Kronikë

Shpërthim me lëndë plasëse në burgun e Fushë-Krujës, dy pistat e hetimit! Mesazh drejtuesve ose tentativë arratisje (VIDEO)

28 Maj, 23:09| Përditesimi: 29 Maj, 11:38

  • Share

Fushë-Krujë- Një shpërthim ka ndodhur brenda rrethimit të burgut të Fushë-Krujës mbrëmjen e së mërkurës. Ngjarja u shënua rreth orës 22:45 ndërsa dyshohet se është tentuar që të dëmtohet gjeneratori, i cili ndodhet në këtë burg. Sasia e vogël e lëndës plasëse e hedhur nga autori nga jashtë oborrit rezulton të jetë artizanale me nitrat.

Nga shpërthimi nuk ka pasur të lënduar apo dëme materiale. Hetimet janë përqendruar në dy pista: një mesazh për drejtuesit e burgut apo tentativë për të krijuar zhurmë për tentativë arratisje. Sot janë thirrur dy nga grupet e gatshme dhe pritet që në orët në vijim të ketë një aksion kontrolli në burg nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve. Aktualisht janë mbi 350 persona në këtë burg por vetëm pak prej tyre janë në sigurinë e lartë, ndërkohë që institucioni drejtohet nga drejtori Apostol Luca.

Në vendin ku e ka hedhur autori lëndën plasëse nuk ka survejim të mirë me kamera sigurie, dhe nuk dallohet momenti i hedhjes dhe as autori, por po bëhet hapja e plotë e kamerave. Disa orë pas ngjarjes, nga pamjet që sjell Report TV, duket se puna vazhdon normalisht në burg.

Fillimisht në polici mbërriti një telefonatë se brenda rrethimit të burgut është dëgjuar një zhurmë e fuqishme, ndërsa në vendin ku ka ndodhur shpërthimi ndodhen disa gjeneratorë dhe kabina elektrike. Shpërthimi është dëgjuar nga ana e administratës së burgut. Megjithatë, ndërsa kanë kaluar disa orë, ende nuk dihet motivi i saktë.

Policia nuk ka dhënë detaje të tjera, ndërkohë që i vetmi njoftim mbetet ai i mbrëmshmi pak pas ngjarjes.

'Krujë/Informacion paraprak. Rreth orës 22:45, ka ardhur një telefonatë në sallën operative të DVP Tiranë, se është dëgjuar një shpërthim brenda perimetrit  të IEVP Fushë-Krujë. Nga shpërthimi nuk ka persona të lënduar dhe as dëme materiale', njoftoi policia.

Grupi hetimor dhe shërbimet e policisë po punojnë për sqarimin e rrethanave të plota të këtij shpërthimi.

Ora 10:26
Shpërthimi në burgun e Fushë-Krujës, Drejtoria e Burgjeve: Nuk u cenua siguria e të dënuarve dhe paraburgosurve

1748507255_1747651037drejtoriaeburgjeve.jpg

Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve ka reaguar për shpërthimin e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në rrethimin e burgut të Fushë-Krujës. Drejtoria e Burgjeve thotë se pranë gjeneratorit është konstatuar një gropë, që hedh dyshime se shpërthimi është shkaktuar nga një sasi lënde plasëse.

Sipas drejtorisë, shpërthimi nuk ka cenuar siguria e të paraburgosurve apo të dënuarve. Sakaq, janë administruar pamjet filmike dhe po shihen edhe kamerat në rrugët përreth për të identifikuar autorin/autorët.

Njoftim për mediat

Rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, në ambientet e IEVP Fushë-Krujë është dëgjuar një shpërthim brenda rrethimit. Menjëherë pas ngjarjes, janë njoftuar strukturat përkatëse: Policinë e Shtetit, Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe Prokurorinë.

Nga verifikimet paraprake në vendin e ngjarjes, është konstatuar një gropë në tokë pranë zonës ku ndodhet gjeneratori, duke ngritur dyshime se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një sasi e dyshuar lënde plasëse. Nga shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar dhe nuk ka dëme materiale.

Grupet hetimore ndodhen në ende në terren dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e autorëve të mundshëm.

Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se lënda plasëse është hedhur në zonën e rrethimit të jashtëm, pranë rrugës kryesore. Kjo zonë nuk ndikon dhe nuk cenon sigurinë apo jetën brenda perimetrit të brendshëm të të dënuarve dhe të paraburgosurve.

Pamjet filmike të sigurisë janë administruar dhe janë marrë në cilësinë e provës materiale nga grupi hetimor. Gjithashtu, po mblidhen pamje edhe nga kamerat e sigurisë në rrugët përreth, për të ndihmuar në identifikimin e autorëve.

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve garanton siguri brenda regjimit të banuar nga të paraburgosurit dhe të dënuarit.

S.B/SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Turi: 29/05/2025 07:43

    Ajo zone prodhon vetem terrorista , vetem xhaxhi jua dinte kodin atyre eggersirave i kishte ber si pula

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Kuvendi, si e vlerësoni punën e legjislaturës që po mbyllet?