Kronikë

Sherri për pronën në Shkodër çoi në vrasjen e gjyqtarit Astrit Kalaja në Apelin e Tiranës (VIDEO)

6 Tetor, 16:42| Përditesimi: 6 Tetor, 19:39

  • Share

Një person i vrarë dhe dy të tjerë të plagosur është bilanci i ngjarjes së rëndë të ndodhur në Gjykatën e Juridiksionit të Përgjithshëm të Apelit në Tiranë. Autori Elvis Shkambi 30 vjeç, tashmë i arrestuar dhe arma e të cilit është sekuestruar, ka patur një konflikt për pronën në gjyq. Xhaxhai i tij pretendon një pronë në zonën e Shkodrës, sipas të cilit ia kishin uzurpuar.

Bëhet fjalë për godinën e ish-Shkollës së Rezervave në lagjen "Skanderbeg". Në këtë ndërtesë janë strehuar 31 familje që në vitin 1992.

Por në vitin 2012, Gjon Shkambi shfaqi pretendime për pronën me argumentin se është pasuri e trashëguar brezë pas brezi.

Siç rezulton, 31 familjet u strehuan në këtë godinë 33 vite më parë nga Bashkia e Shkodrës. Por banorët thonë se Gjon Shkambi që pretendon pronësinë mbi ndërtesën, ka dokumente false.

Çështja u komplikua në vitin 2012, kur Bashkia e Shkodrës firmosi shitjen e godinës te Gjon Shkami. Sipas banorëve, kryebashkiaku i Shkodrës në atë kohë, Lorenc Luka, i dha Gjon Shkambit dokument privatizimi pa vendim të këshillit bashkiak.

Konflikti për pronën zvarritej gjyqeve prej disa vitesh, madje Gjon Shkambi e kishte denoncuar historinë edhe nëpër media. Sipas pretendimit të xhaxhait të tij, Gjon Shkambit, prona i përket familjes së tij. 

Në vitin 2020, 31 familjet u përplasën për herë të parë me zyrën private të përmbarimit. Që atëherë, çështja është zvarritur në dyert e institucioneve dhe të drejtësisë. Banorët e akuzuan Gjon Shkambin se ka dokumente false.

Banorët pretendojnë se prona është ende shtetërore dhe se dokumentet e Gjon Shkambit janë të falsifikuara

Gjyqi për pronën ka qenë edhe shkak i vrasjes së gjyqtarit Astrit Kalaja, ku mbetën të plagosur edhe dy persona të tjerë, babë e bir, të cilët ishin pala tjetër (një nga 31 familjet) në këtë proces gjyqësor për pronën. Apeli i Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, në vendimin e sotëm, u dha të drejtë 31 familjeve që të qëndrojnë brenda banesave në godinën e pretenduar. 


Lajmi kryesor:

Vritet në sallën e gjyqit gjyqtari i Apelit të Tiranës, Astrit Kalaja! Plumbat kapin edhe babë e bir! Arrestohet autori, xhaxhai i tij humbi gjyqin për pronën (VIDEO)


V.GJ /ReportTv.al
  • Sondazhi i ditës:

    Sa të sigurt janë për jetën gjyqtarët dhe prokurorët?