Lulzim Basha ka reaguar lidhur me shpërthimin në Zubin Potok, teksa u sulmua rrjeti i ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë. Basha dënon me forcë këtë akt terrori dhe kërkon menjëherë zbardhjen e saj.
Sipas tij, duke marrë parasysh edhe sulmin me granatë dore në komunën e Zveçanit, tregon se qëndron një skenar destabiluzues prapa.
'Dënoj me forcë aktin e terrorit në Zubin Potok dhe mbështes e inkurajoj institucionet e Kosovës që të hetojnë dhe zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë kriminale.
Sulmet ndaj infrastrukturës jetike, që penalizojnë qytetarët në furnizimin me ujë dhe energji, janë vepra terroriste të frymëzuara nga ata që duan me çdo kusht tensione dhe destabilizim në rajon. Ky sulm, që pason dy të tjerët në stacionin policor të Zveçanit dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit, tregon se pas tyre qëndron një skenar i përgatitur për destabilizim.
Mosvënia para përgjegjësisë së autorëve dhe ideatorëve të sulmit të armatosur terrorist në Banjskë është një dështim, pasojat e të cilit i vuan jo vetëm Kosova, por e gjithë arkitektura e sigurisë euroatlantike. Prandaj, sot nevojitet një vëmendje e shtuar nga misioni i NATO-s në Kosovë për të parandaluar çdo përpjekje tjetër për sulme të mundshme me pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë.'
Lajmi kryesor:
Hidhet në erë kanali i ujit në Zubin-Potok, reagon Tirana zyrtare e opozita: BE t'i heqë sanksionet Kosovës! Rama: Akt sabotazhi! Begaj telefonon Osmanin: Ju mbështesim në hetim
G.K/ReportTv.al