Policia e Shkodrës ka njoftuar këtë të shtunë se ka arrestuar turistin amerikan Brendon Saporito, i cili ditën e djeshme (2 maj 2025), teksa ishte në gjendje të dehur, vrau me thikë bashkëshorten e tij, Sandra Saporito, në një shtëpi me qira në zonën e Gjuhadolit.
“Specialistët për Hetimin e Krimeve ndaj Personit në DVP Shkodër arrestuan shtetasin amerikan B. S., 57 vjeç, për veprën penale “Vrasja për shkak të marrëdhënieve familjare”, pasi: Më datë 02.05.2025, në lagjen “Vasil Shanto”, në një banesë të marrë me qira, dyshohet se në gjendje të dehur, për motive të dobëta, ka dhunuar e goditur me sende të forta dhe me mjet prerës, bashkëshorten e tij shtetasen S. S., 54 vjeçe, e cila si pasojë e dëmtimeve ka humbur jetën në vendin e ngjarjes”,-njofton policia.
Çifti amerikan kishte marrë një banesë me qira në lagjen historike të Shkodrës, Gjuhadol. Mëngjesin e të premtes që lame pas, rreth orës 10:00, Brendon e qëlloi disa herë me thikë partneren në banesë duke i marrë jetën.
Dyshohet se autori i dyshuar i krimit në gjendje të dehur ka goditur 54-vjecaren me thikë dhe më pas ka tentuar t’i japë fund jetës në kushtet e tronditjes psikologjike, duke prerë damarët.
Mësohet se çifti i turistëve ndodheshin në Shqipëri prej pesë ditësh. Nga profili në Facebook i autorit, shihet se kanë hyrë në Rinas më 27 Mars, ndërsa në foton e publikuar, Sandra Saporito shkruan se kanë mbërritur shëndoshë e mirë në Tiranë dhe ndodhen të ulur në ambietet e një bar kafeje. Ata ishin nisur në drejtim të Shqipërisë nga aeroporti i Miamit, në datën 26 mars. Ndërkohë motivet e krimit mbeten të paqarta. Policia bën të ditur se grupi hetimor po punon për zbardhjen e ngjarjes.
Komente
