Policia ka dhënë njoftim për sherrin mes familjes Nikolla dhe Kaçi. Policia thotë se punonjësi i gardës qëlloi me armë zjarri në ajër, por nuk është lënduar asnjë person nga të shtënat. Ndërkohë në polici janë shoqëruar të 6 personat e përfshirë në konflikt.
“Rreth orës 11:30, në Hamallaj, dyshohet se për motive pronësie, janë konfliktuar duke përdorur mjete të forta, anëtarët e një familjeje, shtetasit P. K., K. K. dhe S. K., me anëtarët e një familjeje tjetër, shtetasit A. N., P. K. dhe M. N.
Gjatë konfliktit dyshohet se shtetasi M. N., punonjës i Gardës, ka qëlluar në ajër, me armën e shërbimit. Nga të shtënat nuk është dëmtuar asnjë person.
Shërbimet e Policisë, sapo kanë marrë njoftim, kanë shkuar menjëherë në vendngjarje dhe kanë bërë të mundur shoqërimin e të gjithë personave të përfshirë në konflikt, në Komisariatin e Policisë Durrës.
Grupi hetimor vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të konfliktit. Në përfundim të veprimeve të para hetimore dhe procedurale, do të ketë njoftim të plotë”, njofton policia.
Lajmi kryesor:
Sherr për rrugën në Hamallaj! Vëllezërit Nikolla dhunojnë me shkopa bejsbolli familjen Kaçi, gardisti qëllon me armën e shërbimit, arrestohet nga AMP
SI.E./ReportTv.al