SHKODËR - Dy raste të kultivimit të kanabisit janë goditur nga policia në kuadër të megaoperacionit ‘Territor i pastër’.
Në Postribë janë gjetur dhe asgjësuar 2946 bimë narkotike dhe 1385 fidanë në kubikë. Ndërkohë që ka nisur hetimi për kreun e kësaj njësie administrative, R.M., 34 vjeç.
'-shërbimet e Komisariatit të Policisë Shkodër, në Postribë, gjetën dhe asgjësuan 2946 bimë narkotike dhe 1385 fidanë në kubikë. Në vijim të veprimeve procedurale, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, për kryetarin e njësisë administrative Postribë, shtetasin R. M., 34 vjeç;', thuhet në njoftimin e policisë.
Ndërsa në Velipojë, në fshatin Baks, janë gjetur dhe asgjësuar 290 bimë kanabisi. Si rezultat i veprimeve policore u vu në pranga A.T., 43 vjeç, banues në Velipojë, si i dyshuar kryesor për kultivimin e bimëve në Baks.
'-shërbimet e Stacionit të Policisë Velipojë, në fshatin Baks, gjetën dhe asgjësuan 290 bimë cannabisi. Si rezultat i hetimeve dhe veprimeve profesionale policore, u identifikua, kap dhe u arrestua autori i dyshuar i kultivimit të këtyre bimëve, shtetasi A. T., 43 vjeç., banues në Velipojë.', vijon më tej njoftimi.
Sakaq, vijon puna e policisë për identifikimin dhe nxjerrjen përpara ligjit të autorëve të tjerë të dyshuar si përgjegjës për këtë veprimtari kriminale, teksa megaoperacioni ‘Territor i pastër’ vijon ende.
Lajmi kryesor:
'Territori i pastër' zbulohen parcela kanabisi në Shkodër, Krujë e Vlorë! 3 në pranga, 1 në kërkim, në hetim dhe kryetari i njësisë administrative Postribë
G.K//ReportTv.al