Trajneri i Kombëtares së futbollit, Sylvinho zbardh sot në 12:00 listën e lojtarëve të ftuar për dy miqësoret e marsit kundër Kilit (22) dhe Suedisë (25). Braziliani nuk i ka ndalur surprizat, teksa një të tillë pritet të bëjë edhe sot.
Sipas Dueli Sportiv në Kosovë, trajneri ka ftuar në ekip edhe Arbër Hoxhën, sulmuesin anësor të Dinamos së Zagrebit. 25-vjeçari shënoi dje për gjigantin kroat në Conference League, por goli i tij nuk mjaftoi pasi PAOK i eliminoi nga Conference League.
Me vlerën 1 milionë euro në treg, Hoxha la në merkaton e dimrit Slaven Belupo dhe u bashkua me Dinamon e Zagrebit. I dalë nga moshat e Prishtinës, Hoxha ka luajtur edhe me Ballkanin dhe prej 2021 është pjesë e futbollit kroat, si fillim me Lokomotivën e Zagrebit dhe më pas me Slaven Belupo e tanimë me gjigantët e Dinamos.
Prej kohësh ai është pajisur me pasaportën shqiptare dhe paçka se ka luajtur tre ndeshje me Kosovën, interesimi i vakët nga Dardanët ka bërë që ai të zgjedhë ngjyrat kuqezi.
Na duhet të presim edhe pak orë për të mësuar nëse Sylvinho do shtojë konkurrencën në sulm, në pozicionin ku luan Seferi me Uzunin.