Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama ishte sot në Durrës (21 prill), në kantierin e një prej komplekseve sportive më të mëdha në vend e rajon, Akademia e Futbollit Dyrrah City, e cila po ndërtohet sipas metodologjisë së akademisë elitë Manchester City Football School.
Punimet në të sapo kanë filluar dhe janë në ndërtim e sipër 8 fushat, që sipas zbatuesve të projektit parashikojnë 4 prej tyre me bar sintetik.
Kompleksi i ri do të jetë i organizuar në tetë fusha futbolli, dy basketbolli, palestra, qendër fizioterapie, rezidencë për sportistët dhe park rekreativ
“Një mundësi e artë për të rinjtë e talentuar, por edhe për futbollistët profesionistë, të cilët tashmë do të mund të stërviten dhe të promovohen përmes saj, në botën e madhe të futbollit”, shprehet kryeministri në video-postimin e llogarisë së tij në rrjetin social Facebook.
Ai ka vizituar nga afër kantierin, duke takuar drejtuesit e projektit dhe të punimeve, të cilët u shprehën të kënaqur me fazën e deritanishme.
Ky projekt ka të parashikuar edhe një park të madh me rrugë ndërlidhëse, sikurse ehde ambiente për aktivitete të ndryshme sportive, si vrapi.
Aktualisht kanë nisur punimet për ndërtimin e dy fushave me bar sintetik.
Ministria e Sporteve dhe Arsimit, Ogerta Manastirliu informoi se afati i komplet projektit është 48 muaj, kurse fushat e para përfundojnë në muajin shtator. E pranishme ishte edhe kryebashkiakia e Durrësit, Emiriana Sako.
Kryeministri sugjeroi ngritjen e nivelit të terrenit për t’iu përshtatur më mirë këtij projekti, gjë që u mbështet edhe nga inxhinieri drejtues i punimeve.
Rama bisedoi edhe me përfaqësuesit e Shkollës së Manchester City, që ndjekin punimet nga afër, duke u informuar për përshtypjet e tyre të deritanishme dhe nëse “kanë gjetur ndonjë talent të ri shqiptar të futbollit”.
“Është një rrugë e gjatë...”, u shpreh kryeministri, që mori edhe pohimet e përfaqësuesit britanik të klubit të njohur të futbollit në Premier League.
Kryeministri u shpreh optimist se punimet dhe inaugurimi mund të bëheshin midis muajit qershor dhe shtator të vitit të ardhshëm.
“Nëse realizohet sistemimi i shtresave tokësore, që janë çereku i punës, ngritja e godinës nuk është e komplikuar, është më e lehtë dhe besoj se përfundon më shpejt”, u shpreh Rama, duke bërë edhe batuta për Champions League.
Një prej teknikëve pohoi se pjesa më e vështirë mbeten pikërisht shtresat në këtë zonë ish-kënetore.
Komente
