Drejtoria e Përgjithshme e burgjeve ka reaguar për shpërthimin e ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në rrethimin e burgut të Fushë-Krujës. Drejtoria e Burgjeve thotë se pranë gjeneratorit është konstatuar një gropë, që hedh dyshime se shpërthimi është shkaktuar nga një sasi lënde plasëse.
Sipas drejtorisë, shpërthimi nuk ka cenuar siguria e të paraburgosurve apo të dënuarve. Sakaq, janë administruar pamjet filmike dhe po shihen edhe kamerat në rrugët përreth për të identifikuar autorin/autorët.
Njoftim për mediat
Rreth orës 21:00 të mbrëmjes së djeshme, në ambientet e IEVP Fushë-Krujë është dëgjuar një shpërthim brenda rrethimit. Menjëherë pas ngjarjes, janë njoftuar strukturat përkatëse: Policinë e Shtetit, Shërbimin e Kontrollit të Brendshëm të Burgjeve dhe Prokurorinë.
Nga verifikimet paraprake në vendin e ngjarjes, është konstatuar një gropë në tokë pranë zonës ku ndodhet gjeneratori, duke ngritur dyshime se shpërthimi mund të jetë shkaktuar nga një sasi e dyshuar lënde plasëse. Nga shpërthimi nuk ka asnjë person të lënduar dhe nuk ka dëme materiale.
Grupet hetimore ndodhen në ende në terren dhe po punojnë për zbardhjen e plotë të rrethanave të ngjarjes, si dhe për identifikimin e autorëve të mundshëm.
Nga të dhënat e deritanishme, rezulton se lënda plasëse është hedhur në zonën e rrethimit të jashtëm, pranë rrugës kryesore. Kjo zonë nuk ndikon dhe nuk cenon sigurinë apo jetën brenda perimetrit të brendshëm të të dënuarve dhe të paraburgosurve.
Pamjet filmike të sigurisë janë administruar dhe janë marrë në cilësinë e provës materiale nga grupi hetimor. Gjithashtu, po mblidhen pamje edhe nga kamerat e sigurisë në rrugët përreth, për të ndihmuar në identifikimin e autorëve.
Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve garanton siguri brenda regjimit të banuar nga të paraburgosurit dhe të dënuarit.
Lajmi kryesor:
Shpërthim me lëndë plasëse në burgun e Fushë-Krujës, dy pistat e hetimit! Mesazh drejtuesve ose tentativë arratisje (VIDEO)
Xh.D/SI.E./ReportTv.al