Shkeli kontratën koncensionare, çfarë i ndaloi dhe i lejoi PA TË DREJTË Gjykata kompanisë që 'zhveshi' malin në Kalimash

16 Nëntor 2019, 13:45| Përditesimi: 16 Nëntor 2019, 16:26

  • Share

TIRANË - Kompania koncesionare turke “Illyria Minerals Industry” ka shkaktuar për shumë vite një dëm të konsiderueshëm në burimet natyrore në qarkun e Kukësit. Një gjë e tillë është konstatuar edhe nga inspektoratet përkatëse, duke sjellë fillimin e procesit të revokimit të licencës nga ana e ish-ministrit Damian Gjiknuri në mars 2017. Megjithatë, kompania arriti të sigurojë “dritën jeshile” nga gjykatat dhe vijoi aktivitetin e vet e pashqetësuar, duke vijuar njëkohësisht edhe masakrën e saj mjedisore.Por kompania, e mbrojtur me vendimet e gjykatave, ka shkelur edhe marrëveshjen koncesionare, që kishte lidhur me shtetin.

***

Investigimi vijon nga shkrimi i kaluar (Ekskluzive/ Ja si rropi malin me pyll e kullotë për kromin, kompania turke ndiqet penalisht) - LEXO KETU

Kompania turke koncesionare e kromit dhe bakrit në të vërtetë ka tejkaluar kufirin e përcaktuar në marëveshjen e prillit 2010, të lidhur mes Dritan Priftit, Hasmet Kurum, Zeki Kaya dhe Wang Ying. Report Tv zotëron të plotë këtë marëveshje koncesionare, të lidhur për një afat 35-vjeçar mes ministrisë së Energjetikës dhe dy kompanive “Kurum Energy Resources and Metalurgy” dhe “Sichuan Jiannanchun Grup Co LTD”. Në këtë marëveshje përcaktohen sheshi i punimeve dhe koordinatat e sakta. 6 ditë pasi ishte firmosur marrëveshja koncesionare, më 29 prill 2010 është kryer regjistrimi në qendrën kombëtare të biznesit të kompanisë koncesionare “Illyria Minerals Industry”.

Marreveshja koncensionare

Kjo kompani e ka filluar shumë shpejt punën në terren. Por 7 vite më pas, kur nga pushteti ishte larguar Sali Berisha dhe në vend të tij kishte ardhur kryeministri Edi Rama, ministri i Energjetikës Damian Gjiknuri ka vendosur të revokojë marrëveshjen koncesionare. Në dokumentin që disponon Report Tv, i cili mban datën 15 mars 2017, firmosur nga ministri Damian Gjiknuri, thuhet: “…ju njoftojmë se ka filluar procedura e revokimit të lejës nr.1650 e datës 30 korrik 2010, për mineral kromi në minierën e kromit Kalimash, qarku Kukës. Ju bëjmë me dije se brenda një periudhe 30-ditore nga ky njoftim do merret vendimi për revokimin e lejes minerare në fjalë…”. Më tej në këtë dokument thuhet se:”…marëveshja zgjidhet sepse nuk janë përmbushur detyrimet e përcaktuara në marrëveshjen e konçesionit për realizimin e programit të investimeve dhe prodhimit për objektin “Miniera e Kromit Kalimash”.

Revokimi i lejes

Por vendimi i Gjiknurit për të revokuar marëveshjen koncesionare dhe larguar nga ky territor kompaninë, është kundërshtuar në gjykatën Administrative Tiranë, ku mes firmës “Illyria Minerals Industry” dhe ministrisë së Energjitikës është krijuar një konflikt gjyqësor, që ka zgjatur disa vite. Kompania turke, gjatë procesit gjyqësor, ka kërkuar të mbrojë investimin e saj të bërë gjatë 7 viteve në minierën e Kalimashit, ndërkohë që ministria nëpërmjet juristëve të saj, ka renditur një sërë shkelje të kryera nga kompania koncesionare. Sipas tyre, “Illyria Minerals Industry” nuk ka realizuar masën e investimeve të përcaktuara në nenin 9 të asaj kontrate, ku thuhej se ”…mbi bazën e të dhënave të projektit, investimet që duhet të kryhen nga konçesionari, janë në vlerën prej 2.499.100.000 lekë…” te reja. “Një investim i tillë nuk është kryer nga kompania konçesionare”- pretendon ministria.

Nga ana tjetër, kjo e fundit ka ngritur në gjykatë akuzën se kompania koncesionare nuk ka ndërtuar programin e punimeve sipas përcaktimeve të nenit 10, pasi nuk ka filluar prodhimin në fabrikën e pasurimit të Kalimashit dhe në Golaj. Për më tepër, nuk ka zbatuar kontratën, pasi kompania nuk ka filluar akoma prodhimin e ferro-kromit sipas afatit të përcaktuar në kontratë, që ishte data 23 prill 2013.

Një tjetër pikë që kompania “Illyria Minerals Industry” nuk ka përmbushur është dhe fakti se nuk ka plotësuar detyrimin vjetor për pagesën e tarifës koncesionare në vlerën 101 mijë euro në vit. Ky detyrim në tre vjet sipas ministrisë shkon në 303 mijë euro. Kompania gjithashtu ka shkelur ligjin, duke nënshkruar një marrëveshje bashkëpunimi me minierën e kromit Kalimash, pa marë më parë miratimin e ministrisë së Energjetikës.

Për të gjitha këto shkelje në Gjykatën Administrative të Shkallës së Parë ministria e Energjitikës ka fituar procesin gjyqësor, ku gjykata është shprehur se:“…kontraktuesi mund të tërhiqet në mënyrë të njëanshme nga kontrata administrative me qëllim për të shmangur ose për të ndaluar cënimin e interesit publik,kryesisht kur vihen re shkelje të detyrimeve thelbësore nga ana e kontraktuesit…”.

Por ky vendim në favor të ministrisë së Energjetikës është ankimuar në Apel nga kompania koncesionare “Illyria Minerals Industry” dhe në datën 15 korrik 2019 treshja e gjyqtarëve Arjan Qafa, Altina Nasufi dhe Fjoralba Prifti, kanë vendosur të ndryshojnë vendimin e datës 15 mars 2017 të gjykatës së shkallës së parë dhe të pranojnë pjesërisht pretendimet e kompanisë. Vendimi e ndalon kompaninë të ushtrojë veprimtari të shfrytëzimit të mineralit në minierat Vllahna dhe Golaj, ndësa në minierën e Kromit Kalimash kompania lejohet të vijojë të ushtrojë veprimtarinë e saj. Por, pavarësisht këtij kufizimi, kompania ka kapërcyër kufinjtë e saj ligjorë dhe ka filluar të rrjepë shpatet malore me eskavatorë, terrene që janë në inventarin e bashkisë Kukës dhe ku kompanisë nuk i lejohet të gërmojë tokën.Tashmë është prokuroria e Kukësit që ka marë në dorë hetimin e kësaj çështjeje

Vendimi i Gjykates

Le të shpresojmë që Akuza ta çojë deri në fund hetimin e kësaj dosjeje, duke dënuar një rast skandaloz shkatërrimi barbar të mjedisit me qëllime përfitimi.

G.M.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gazmend D.: 17/11/2019 22:15

    Qeveria i dha këtë projekt një kompanie turke (ju mendoni se cila kompani) një prodhim ambicioz të integruar me një partner strategjik nga Kina. 'Mashtrimi turk' i nxori kinezët sepse turqit donin të bënin 'stil turk' mbi këto burime të vlefshme që përfaqësonin pasuri për qytetarët. Fakti që procesi i vettingu filloi me gjyqtarët ishte një vendim shumë i duhur.

    Përgjigju
  • redi: 16/11/2019 14:18

    Ne rast se keto vendime jane dhene ne kundershtim me kushtet e kontrates se lidhur mes shtetit dhe kesaj kompanie turke te tre gjygjtaret te rrasen ne burg mbi 20 vjet dhe ti konfiskohen het deri tek luget dhe pirunjte. Shteti shqiptar eshte vjedhur nga politikan kriminela dhe gjykates te super korruptuar . Gjici te bej revokim te vendimit te gjykates administrative ne gjykaten e larte ndryshe bastardet e drejtesise do vazhdojne drejtesine antiko mbetare me pasurite e shqiptareve

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?