Politikë

Shkarkimi i Veliajt, Rama i kërkon Begajt të shpallë zgjedhjet në Tiranë! Por, Kushtetuta pengon kreun e shtetit kur ka ankimim

30 Shtator, 11:43| Përditesimi: 30 Shtator, 16:11

  • Share

TIRANË- Kryeministri Edi Rama njoftoi sot presidentin e Republikës për krijimin e vakancave për kryetar bashkie në 6 qytete të vendit, përfshirë edhe kryeqytetin. Shkresa vjen një ditë pasi kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, ankimoi në Gjykatën Kushtetuese, shkarkimin e tij me vendim të qeverisë. Një akt që sipas nenit 115 të Kushtetutës pezullon automatikisht vendimin e Këshillit të Ministrave, e për pasojë dhe organizimin e zgjedhjeve të parakohshme në kryeqytet. Pikërisht ky nen pengon kreun e shtetit Bajram Begaj që të dekretojë një datë zgjedhjesh për Tiranën.

Kryeministri Edi Rama duket se e kishte parashikuar reagimin e kryebashkiakut Erion Veliaj dhe ankimin e tij të mundshëm në Gjykatën Kushtetuese, në rast të shkarkimit nga Qeveria. Në vendim, Këshilli i Ministrave, ka marrë si referencë për bazën kushtetuese të aktit të saj, nenin 100, i cili në fakt thjesht njeh të drejtën e qeverisë për të marrë vendime, ndërsa si bazë ligjore, shkronjën “c” të Nenit 62, të ligjit për vetëqeverisjen vendore.

Por ekspertë të kushtetutës, shpjeguan për Report TV, se pavarësisht referencave në vendimin e Këshillit të Ministrave, shkarkimi i një drejtuesi të qeverisjes vendore, është një akt që parashikohet në mënyrë eksplicite nga kushtetuta, pikërisht për të ofruar një mbrojtje të këtij pushteti nga një pushtet tjetër.

Fakti që akti i qeverisë nuk i referohet nenit 115 të Kushtetutës për shkarkimin e të zgjedhurve vendor, nuk e shmang atë nga detyrimet e parashikuara nga ky nen, i cili në pikën 2 të tij parashikon se “Organi i shpërndarë ose i shkarkuar mund të ankohet në Gjykatën Kushtetuese brenda 15 ditëve, dhe në këtë rast vendimi i Këshillit të Ministrave pezullohet”.

Neni 115 i Kushtetutës

Veliaj e ka bërë tanimë ankimin. Ekspertët të Kushtetutës shpjegojnë se qeveria duhet të kishte respektuar formalisht afatin 15 ditor që parashikohet për ankimi, edhe në rast se nuk do të ishte ndërmarrë një akt i tillë.

Nga ana e saj, Gjykata Kushtetuese e ka regjistruar çështjen duke caktuar edhe relatorin. Gjykata tha sot se ajo “ka bërë publikimin e regjistrimit të kërkesës. Shpallja është e barasvlershme me njoftimin publik”, duke lënë të nënkuptohet se nuk ka arsye se përse duhet të njoftojë qeverinë apo presidentin për ankimin e Veliajt.

Nga sot, kreu i shtetit ka afat 48 orë për të caktuar datën e zgjedhjeve. Në rastin e Tiranës Kreu i Shtetit po ashtu është i lidhur drejtpërdrejtë me nenin 115, i cili në pikën tjetër të tij, pikën 3, shpjegon qartazi veprimet që duhet të ndërmarrë. Atij i lihen vetëm dy mundësi për caktimin e datës së zgjedhjeve, ose kur nuk është ushtruar e drejta e ankimimit brenda 15 ditëve, ose në rastin kur lihet në fuqi vendimi i Këshillit të Ministrave nga Gjykata Kushtetuese.

Kush janë bashkitë e tjera pa kryetar?

Në shkresën që mban datën 30 shtator, të cilën Report Tv e disponon, Këshilli i Ministarve me firmë të sekretarit Engjëll Agaçi, njofton kreun e shtetit edhe për vakancat në 5 bashkitë e tjera të vendit, Vlora, Berati, Mati, Cerriku dhe Tepelena. Tre bashki të vendit, Mati, Tepelena dhe Berati janë pa drejtues, për shkak se kryetarët e tyre, u zgjodhën deputetë nën siglën e PS në zgjedhjet parlamentare të 11 majit.

Ndërkohë, Cërriku ka mbetur pa kryetar pasi emërimit surprizë të Andis Sallës në ministrinë e Bujqësisë, ndërsa në Vlora mbeti pa drejtues pas dorëheqjes së Ermal Dredhës. Zgjedhjet e pjesshme, sipas ligjit elektoral, mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit. Çka do të thotë se datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve janë 3 të dielat, 2, 9 ose 16 nëntor, në varësi se kur do të shpallet dekreti i Begajt. 

Njoftimi i Këshillit të Ministrave për vakancën në 6 Bashki të vendit

Ora 12:28
Qeveria njoftoi Presidencën për vakancën në bashkinë e Tiranës, Bardhi: Begaj do të bëjë atë që urdhëron Rama, do përbënte shkelje të rëndë

 

Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi komentoi shkresën e qeverisë drejtuar presidentit, të cilin e njofton për vakancën në bashkinë e Tiranës dhe 5 të tjerat. Bardhi tha se Begaj do të veprojë në interes të kryeministrit Rama, por një gjë e tillë do të përbënte një shkelje të rëndë.

“Duhet t’i kujtojmë qytetar se është skenar i paralajmëruar nga kreu i PD në konferencë, ku bëri me dije planin që kishte Rama për të keqpërdorur presidentin dhe shkelur Kushtetutën. Kushtetuta është e qartë, qoftë për organin që vendos për shkarkimin dhe të drejtën e ankimit nga i shkarkuari. Në mënyrë automatike, vendimi i shkarkimit pezullohet. Presidenti që është autoriteti për të shpallur zgjedhjet duhet të verifikojë procedurën para se të konstatojë ekzistencën e vakancës dhe dekretin. Presidenti s’mund të dekretojë datë zgjedhjesh. Nëse më pyet se çfarë bën jo presidenti por Bajram Begaj, besoj se do të bëjë atë që do të urdhërojë Rama. Ka treguar në të shkuarën se nuk pyet as pë Kushtetutë dhe as ligj. Do të ishte shkelje e rëndë në ushtrim të detyrës që sjell përgjegjësi për presidentin e Republikës. “, tha ai.

Bardhi thotë se Gjykata Kushtetuese, në të cilën Erion Veliaj ka depozituar ankim, do të duhet që të njoftim që pezullohet vendimi i shkarkimit të Veliajt, për të shmangur ndonjë përplasje institucionale. Ironizoi edhe më tej Begajn, teksa tha se ka vetëm një “Bibël e Kuran që është urdhri i Ramës”.

“Ky është vendim që do e marrin strukturat e PD, kryesia. Uroj shumë që presdidenti të respektojë kushtetutën. Di që kërkesa përkatëse, edhe pse kam zero interes për fatin e Veliajt, për mua duhej të ishte shkarkuar shumë kohë më parë, por sa kohë ka një proces që e përshkruan Kushtetuta duhet tëe respektohet. Besoj se edhe GJK ka rol për të luajtur në këtë drejtim dhe  besoj se duhet të njoftojë dhe atë që ka kushtetuta automatike, pezullimin e vendimit të këshillit të ministrave. Nuk e kam lexuar të plotë përgjigjen e GJK, por procedura e kërkon që në momentin që kërkesa regjistrohet në Gjykatë, automatikisht pezullohet. Në gjykimin tim, edhe për të shmangur një përplasje institucionale, GJK nuk duhet të kursehet vetëm me regjistrimin në regjistër, por duhet të sqarojë se vendimi i Këshillit të Ministrave është pezulluar. Nga Begaj pres ta shpallë Shqipërinë edhe republikë kryeministrore. Ka vetëm një bibël e Kuran që është urdhri i Ramës.”, tha Bardhi.

SI.E./r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Kushtetuesja: 30/09/2025 15:25

    Begaj nuk ka kompetence mbi gjykaten kushtetuese pra gjykata e kthen vendimin ose krijohet precedent i ri

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Erion Veliaj ankimon në Kushtetuese shkarkimin, si e vlerësoni?