Një shpërthim me lëndë plasëse është shënuar gjatë natës në një apartament në qendër të Elbasanit. Në momentin e shpërthimit nuk ka pasur persona brenda banesës, dhe ka vetëm dëme materiale.
"Rreth orës 00:05, të datës 01.05.2025, në lagjen "Partizani", në katin e parë të banesës së shtetasit A. P., dyshohet se ka shpërthyer një sasi e vogël lënde plasëse, gjatë kohës që në banesë nuk ka pasur njeri. Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme materiale. Grupi hetimor nën drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet me qëllim zbardhjen e rrethanave, identifikimin dhe kapjen e autorit/ve.", njofton policia.
Burime zyrtare për gazetarin Ronaldo Gjoshi bëjnë me dije se tritoli i vendosur në banesën në lagjen "Partizani" është ideuar nga vetë pronari i banesës Arbër Pepa. Në bashkëpunim me nipin e tij kanë vendosur tritolin me qëllim përdorimin e ngjarjes si arsye për të përfituar azil në vendet e BE.
Arbër Pepa ka kaluar kufirin për Greqi pak para mesnate së bashku me gruan dhe fëmijën. Në atë moment, nipi ka vendosur tritolin. Policia konfirmon se po heton këtë pistë.
Nga shpërthimi me tritol në apartamentin në lagjen "Partizani" në Elbasan, kanë pësuar dëme materiale edhe banesat e tjera të pallatit. Banorët tregojnë se xhamat e dritareve janë thyer, ndërsa rrëfejnë edhe momentin e ngjarjes. Një fqinje tha se zhurma ishte shumë e fortë dhe se nuk e di arsyen pse ka ndodhur.
"Dëgjuam një krismë shumë e fortë, thamë çfarë u bë kështu. Kishim frikë të ndiznim dritat. Jam në kat të dytë. Xhamat janë dëmtuar. Këtu poshtë jeton burri, me gruan dhe fëmijën. Por ikën në aksham. E kanë shtëpinë e tyre. Këtu afër jeton e ëma me të vëllain. Neve nuk kemi dëgjuar që të jenë problematikë. Nuk e dimë se si ndodhi kjo gjë."
Një burrë, teksa tregon dëmet në dritare, tha se shpërthimi u duk si një bombë.
"Një shpërthim i fuqishëm xhamat ranë në tokë. Është një i katit të parë, se atij ia kanë vendosur qëllimisht. Ishin edhe ekspertët e kriminalistikës. Isha në shtëpi me gruan dhe djalin. U trembëm se ishte e fuqishme, si një shpërthim bombe. "
Një tjetër fqinje thekson se mendoi se kishte plasur ndonjë bombë.
"Thashë se plasi diçka në lagjen tonë. Të tundet shtëpia në atë farë feje. Ka rënë tërmet dhe nuk është tundur shtëpia ashtu. Unë thashë se mos ka plasur ndonjë bombë. Aq u tremba sa s’ka ku shkon. I thashë tim shoq ça bëri vaki. "
Sakaq, policia dyshon se ngjarja është inskenuar nga vetë pronari i banesës Arbër Pepa së bashku me nipin e tij. Dyshimet janë se synonte që të përfitonte azil në vendet e BE.
Komente
