Kronikë

Shpërthim me tritol në një apartament në Elbasan, pronari inskenoi ngjarjen që të përfitonte azil në BE! Arrestohet duke u arratisur, nipi rrëfeu skemën (EMRI+VIDEO)

1 Maj, 07:07| Përditesimi: 1 Maj, 15:32

  • Share

Një shpërthim me lëndë plasëse është shënuar gjatë natës në një apartament në qendër të Elbasanit. Në momentin e shpërthimit nuk ka pasur persona brenda banesës, dhe ka vetëm dëme materiale. 

Policia zbuloi nga hetimet se bëhet fjalë për një inskenim shpërthimi nga ana e vetë pronarit Arbër Pepa, i cili u arrestua në përpjekje për t'u arratisur nga vendi, me destinacion Greqinë.

I shoqëruar është edhe nipi i tij, i akuzuar se bashkëpunoi në ngjarje. Skema e inskenimit është rrëfyer po nga nipi pas shoqërimit, duke treguar edhe lokalitetin e xhaxhait të tij dhe kapjen pas mesnatës (midis natës së 30 prillit dhe mëngjesit të 1 majit).

"Rreth orës 00:05, të datës 01.05.2025, në lagjen "Partizani", në katin e parë të banesës së shtetasit A. P., dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse, gjatë kohës që në banesë nuk ka pasur njeri. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet me qëllim zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.", njofton policia. 

Burime zyrtare për gazetarin Ronaldo Gjoshi bëjnë me dije se tritoli i vendosur në banesën në lagjen "Partizani" është ideuar nga vetë pronari i banesës Arbër Pepa. Në bashkëpunim me nipin e tij kanë vendosur tritolin me qëllim përdorimin e ngjarjes si arsye për të përfituar azil në vendet e BE.

Policia e Elbasanit zbardhi edhe detaje nga operacioni i koduar "Inskenimi" dhe pamje të arrestimit të Pepës, teksa informacionet e mbledhura edhe nga inteligjenca informative ndihmuan në zbulimin e shpejtë të autorëve dhe motiveve.

Arbër Pepa ka kaluar kufirin për Greqi pak para mesnate së bashku me gruan dhe fëmijën. Në atë moment, nipi ka vendosur tritolin. Policia konfirmon se po heton këtë pistë. 

Ora 15:19
Shpërthimi në Elbasan, Policia zbardh detajet dhe pamjet e operacionit ‘Inskenimi’: Arrestuam xhaxhain dhe nipin, informacione edhe nga inteligjenca informative! (VIDEO)

 

Policia e Elbasanit zbardhi detaje nga ngjarja e ndodhur mesnatën e djeshme në lagjen “Partizani”, ku pati shpërthim tritoli në një banesë dhe aktualisht janë të arrestuar si autorë për inskenim xhaxhai dhe nipi i tij.

Gjithashtu u publikuan edhe pamje nga momenti i arrestimit të Arbër Pepës gjatë operacionit të koduar “Inskenimi”, i cili kishte qëllim marrjen e azilit me familjen në Greqi, duke porositur eksplozivin në banesën e tij.

Policia sqaron se përveç 43-vjeçarit Pepa u prangos edhe nipi i tij,. E.T., 18 vjeç, që e ndihmoi, i cili gjithashtu pas shoqërimit tregoi skemën për hetuesit.

Njoftimi i Policisë së Elbasanit:

“Vendosi lëndë eksplozive para banesës së tij me qëllim përfitimin e azilit, policia brenda pak orësh zbardhi ngjarjen dhe vuri në pranga autorin. Në pranga dhe nipi që ndihmoi 43-vjeçarin, për të inskenuar ngjarjen. 

Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Elbasan, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në mesnatë, në lagjen "Partizani", organizuan punën për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, në kuadër të operacionin policor të koduar "Inskenimi", u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve.
 
Po në vijim të operacionit u bë arrestimi për veprat penale "Shkatërrimi i pronës me eksploziv" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit", i shtetasve A. P., 43 vjeç, i zoti i banesës ku shpërtheu lënda plasëse dhe E. T., 18 vjeç, nipi i tij. 

Shtetasi A. P., dyshohet se ka vendosur lëndë eksplozive para banesës së tij në bashkëpunim me nipin, shtetasin E. T., me qëllim përfitimin e azilit në një nga vendet e BE-së. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”.

Ora 14:12
Inskenuan shpërthimin me tritol në Elbasan, Policia arreston Arbër Pepajn dhe nipin e tij! Xhaxhai po largohej nga Shqipëria, ja si u zbulua

1746101715_elbasan.jpg

Banesa ku ndodhi shpërthimi

Policia e Elbasanit konfirmoi se ka arrestuar të dyshuarin kryesor për inskenimin e shpërthimit të fuqishëm të tritolit në banesë mesnatën e djeshme (30 prill).

I arrestuari është Arbër Pepa. Nën akuzë edhe nipi i tij, që dyshohet se është i implikuar në vendosjen e lëndës plasëse.

Pepa mësohet sipas burimeve të Report Tv se ka qenë duke u larguar nga Shqipëria kur është identifikuar, lokalizuar dhe prangosur. 

Sipas hetimeve, tritoli në lagjen “Partizani” është ideuar nga vetë pronari i banesës Arbër Pepa. Ky i fundit, në bashkëpunim me nipin e tij kanë vendosur tritolin me qëllim përdorimin e ngjarjes si arsye për të përfituar azil në vendet e BE.

Pepa ka tentuar të kalonte kufirin për Greqi pak para mesnatës së bashku me gruan dhe fëmijën. Rrëfimi i nipit për hetuesit ka zbardhur dinamikën dhe rrethanat, si dhe lokalizimin dhe kapjen e tij.

Ora 13:13
Shpërthimi në apartamentin në Elbasan, flasin banorët e pallatit: Na janë dëmtuar xhamat, u duk si një bombë

 

Nga shpërthimi me tritol në apartamentin në lagjen "Partizani" në Elbasan, kanë pësuar dëme materiale edhe banesat e tjera të pallatit. Banorët tregojnë se xhamat e dritareve janë thyer, ndërsa rrëfejnë edhe momentin e ngjarjes. Një fqinje tha se zhurma ishte shumë e fortë dhe se nuk e di arsyen pse ka ndodhur. 

"Dëgjuam një krismë shumë e fortë, thamë çfarë u bë kështu. Kishim frikë të ndiznim dritat. Jam në kat të dytë. Xhamat janë dëmtuar. Këtu poshtë jeton burri, me gruan dhe fëmijën. Por ikën në aksham. E kanë shtëpinë e tyre. Këtu afër jeton e ëma me të vëllain. Neve nuk kemi dëgjuar që të jenë problematikë. Nuk e dimë se si ndodhi kjo gjë."

Një burrë, teksa tregon dëmet në dritare, tha se shpërthimi u duk si një bombë. 

"Një shpërthim i fuqishëm xhamat ranë në tokë. Është një i katit të parë, se atij ia kanë vendosur qëllimisht. Ishin edhe ekspertët e kriminalistikës. Isha në shtëpi me gruan dhe djalin. U trembëm se ishte e fuqishme, si një shpërthim bombe. "

Një tjetër fqinje thekson se mendoi se kishte plasur ndonjë bombë. 

"Thashë se plasi diçka në lagjen tonë. Të tundet shtëpia në atë farë feje. Ka rënë tërmet dhe nuk është tundur shtëpia ashtu. Unë thashë se mos ka plasur ndonjë bombë. Aq u tremba sa s’ka ku shkon. I thashë tim shoq ça bëri vaki. "

Sakaq, policia dyshon se ngjarja është inskenuar nga vetë pronari i banesës Arbër Pepa së bashku me nipin e tij. Dyshimet janë se synonte që të përfitonte azil në vendet e BE. 

Xh.D/A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Ani: 01/05/2025 14:30

    Gabel

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    1 maji, sa respektohen të drejtat e punëtorëve në Shqipëri?