Ministria e Kulturës ka reaguar pas denoncimit të studiuesit Auron Tare për ndërtimin e një lavazhi automjetesh pranë Shpellës së Spilesë në qendër të Himarës, monument kulture.
Siç Report Tv e transmetoi një ditë më parë, Drejtoria Rajonale e Trashëgimisë Kulturore Vlorë, por edhe Ministria e Kulturës thotë se pretendimet se shpella po kthehet në një lavazh pa leje nuk qëndrojnë. Pasi, lavazhi ndodhet disa metra larg objektit dhe e cenon monumentin e kulturës.
Ndërkohë, objekti i cili ende nuk është i hapur për vizitorët, shumë shpejt pritet ti nënshtrohet projektit rijetëzues.
Në një reagim për mediat, Ministria thotë se kjo shpellë është në listën e objekteve që do të rijetëzohet dhe ndërhyrjet parashikohet të nisin në periudhën shtator-tetor.
Ministria sqaron se ndërhyrjet funksionale të parashikuara përfshijnë vendosjen e rrethimit mbrojtës, instalimin e paneleve informuese dhe ndriçimin dekorativ. “Asnjë lavazh, parkim apo zaptim abuziv, asgjë që cenon statusin e saj të mbrojtjes, nuk do të tolerohet”, thekson Ministria në deklaratë duke shtuar se projekti për rijetëzimin do të respektojë standardet e mbrojtjes dhe ruajtjes së saj.
Deklarata e plotë
Ministria e Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit informon se, falë marrëveshjes së bashkëpunimit për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë kulturore mes MEKI, Fondit Shqiptar të Zhvillimit dhe Bashkisë Himarë, janë miratuar disa projekte ndërhyrjesh për rijetëzim, mes tyre edhe për Shpellën e Spilesë në Himarë.
Theksojmë se Shpella e Spilesë është një Monument Kulture i Kategorisë së Parë dhe çdo ndërhyrje kryhet vetëm mbi bazën e miratimit nga institucionet përgjegjëse të trashëgimisë kulturore, duke respektuar standardet më të larta të mbrojtjes dhe ruajtjes së saj.
Ndërhyrjet funksionale të parashikuara përfshijnë vendosjen e rrethimit mbrojtës, instalimin e paneleve informuese, dhe ndriçimin dekorativ.
Asnjë lavazh, parkim apo zaptim abuziv, asgjë që cenon statusin e saj të mbrojtjes, nuk do të tolerohet!
Pamjet që po qarkullojnë në media dhe rrjete sociale si pretendim se Shpella e Spilesë po kthehet në një “lavazh” apo pronë private nuk qëndrojnë. Përkundrazi, ajo do të rikualifikohet sipas projektit të miratuar nga Këshilli Kombëtar i Trashëgimisë Kulturore Materiale. Për ndërhyrjet në afërsi të shpellës, me mbështetjen e pushtetit vendor dhe organeve ligjzbatuese do të ketë rikualifikime urbane e rikuperime që do të përmirësojnë kontekstin territorial duke evokuar vlerat turistike të zonës.
Ndërhyrjet parashikohet të nisin në periudhën shtator-tetor.
Komente

Z.Tare nuk ka bere denoncim te plote.Anash lavazh e siper cfare eshte ndertuar,pallat,hotel,rezort?! Dhe te mos harrohet materiali i shkembit eshte karstik dhe sa eshte zgavruar per themelet nen ate ndertese.Nje dite te bukur,shkembi mund te shembet dhe ndertesa siper mund te perfundoje brenda ne shpelle.
Përgjigju