elson Marku u ka bërë thirrje banorëve që kanë kallash të fshehur në shtëpi dhe acid dhe t'ia hedhin në sy kryebashkiakut.  

Elson Marku është një emër i njohur për Policinë e Shtetit, madje dhe objekt i OFL-së sëbashku me vëllain e tij. Në janar të vitit të kaluar dy vëllezërve u është sekuestruar 5 milionë euro pasuri. Vëllezërit Sokol dhe Elson Marku dyshohet se pastronin paratë e drogës duke dhënë para me fajde, ku sipas prokurorisë ata u kanë dhënë  personave V.Sh. dhe E.G.. Dy vëllezërve nga Mirdita, por me banim në Tiranë u janë sekuestruar  makina luksoze, apartamente, lokale dhe biznese të tjera. Elson Markut deri tani i janë sekuestruar makinë tip Chrysler, BMW, Ford, Porche. Ndërsa Sokol Markut i janë sekuestruar Audi dhe tre BMW. Sokol Marku ka qenë i dënuar në vitin 2013 me 5 vite burg për veprën Penale “Prodhim dhe shitje e narkotikeve” dhe  në vitin 2016 me një muaj burg për “Kundërshtim i punonjësit që kryen një detyrë shtetërore ose një shërbim publik”.

Gjithashtu, nga të dhënat e marra dyshohet se dy vëllezërit merren dhe me trafikim të lëndëve narkotike në Itali. Gjatë operacionit u vendos sekuestro për 18 automjete, 3 njësi sipërfaqe toke, 2 apartamente, 2 ndërtesa banimi, 2 ambiente bar-kafeje, 1 ndërtesë trekatëshe, me një vlerë të përafërt rreth 5 milion euro, disa prej tyre të përfituara nga dhënia e parave me fajde (konkretisht një bar-kafe, një vilë trekatëshe dhe 18 automjete Porsche, BMW, Mercedes dhe Audi), ndërsa pjesa tjetër e pasurive dyshohet se është përfituar nga aktivitetit kriminal në fushën e narkotikëve.

 

 

VIDEO- Kërcënimi ndaj kryebashkut Veliaj
Ora 16:31
Prishja e banesave tek 5 Maji, Avokati i Popullit: Banorët janë ankuar për mungesë të transparencës! Bashkia e Tiranës na dha informacion të padetajuar

Avokati i Popullit ja reaguar në lidhje me protestën e banorëve te '5 Maji', të cilët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre. Me një postim në Facebook, Avokati i Popullit shprehet se ka marrë ankesa nga banorët të cilët pretendojnë se ka mungesë transparence nga Bashkia e Tiranës në lidhje me shpronësimin. Avokati i Popullit thekson se anë kërkuar informacion nga Bashkia e Tiranës, por se 'me vonesë', informacioni i dorëzuar ka qenë i përgjithshëm dhe i padetajuar.

Reagimi i plotë:

Institucioni i Avokatit të Popullit siç e ka bërë me dije dhe më parë ka ndjekur në vijimësi dhe me shqetësim problematikën në shembjen e banesave të ndodhura në Njësitë Administrative nr. 8 dhe nr. 4 zona “5 Maji”, Tiranë, nga  ndërhyrja e strukturave të IMT pranë Bashkisë Tiranë në zbatim të vendimit nr.533, datë 22.09.2021 të KM “Për shpronësimin për interes publik, në funksion të procesit të rindërtimit për zhvillimin e zonës së re, në përputhje me planin e detyruar vendor, përmes kompensimit me shkëmbim për të gjitha pasuritë që preken nga realizimi i projektit “Për zonën e re për zhvillim një njësinë administrative nr.4 dhe 8, zona “5 Maj”, Bashkia Tiranë”.

Problematika është bërë prezent dhe nga një grup banorësh të Njësisë Administrative nr. 8 dhe nr. 4 Tiranë për prishje të banesave të tyre pranë Institucionit të Avokatit të Popullit në dt. 26.10.2021. Me marrjen e ankesës, ndihmës-komisionerët e Seksionit të Administratës në institucionin e Avokatit të Popullit, në dt. 26.10.2021 ndoqën në terren problematikat që shoqëroi aksioni i strukturave të Bashkisë Tiranë , IMT në prishje të objekteve/shtëpive  të ndodhura në Njësinë Nr. 4 dhe 8 zona “5 Maji” Bashkia Tiranë.

Banorët kundërshtojnë prishjen e banesave të tyre me arsyen se nga ana e Bashkisë Tiranë së pari ka munguar transparenca lidhur me aktet që ka prodhuar Bashkia Tiranë konkretisht Akt-Marrëveshja për shkëmbim/dhurim të pronës e cila është e padetajuar me të dhënat përkatëse dhe pa informacion se cila është pasuria që do t’u vihet në dispozicion banorëve në këmbim të pronës së marrë në kuadër të zhvillimit të zonës.

Nëpërmjet këtij ankimi banorët pretendojnë se janë njoftuar vetëm për lirimin e objekteve në datën e përcaktuar por nuk kanë asnjë informacion të mëtejshëm lidhur me strehimin e tyre. Banorët shprehen se po u merren banesat e tyre por nga ana e Bashkisë Tiranë dhe strukturave të vartësisë nuk janë bërë me dije procedurat që do të ndiqen për garantimin e strehimit pas lirimit të godinave të tyre.

Në kushtet e situatës së tillë Institucioni i Avokatit të Popullit u vu në lëvizje për hetimin e gjithë procedurës së ndjekur nga organet kompetente në përcaktim të qartë të situatës së krijuar. Nëpërmjet korrespondencës me Bashkinë Tiranë në kuadër të këtij hetimi u kërkua informacion i detajuar mbi arsyet se përse nga ana e kësaj Bashkie është arritur në konkluzionin se shpronësimi i banorëve të këtyre ndërtesave/objekteve të ndodhura në njësitë administrative nr.4 dhe nr.8 Bashkia Tiranë, është mjeti i vetëm për realizimin e qëllimit publik përkatës në këtë rast për zhvillim të zonës.

Interesimit të Institucionit të Avokatit të Popullit Bashkia Tirane dhe strukturat përkatës nuk i është përgjigjur në kohë dhe më tej informacioni i paraqitur është i përgjithshëm i pa argumentuar dhe dokumentuar me aktet përkatëse.

Teksa Avokati i Popullit e vlerëson si pozitiv qëndrimin e shprehur në VKM e sipërcituar për mundësinë e pajisjes me apartament/banesë të të gjithë banorëve të prekur nga ky projekt, ai tërheq vëmendjen së pari për transparencën e cunguar që ka shoqëruar përpilimin dhe ekzekutimin e këtij vendimi, gjë që ka shkaktuar edhe një gjendje të dukshme pasigurie, paqartësie dhe shqetësimi për qytetarët.

Gjithashtu Avokati i Popullit tërheq vëmendjen mbi disa klauzola të këtij vendimi, të cilat për shkak të procedurave të ndjekura me justifikimin e emergjencës së krijuar nga tërmeti i vitit 2019, sot më 2022 nuk ofrojnë garanci të mjaftueshme për qytetarët të cilët preken nga prishja e objekteve të tyre e u premtohet në mënyrë evazive një formë kompensimi e pa-individualizuar dhe e pa-afatizuar.

Në vijim të ndjekjes së hetimit përfaqësuesit e  Institucioni  Avokatit të Popullit kanë qenë prezent sërish edhe ditën e sotme në terren përgjatë ndërhyrjeve të IMT në  prishjen e banesave në këtë zonë dhe do të vijojnë me ndjekjen e këtij problem deri në qartësimin e të gjitha çështjeve të tij në respekt të ligjit dhe të drejtave të qytetarëve shqiptarë.

Ora 13:16
Përplasjet për shembjen e banesave tek ‘5 Maji’, Meta: Pamjet tronditëse, çështje të tilla të zgjidhen me ligj

Presidenti Ilir Meta ka reaguar në lidhje me shembjen e disa banesave nga IKMT në Tiranë në zonën e 5 majit, ku pati edhe përplasje mes banorëve dhe policisë.

‘Para se të kaloj tek çështja që ju keni merak, unë kam një çështje tjetër tronditëse. Opinioni publik është tronditur sot nga disa pamje të dhunshme të disa familjeve në kryeqytet. Këto nuk janë pamje për herë të parë dhe nuk nderojnë autoritetet dhe agjencisë ligjzbatuese. Çështje të tilla duhet të zgjidhen në bazë të ligjit. Dhe duke garantuar strehimin e përkohshëm në çdo rast. Me këtë rast i bëj thirrje Avokatit të Popullit që të njihet me veprimet dhe shkeljet e mundshme të pretenduara dhe të ndajë shqetësimin e tij.’- tha Meta.

Ora 11:47
Protesta te '5 Maji'/ Banori refuzon që të lërë shtëpinë, ndërhyn FNSH, e largon nga çatia (VIDEO)

 

Disa banorë të familjes Mziu kanë refuzuar që të lënë shtëpinë, e ndërsa siç shihet në pamjet që Report Tv kanë ndërhyrë FNSH dhe Policia. Ato pritet që të bëjnë largimin e personave që kanë bërë rezistencë, e për disa momente fadroma ka ndalur punën.

Ora 11:35
Protesta e banorëve të ‘5 Majit’, PD: Rama ka ndërtuar shtetin e shkatërrimit për njerëzit dhe pasurimit për vete

Deputetët Dhurata Çupi dhe Bledion Nallbati nga Komisioni i Ligjeve dolën sot në krah të banorëve tek 5 Maji kundër prishjes pa kontratë të shtëpive të tyre. Nënkryetarja e Komisionit të Ligjeve Dhurata Çupi tha se 430 familje po hidhen në rrugë jo për interes publik, por për të pasuruar më shumë Edi Ramën dhe Erion Veliajn.

‘Janë trishtuese këto pamje këtu tek 5 Maji. Shkatërrohet shtëpia, shkatërrohet pasuria. Që nga 2013-a, ne kemi parë shtetin e Edi Ramës që vetëm shkatërron. Shkatërron shtëpitë e qytetarëve, i nxjerr jashtë. Shkatërron rrugët, shkatërron gjithçka vetëm për të ndërtuar për vete. Këtu po shkatërrojnë 430 shtëpi të qytetarëve, pasi nuk i kanë legalizuar përfundimisht. Ju i dini premtimet për t’i legalizuar të gjtihë, kur u marrin votën dhe sapo mbarojnë votimet, nis shkatërrimi i pronës. Kemi ardhur këtu me kërkesën e banorëve nga komisioni i ligjeve, jo vetëm për të qenë krah qytetarëve, por edhe për të parë dokumentacionin për kallëzimet që do të bëjnë qytetarët. Për t’iu drejtuar SPAK-ut për rindërtimin në përgjithësi, por dhe për rastin e 5 Majit. Është një rast abuziv. Shkatërrohen 430 banesa për të ndërtuar godina të tjera nga shteti. Pra, nuk është shpronësim publik. E thanë edhe qytetarët. Këtu nuk ndërtohet infrastrukturë. Këtu ndërtohen pallate per Edi Ramën dhe njerëzit e Edi Ramës, prandaj po merr pasuritë e qytetarëve. Shqiptarët nuk njohin parti para shtëpisë së tyre, para jetës së tyre, para fëmijëve të tyre. Ne jemi në krah të qyetarëve sot dhe do të vazhdojmë të jemi për t’i ndihmuar për procedurat ligjore. Nuk kanë njoftim për prishjen e shtëpive, nuk kanë kontratë ku do të rrinë. Askush nuk thotë se ku do të jetojnë sot këta qytetarë që u kanë prishur shtëpitë ndërkohë. Kjo është një gjendje e jashtëzakonshme dhe e papranueshme. Është historia e nisur nga Edi Rama që në 2013-ën dhe e vadhdon. Pas çdo fushate elektorale bën këto gjëra të tmerrshme me qytetarët, vetëm shkatërron. Ne jemi në krah të qytetarëve kundër pushtetit të Edi Ramës që pasurohet vetë dhe varfëron njerëzit. Sot janë 430 familje këtu, nesër do të jenë diku tjetër. Shqiptarëve u ka marrë tokën, u ka marrë detin dhe ajrin për pushtetin dhe pasurimin e tij.’- tha Çupi.

Ora 11:28
I preket shtëpia nga rindërtimi, banori te '5 Maji' refuzon shembjen, hipën mbi çati: E kam shtëpinë me letra, s'kam bërë asnjë marrëveshje

 

Një banor ka refuzuar që shtëpia e tij të shembet, në kuadër të rindërtimit. Siç raporton gazetarja e Report Tv, Enxhi Musaj, ai ka hipur në ballkon dhe refuzon të lërë shtëpinë.

"Bashkia e Tiranës po bën shembjen e një shtëpie të ligjshme, i ka nxjerrë banorët me dhunë jashtë, në kundërshtim me ligjin,jemi në proces gjyqësor të hapur, nuk kemi firmosur marrëveshjen, këtu është kopshti ku kam mbesën time, e cila po e sheh nga dritarja të gjithë ngjarjen. Pa dhe prindërit e vet që po ia merrte policia me forcë. Shikoni sa policë ka vënë në dispozicion Policia e Shtetit Erion Velisë një banesë të ligjshme, se nëse do kishte marrëveshje me Bashkinë, për 4 familjarë kanë sjellë një ushtri të tërë", thotë banori. 

Ora 10:43
Të lidhur me pranga me njëri-tjetrin, dy banorë te ‘5 Maji’, gati për t’u sakrifikuar për të ‘shpëtuar shtëpinë’ (VIDEO)

Vijon rezistenca e disa banorëve për të kundërshtuar shembjen e shtëpisë së tyre në zonën e ‘5 Majit’. Në një moment kur fadrromat e IKMT-së kanë mbërritur shumë pranë banesës së tyre, dy banorë janë vetë prangosur brenda mureve të shtëpisë, për të kundërshtuar shembjen e banesës. Ato janë lidhur me pranga edhe me portën kryesore të shtëpisë.

Ora 09:39
Protesta te '5 Maji', Balliu: Të shkarkohet kreu i IKMT, ka fyer nënat shqiptare! Një shtëpi në proces legalizimi s'mund të shembet

 

Ish-deputeti i Partisë Demokratike, Klevis Balliu është shprehur se qeveria ka shkelur ligjin pasi sipas tij asnjë shtëpi që është në proces legalizimi nuk mund të shembet. Ai ka hedhur akuza në drejtim të kreut të KIMT-së, Mariglen Qato, pasi sipas tij ka ofenduar nënat shqiptare.

"Me ligjin aktual në Shqipëri, asnjë shtëpi që është në proces legalizimi nuk mund të shembet, nëse i kanë marrë në kontroll gjithçka me gjykata dhe e dinë që shtëpia nuk do të legalizohet, atëherë pse disa janë legalizuar dhe disa të tjera jo. Drejtori i IKMT e ka kërcënuar me fjalë fyese, fjalë të ndyra një zonje në moshë dhe Mariglen Qato duhet shkarkuar, nuk mund të sillet si halabak duke fyer nëna e shqiptarëve, banorët kanë çuar kërkesën për dialog, nuk i ka kthyer përgjigje, policët të mos ndërhyjnë për sa kohë është kjo çështje në hetim, ju e dini shumë mirë që për afera tjera e kanë ngrënë shokë tuaj që të mbrohet drejtori, një shtëpi që është në proces legalizimi nuk preket, ka një çështje që po hetohet, e keni në SPAK  dhe Prokurorinë e Tiranës, nuk kemi asnjë deklaratë", tha Balliu.

Ora 09:12
Protesta e banorëve të '5 Majit' bashkon në terren PD-në (VIDEO)

 

Protesta e banorëve "5 Maji" për shembjen e banesave ka bashkuar në terren Partinë Demokratike. Në mbështetje të banorëve, kanë shkuar deputeti Klevis Balliu, i cili ka qenë edhe në protestat e banorëve të Astirit, Ervin Minarolli, të dy nga Komisioni i Rithemelimit të PD-së, e ndërsa nga PD-ja zyrtare është parë të jetë deputetja Dhurata Çupi.

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 19/01/2022 23:35

    Keta kur ndertuan shtepite ne /toke te zene/ menduan qe Shqiperia do te mbetej perhere /no-man land/dhe sikur te mos mjaftonte kjo,shteti i dobet dhe i paafte ua njohu dhe ua legalizoj ligjerisht shkeljen dhe krimin qe bene dhe tani bertasin se i kemi te ligjshme.Ju e dini shume mire qe nje shtet i forte,me ligje dhe i pakorruptuar nuk do t'ju lejonte te ndertonit ne rradhe te pare,jo me t'jua legalizonte krimin dhe t'jua bekonte me tapi.Tani anarkise po i vihet fre.

    Përgjigju
    • Lush: 20/01/2022 21:53

      Libri I xhungles gjithmone me I Forti fiton... Mos beni gerr merr neper TV meqe thoni do I bej keshtu e ashtu shkoni e kapni prej bythe veliajn e kompani ose nenshtrohuni para sovranit...

  • Ilir: 19/01/2022 21:28

    Ku i gjeten pronat mes Tiranes keta maloket qe jane mesuar te jetojne ne zhul e rremuje .Edhe kaq kompensim gabim qe jua japin se i kane tokat e grabitura pronareve te ligjshem.Te ikin te banojne aty ku kane tokat e tyre ku vriten per 1 gardh e nje vije uji.

    Përgjigju
  • O tej: 19/01/2022 13:57

    O biri spiunit Fari Balliut robt ku ti kesh.. o fytyra bajga o copa muti

    Përgjigju
  • Skenderbeu: 19/01/2022 12:32

    Tu q robt, ku u gjeten pronat ne mark te p. robve? Ta gjejne ke Sal shpella.

    Përgjigju
  • Kastro Ziso: 19/01/2022 10:17

    Banoret jane zhulsa

    Përgjigju
  • Banori: 19/01/2022 09:21

    O Klevis i harrove policet qe Basha i coi tek stavioni i trenit per ti nxjerre nga shtepia per ndertimin e Bulevardit te Ri e harrove sesi police t terhoqen te moshuaren zvarre sepse nuk donte te dilte nga shtepia?

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?