Këshilli Lartë Gjyqësor ka reaguar në lidhje me sulmin e ndodhur ndaj gjyqtarit Tonin Sterkaj, në Shkodër, ku në hyrje të shtëpisë së tij, rreth orës 03:13, të 28 prillit 2024, shpërtheu një sasi lënde plasëse.
Përmes një deklarate të publikuar në rrjetin social “Facebook”, KLGJ dënon aktin kriminal dhe i kërkon autoriteteve përkatëse zbardhjen e ngjarjes dhe nxjerrjen para përgjegjësisë të autorëve.
Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve.
“Duke marrë shkas nga informacionet e përcjella nga media e shkruar dhe vizive si edhe bazuar në informacionin paraprak të Policisë, ditën e sotme lidhur me ngjarjen e ndodhur në banesën e magjistratit z. Tonin Sterkaj, me funksion gjyqtar në Gjykatën e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, Këshilli i Lartë Gjyqësor përcjell shqetësimin për këto akte që cenojnë rëndë sigurinë e gjyqtarit dhe përbëjnë kërcënim serioz për gjithë shoqërinë shqiptare.
Këshilli i Lartë Gjyqësor dënon aktin kriminal dhe i kërkon organit të akuzës hetimin, zbardhjen e ngjarjes dhe të nxjerrë para përgjegjësisë ligjore personat e përfshirë.
Këshilli i Lartë Gjyqësor i shpreh mbështetjen të gjithë gjyqtarëve të sistemit gjyqësor për të garantuar sigurinë e tyre, në mënyrë që të ushtrojnë detyrën pa frikën e kërcënimeve, pasi respektimi i funksionit dhe dinjitetit të tyre, është parakusht për një proces të rregullt ligjor, për një sistem drejtësie efektiv dhe efikas, por edhe për funksionimin normal të shtetit të së drejtës|,-thuhet në deklaratën e KLGJ-së.
Lajmi kryesor:
Tritol në banesën e gjyqtarit të Shkodrës, Tonin Sterkaj! Kamerat filmuan autorin! Hetimi: Shkak detyra, KLGJ vendos nesër për mbrojtjen (VIDEO + FOTO)
K.M/ReportTv.al