Shkëndija e Tetovës është gati për një nga sfidat më të rëndësishme të sezonit. Skuadra shqiptare, kampione në Maqedoninë e Veriut, do të përballet sot në orën 20:00 në Shkup me kampionët e Azerbajxhanit, Qarabag, në ndeshjen e parë të raundit të tretë kualifikues të Champions League.
Në prag të kësaj përballje, nga Arena 'Todor Proeski', trajneri Jeton Beqiri dhe kapiteni Besart Ibraimi janë shprehur të vendosur dhe optimistë për një paraqitje dinjitoze.
“Kemi respekt për Qarabagun, por mbi të gjitha respektojmë veten dhe fanellën që përfaqësojmë. Duhet të jemi të fokusuar, agresivë dhe të shfrytëzojmë çdo mundësi. Kjo ndeshje nuk vendos gjithçka, por një rezultat pozitiv do të ishte shumë i rëndësishëm për kthimin”, tha trajneri Beqiri.
Kapiteni Ibraimi shtoi se kanë besim te forcat e tyre si grup.
“Ne besojmë te forcat tona. Qarabagu është një kundërshtar me përvojë, por edhe ne kemi cilësi dhe grup të bashkuar. Do të japim maksimumin për të shkuar më tej”, tha veterani Ibraimi.
UEFA ka përcaktuar edhe skemën e fazës play-off. Fituesi i çiftit Shkëndija - Qarabag do të përballet me fituesin e Ludogorets - Ferencvaros. Nëse shkon në play-off e Champions League, Shkëndija do siguronte edhe 5 milionë euro, veç 5 milionëve që i ka siguruar tanimë deri në këtë fazë.
Në rast eliminimi nga Champions League, Shkëndija do të vijojë rrugëtimin në Europa League, duke u përballur sërish me këtë çift, por me humbësin. Në rastin më të keq, pra duke u eliminuar, Shkëndija për sezonin e ri e ka të sigurt pjesëmarrjen në grupet e Conference League.
Këtë të martë në orën 20:00 Shkëndija e Tetovës, kampione e Maqedonisë së Veriut luan kundër kampiones së Azerbajxhanit, Qarabagut, në sfidën e parë të turit të tretë kualifikues të Champions League.
Tanimë shqiptarët e Tetovës e kanë shkruar historinë, pasi në rastin më të keq e kanë siguruar një vend në grupet e Conference League për sezonin e ri. Objektivi i skuadrës së Jeton Beqirit është faza play-off e Champions League dhe për të shkuar aty duhet kaluar Qarabag.
Nëse kalon azerët, Shkëndija do përballej në play-off me fituesin e çiftit Ludogorets - Ferencvaros. Rrugëtimi për më tej nuk dihet, por ajo që është e sigurt janë fondet që vijnë nga UEFA.
Deri në këtë pikë të turneut, Shkëndija ia ka dalë të shtojë në llogarinë e saj 5 milionë euro për këto arritje të kësaj vere, shumë e akorduar nga UEFA. Nëse ia del të mbërrijë në fazën play-off, Shkëndija do i merrte edhe 5 milionë euro të tjera, që në total do shkonin në 10 milionë euro.
Pra, ndeshja kundër Qarabag nuk luhet vetëm në fushë, por edhe për të ardhurat e klubit. Ky duket një sezon fantastik për kuqezinjtë, që do ketë të ardhura të tjera pasi e kanë të sigurt garimin në Europë.
Komente
