Report Tv ka siguruar dëshminë e plotë të shoferit Hasan Salihu, i cili kishte shkuar për të marrë konteinerin me banane në Portin e Durrësit, ku u gjetën 119 kilogramë kokainë. Salihu ka deklaruar se është ndaluar nga 4 persona të maskuar, të cilët kanë kryer në kontenierin me banane një kontroll për rreth 30 minuta. Ai ka thënë se 1 prej tyre dukej me dialekt nga Shkodra dhe 3 të tjerët nga jugu. Salihu tha se ato ishin të moshës 35-40 vjeç, të veshur me rroba të zeza dhe të maskuar me kapuç, e fytyrën e kishin mbuluar me golf të zi. Shoferi nuk njoftoi policinë, por përfaqësuesit e firmës, të cilët që prej datës 28 dhjetor në vend të merrnin policinë e futën kamionin në magazinë. Salihu thotë se nuk e ka njoftuar policinë, pasi kishte frikë nga këta 4 persona, të cilët i kanë thënë se do të zhdukim ty edhe familjen tënde por mos u dëgjo.
Për hetuesit veprimet e shoferit të kamionit Hasan Salihu shihen të dyshimta dhe ndaj tij tashmë është vendosur një masë sigurie arrest në qeli. Salihu nga njëra anë deklaron se u kërcënua me jetë për të mos njoftuar policinë, por rezulton se ka njoftuar menaxherin Marson Murataj i cili po ashtu tashmë është në qeli. Ende është mister fakti se si është e mundur që skaneri nuk ka zbuluar asgjë edhe pse brenda në kamion ishin 100 pako kokainë. Gëzim Kalaja është personi i tretë i arrestuar i cili thotë se nuk ka asnjë dijeni për çfarë ka ndodhur, por është telefonuar nga pronari Trifon Murataj dhe me stafin kanë bërë një mbledhje online në zyrat e kompanisë. Gjykata la në burg 3 të arrestuarit nga operacioni Marson Murataj, Gëzim Kalaja dhe Hasan Salihun. Kontejneri me banane u nis nga Ekuadori dhe kaloi tranzit në Itali për të ardhur në Durrës.
Dëshmia e plotë
Salihu: Të drejtat e mia i kuptova dhe në prezencë të mbrojtësit tim Elton Hyseni unë do të jap këto shpjegime si më poshtë: Jetoj në adresën e mësipërme se bashku me familjen time e cila përbëhet nga bashkëshortja dhe 5 fëmijë. Aktualisht kam rreth 14 vjet që punoj si shofer në kompaninë ZIKO SHA" dhe me këtë kompani transportoj banane dhe mish të cilën e marr nga porti i Durrësit dhe e sjell te magazinat në Vaqarr ku i ka kjo kompani. Në date 28.12.2021 rreth orës 05:30 kam dalë nga banesa dhe pasi kam çuar nusen në punë në Kombinat kam shkuar me pas në punë në Vaqarr dhe kam marrë trajlerin me targa AA 126 RE dhe karrocën ABR604 dhe kam shkuar në portin e Durrësit ku kam marrë një kontenjer me banane të cilin e solla te magazinat rreth 11:00 ku pasi kam shkarkuar rreth 2 orë jam nisur përsëri për Durrës për rrugën e dytë do merrja një kontenjer me banane përsëri në port. Nga Vaqarr jam nisur për të bërë rrugën e dytë rreth ores 13:30-14:00 dhe kam shkuar në portin e Durrësit. Pasi kam shkuar në port kam lënë kontenjerin bosh dhe jam futur të merrja kontenjerin plot. Pasi preva fletën e skanerit te dogana jam nisur me kontenjerin dhe trajlerin me targa AA 126 RE dhe karroceri ABR604 për në skanim të kontenjerit dhe mjetit. Kam dorëzuar letrat aty dhe kam bërë skanimin kam pritur rreth 30 minuta për letrat e doganës dhe pasi më ka dhënë fletë daljen.
Jam nisur për Tiranë rreth orës 17:30 dhe kam dale në Shkozet - Katër rrugët e Shijakut - te vila Gold dhe u futa rrugës së vjetër për nga Ndroqi për të shkuar në magazina në Vaqarr. Duke ikur rrugës, në karburant Kastrati në Romanat kam ulur shpejtësinë se është trafik dhe për një moment kam parë se para makinës trajler më kanë dalë 4 veta të cilët ishin të moshës 35-40 vjeç të veshur me rroba të zeza dhe të maskuar me kapuç dhe me një bluz golf të zi, kishin mbuluar fytyrën. Këta persona pas më dolën para makinës me zunë në rrugë më thanë 'jemi shteti, hape krahun këtu dhe në sediljen e parë të pasagjerit më ka hipur njëri. Në këtë situatë unë kam hapur krahun në hyrje të një karburanti, dhe një nga këto 4 persona me tha 'mbylle gojën ose do të zhduk me gjithë familjen, po e hape gojën'.
Tre personat e tjerë kanë bërë kontroll në konteiner, kanë hapur derën dhe janë futur brenda në konteiner ku kanë bërë kontroll për 30 minuta. Më pas kanë zbritur ky personi që ishte në kabinë dhe të 4 janë larguar në drejtim të rrugës nacionale për Durrës. Unë kam zbritur nga makina dhe pashë gomat e krahut të pasagjerit që ishin gati si të rëna dhe kam shkuar te dera e konteinerit dhe kam parë që arkat me banane i kishin lëvizur dhe pasi i kam sistemuar kam mbyllur derën dhe më goma të rëna jam nisur në drejtim të karburant "Shaba Oil", mos gaboj.
Aty te ky karburant kam hapur krahun se kishte ndriçim dhe kam njoftuar përgjegjësin të më sillnin goma. Përgjegjësit Edi Shkreta me ka thënë se gomën po ta sjellë një shofer tjetër i furmës Gësim Kalaja. Duke pritur aty rreth 2 orë ka ardhur Gëzim Kalaja, më ka sjellë dhomën dhe i kemi kërkuar një gomisti nga Durrësi të na ndërronte gomën. Pasi kam ndërruar gomën jam nisur së bashku me shtatasin Gëzim Kalajna në drejtim të magazinave në Vaqarr ku kam shkuar rreth orës 21:30. Pasi kam parkuar makinën kam shkuar në shtëpi i stresuar, Pasi kam folur atë natë në mëngjes i kam rënë në telefon shtetasit Marson Murataj dhe ishte gjumë.
Më pas kam shkuar e kam prit te shtëpia se ka dalë dhe i kam thënë se kështu ndodhi mbremë siç e përshkrova më lart dhe ata personat e mbrëmshëm më thanë se po fole do të zhdukim me të gjithë familjen. Më pas me menaxherin Marson Murataj kam shkuar te pika në Vaqarr dhe më par mua më ka dhënë urdhër të shkoja në shtëpi të pushoj. Sot me datën 30.12.2021 më kanë njoftuar të paraqitesha në punë në Vaqar ku edhe erdha.
Pyetje: A mund të na përshkruash personat që të ndaluan më çfarë automjeti ishin dhe çfarë dialekti kishin?
Salihu: E thashë dhe me lart ishin 4 persona të moshës rreth 35-40 vjeç të veshur me të zeza si sportive njeri ishte i gjatë rreth 180 cm dhe tre të tjerët më të shkurtër dhe nuk e pashe se me çfarë makine ishin dhe se nga erdhën unë kisha ndaluar në trafik dhe ata me dolën para më thanë "Jemi shtet do se kontrollojmë" dhe me kontrolluan siç e përshkrova me lart. Me sa kam dëgjuar njeri ishte me dialekt nga zona e Shkodrës dhe tre të tjerët si nga jugu. Me njërin që ka hipur te sedilja e parë kam komunikuar, ata të tjerë kanë bërë kontroll të kontejnerit.
Pyetje: Çfarë të thanë, përse kontrolluan kontejnerin, çfarë kërkonin?
Salihu: Nuk e di pse e kontrollonin dhe çfarë kërkonin nuk më dhanë shpjegime vetëm më thanë se 'Jemi shteti do bëjmë kontroll'.
Pyetje: Përse nuk njoftove policinë në lidhje me këtë ngjarje që në datë 27.12.2021
Salihu: Kisha shumë frikë nga këta persona se mos më ndiqnin!
Pyetje: Brenda në kontenjer është gjetur një elektrik me bateri si dhe kjo sasi e dyshuar lënde narkotike të llojit kokainë, si e shpjegon këtë fakt?
Salihu: Nuk kam lidhje as me elektrikun dhe as me drogën që është gjetur aty.
N.q.s fytyren e kishin te mbuluar,si ke qene ne gjendje t'ju percaktosh moshen?
Përgjigju