Sherri në koalicionin e partive të reja Nisma Shqipëria Bëhet në zgjedhjet e 11 majit mbetet i hapur, me akuza dhe kundërakuza, deri në kërcënime publike.
Kryetari i Nisma Thurje, Endri Shabani, ka sqaruar sot se ashtu sikurse dorëheqja e Adriatik Lapajt nga mandati që deklaroi para zgjedhjeve nëse do merrej vetëm një deputet nga koalicioni, nuk ishte pjesë e marrëveshjes, po ashtu edhe dorëheqja e Zeqir Kordhonit nuk ishte pjesë e kësaj marrëveshjeje.
Shabani ka bërë sot një sqarim publik në rrjetin social Facebook, ku ka publikuar edhe dokumente të marrëveshjes së koalicionit.
Ai thekson se marrëveshja ka qenë morale dh jo e firmosur dhe nëse Lapaj nuk e mban fjalën e dhënë apo besën, pse duhet ta mbajnë të tjerët, përfshi edhe dajën e tij, Zeqir Kordhoni.
Koalicioni Nisma Shqipëria Bëhet po kalon një krizë të thellë politike për shkak të mandatit që ka fituar, i cili ka futur në sherr drejtuesit e saj.
Shkak është bërë kërkesa që kandidati i listës së mbyllur Zeqir Kordhoni, i ka bërë KQZ, ku shprehet se nuk mbante mend të kishte hedhur firmë në kërkesë dorëheqje të dorëzuar më 11 maj, para nisjes së procesit të numërimit.
Kordhoni, që rezulton se është daja i kreut tjetër të koalicionit, Endri Shabani, duket se është mërzitur me Lapajn për sjelljen e tij. Ky i fundit ka nisur një debat të fortë me Shabanin, ku nuk kanë munguar edhe akuzat për kërcënime ndaj kreut të Nismës Thurje nëpërmjet mesazheve e telefonatave.
Fjalën e fundit do e thotë KQZ në mbledhjen e saj për ndarjen e mandateve për Tiranën.
Të gjithë kandidatët e listave të mbyllura kanë deklaruar fillimisht në KQZ se nuk e duan mandatin, duke i hapur rrugë Lapajt të hyjë në Kuvend, por së fundmi, Zeqir Kordhoni, një prej emrave që u kandidua fiktivisht si njeri besnik i Shabanit, ndërroi mendje. Bashkë me të, mendje ka ndërruar edhe e katërta e listës së mbyllur, Kleana Xhuveli, e cila përmes një shkrese këtë të enjte, vuri në dijeni Celibashin se revokon dorëheqjen e depozituar më herët.
Sqarim publik:
"SHB pretendon se premtimi i Adriatikut për dorëheqje nuk ka qenë pjesë e marrëveshjes së koalicionit.
Po as premtimi i Zeqirit nuk ka qenë.
Atëherë pse i kërkohet dorëheqja Zeqirit, por jo Adriatikut?
Apo funksionon parimi: “bëj si të them unë, jo si bëj unë”?
Për ata që janë të interesuar, më poshtë gjeni marrëveshjen e nënshkruar. Aty nuk thuhet askund që kandidatët e listës së fiksuar janë të detyruar të japin dorëheqjen. As për Zeqirin, as për ndonjë tjetër.
Por është fakt që 46 kandidatë të listës së fiksuar dhanë fjalën e tyre që do të dorëhiqeshin për t’u hapur rrugë kandidatëve të listës së hapur.
Një zotim moral, jo ligjor. Një fjalë e dhënë - si ajo e Adriatikut.
Dhe në këtë vend, fjala ka qenë gjithmonë më shumë se një firmë në letër. Ka qenë besa!
Nëse kryetari nuk mban fjalën, me ç’të drejtë kërkon nga të tjerët që ta mbajnë të tyren?".
Komente

Pushka top, Shaban! Jepi drejtim se ai LLapa doli bukeshkale i papare. Ta gezoje Zeqo mandatin!!!
Përgjigju