TIRANË- Vetëm 5 ditë pas shkarkimit të Erion Veliajt, Këshilli i Ministrave ka njoftuar zyrtarisht Presidentin Bajram Begaj për vakancën në Bashkinë e Tiranës. Në shkresën që mban datën 30 shtator, të cilën Report Tv e disponon, Këshilli i Ministarve me firmë të sekretarit Engjëll Agaçi, njofton kreun e shtetit edhe për vakancat në 5 bashkitë e tjera të vendit, Vlora, Berati, Mati, Cerriku dhe Tepelena.
Nga ky moment, kur shkresa ka mbërritur në tavolinën e Begajt, ky i fundit ka afat 48 orë kohë për të nxjerrë dekretin për zgjedhjet. Pritet me interes vendimi i Begajt, në kushtet kur kryebashkiaku Erion Veliaj ka ankimuar në Gjykatën Kushtetuese vendimin e Këshillit të Ministrave për shkarkimin e tij.
Kjo pasi, ankimi i Veliajt në gjykatën më të lartë në vend, sipas nenit 115 të Kushtetutës pezullon firmën e kryeministrit Rama për shkarkimin e tij, dhe automatikisht bllokon mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme për Bashkinë e Tiranës deri kur gjykata të dalë me një vendim.
Neni 115 i Kushtetutës
Ndodhur në këto kushte, kur Veliaj ka ankimuar shkarkimin, Report Tv dhe Shqiptarja.com u interesuan pranë Gjykatës Kushtetuese për të mësuar nëse kjo e fundit i ka komunikuar ose jo Qeverisë dhe Presidentit faktin se Veliaj ka ankimuar vendimin e Këshillit të Ministrave. Por, Kushtetuesja dha një përgjigje evazive, duke sqaruar se “Gjykata ka bërë publikimin e regjistrimit të kërkesës", duke konsideruar “shpalljen të e barasvlershme me njoftimin publik.” Ndërkohë, nga Presidenca bëjnë të ditur se nuk ka asnjë njoftim nga Gjykata Kushtetuese.
Gjithsesi sido që të jetë vendimmarrja e Begajt, zgjedhjet e pjesshme, sipas ligjit elektoral, mbahen jo më parë se 30 ditë dhe jo më vonë se 45 ditë nga data e njoftimit të ndërprerjes së mandatit. Çka do të thotë se datat e mundshme për mbajtjen e zgjedhjeve janë 3 të dielat, 2, 9 ose 16 nëntor, në varësi se kur do të shpallet dekreti i Begajt.
Tre bashki të vendit, Mati, Tepelena dhe Berati janë pa kryetar, për shkak se kryetarët e tyre, u zgjodhën deputetë nën siglën e PS në zgjedhjet parlamentare të 11 majit. Ndërkohë, Cërriku ka mbetur pa kryetar pasi emërimit surprizë të Andis Sallës në ministrinë e Bujqësisë, ndërsa në Vlora mbeti pa drejtues pas dorëheqjes së Ermal Dredhës.
Njoftimi i Këshillit të Ministrave për vakancën në 6 Bashki të vendit
Kreu i Grupit Parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi komentoi shkresën e qeverisë drejtuar presidentit, të cilin e njofton për vakancën në bashkinë e Tiranës dhe 5 të tjerat. Bardhi tha se Begaj do të veprojë në interes të kryeministrit Rama, por një gjë e tillë do të përbënte një shkelje të rëndë.
“Duhet t’i kujtojmë qytetar se është skenar i paralajmëruar nga kreu i PD në konferencë, ku bëri me dije planin që kishte Rama për të keqpërdorur presidentin dhe shkelur Kushtetutën. Kushtetuta është e qartë, qoftë për organin që vendos për shkarkimin dhe të drejtën e ankimit nga i shkarkuari. Në mënyrë automatike, vendimi i shkarkimit pezullohet. Presidenti që është autoriteti për të shpallur zgjedhjet duhet të verifikojë procedurën para se të konstatojë ekzistencën e vakancës dhe dekretin. Presidenti s’mund të dekretojë datë zgjedhjesh. Nëse më pyet se çfarë bën jo presidenti por Bajram Begaj, besoj se do të bëjë atë që do të urdhërojë Rama. Ka treguar në të shkuarën se nuk pyet as pë Kushtetutë dhe as ligj. Do të ishte shkelje e rëndë në ushtrim të detyrës që sjell përgjegjësi për presidentin e Republikës. “, tha ai.
Bardhi thotë se Gjykata Kushtetuese, në të cilën Erion Veliaj ka depozituar ankim, do të duhet që të njoftim që pezullohet vendimi i shkarkimit të Veliajt, për të shmangur ndonjë përplasje institucionale. Ironizoi edhe më tej Begajn, teksa tha se ka vetëm një “Bibël e Kuran që është urdhri i Ramës”.
“Ky është vendim që do e marrin strukturat e PD, kryesia. Uroj shumë që presdidenti të respektojë kushtetutën. Di që kërkesa përkatëse, edhe pse kam zero interes për fatin e Veliajt, për mua duhej të ishte shkarkuar shumë kohë më parë, por sa kohë ka një proces që e përshkruan Kushtetuta duhet tëe respektohet. Besoj se edhe GJK ka rol për të luajtur në këtë drejtim dhe besoj se duhet të njoftojë dhe atë që ka kushtetuta automatike, pezullimin e vendimit të këshillit të ministrave. Nuk e kam lexuar të plotë përgjigjen e GJK, por procedura e kërkon që në momentin që kërkesa regjistrohet në Gjykatë, automatikisht pezullohet. Në gjykimin tim, edhe për të shmangur një përplasje institucionale, GJK nuk duhet të kursehet vetëm me regjistrimin në regjistër, por duhet të sqarojë se vendimi i Këshillit të Ministrave është pezulluar. Nga Begaj pres ta shpallë Shqipërinë edhe republikë kryeministrore. Ka vetëm një bibël e Kuran që është urdhri i Ramës.”, tha Bardhi.
Komente
