Policia e Elbasanit zbardhi detaje nga ngjarja e ndodhur mesnatën e djeshme në lagjen “Partizani”, ku pati shpërthim tritoli në një banesë dhe aktualisht janë të arrestuar si autorë për inskenim xhaxhai dhe nipi i tij.
Gjithashtu u publikuan edhe pamje nga momenti i arrestimit të Arbër Pepës gjatë operacionit të koduar “Inskenimi”, i cili kishte qëllim marrjen e azilit me familjen në Greqi, duke porositur eksplozivin në banesën e tij.
Policia sqaron se përveç 43-vjeçarit Pepa u prangos edhe nipi i tij,. E.T., 18 vjeç, që e ndihmoi, i cili gjithashtu pas shoqërimit tregoi skemën për hetuesit.
Njoftimi i Policisë së Elbasanit:
“Vendosi lëndë eksplozive para banesës së tij me qëllim përfitimin e azilit, policia brenda pak orësh zbardhi ngjarjen dhe vuri në pranga autorin. Në pranga dhe nipi që ndihmoi 43-vjeçarin, për të inskenuar ngjarjen.
Strukturat hetimore të Komisariatit të Policisë Elbasan, menjëherë pas ngjarjes së ndodhur në mesnatë, në lagjen "Partizani", organizuan punën për zbardhjen dhe dokumentimin ligjor, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve. Si rezultat i veprimeve të shpejta hetimore, bazuar dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca informative, në kuadër të operacionin policor të koduar "Inskenimi", u bë e mundur zbardhja e ngjarjes dhe identifikimi i autorëve.
Po në vijim të operacionit u bë arrestimi për veprat penale "Shkatërrimi i pronës me eksploziv" dhe "Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municionit", i shtetasve A. P., 43 vjeç, i zoti i banesës ku shpërtheu lënda plasëse dhe E. T., 18 vjeç, nipi i tij.
Shtetasi A. P., dyshohet se ka vendosur lëndë eksplozive para banesës së tij në bashkëpunim me nipin, shtetasin E. T., me qëllim përfitimin e azilit në një nga vendet e BE-së. Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, për veprime të mëtejshme”.
Lajmi kryesor:
Shpërthim me tritol në një apartament në Elbasan, pronari inskenoi ngjarjen që të përfitonte azil në BE! Arrestohet duke u arratisur, nipi rrëfeu skemën (EMRI+VIDEO)
A.Q/I.M/ReportTv.al
