Hidhet në erë kanali i ujit në Zubin-Potok, reagon Tirana zyrtare e opozita: BE t'i heqë sanksionet Kosovës! Rama: Akt sabotazhi! Begaj telefonon Osmanin: Ju mbështesim në hetim

30 Nëntor, 09:49| Përditesimi: 30 Nëntor, 15:32

  • Share

Njëzëri Tirana i ofroi mbështetjen e saj Kosovës në hetimin dhe ndëshkimin e përgjegjësve të sulmit terrorist në Zubin Potok mbrëmjen e djeshme ku dyshohet se 15 kilogramë lëndë eksplozive u përdorën për të shkatërruar kanalin që furnizon me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit nga liqeni i Ujmanit në veri.

Kryeministri Edi Rama e quajti akt sabotazhi mbi infrastrukturën kritike dhe një krim të rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë.  Ai i bëri thirrje Bashkimit Europian të heqë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës, dhe të angazhohet për gjetjen e një formati të ri dialogu me saj dhe Serbisë.

“Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë. Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë.

Duke e dënuar sulmin si një aktakuzë ndaj Beogradit drejt një konflikti të ri në Ballkan për interesa të Rusisë, Sali Berisha, fajtorin e sheh në Tiranë.

Edi Rama ka angazhuar SHISH duke emëruar në krye të saj, njeriun e shkarkuar me vendim të kryeministrit të Kosovës e presidentes së Kosovës, si një e dyshuar për bashkëpunëtore me shërbimin serb. I dorëzoi SHISH që të kordinojë së bashku me Beogradin, aktet për rrëzimin e qeverisë së Kosovës.

Sakaq, presidenti Begaj mori në telefon homologen Vjosa Osmani, ku ndër të tjera sipas Presidencës, shprehu mbështetjen e tij që Kosova të kryejë 'një hetim të plotë ndaj këtij akti sabotues dhe terrorist.'

Kryetarja e Kuvendit Elisa Spiropali tha se frymëzuesit, shkaktarët dhe fajtorët e këtyre akteve meritojnë ndëshkimin e merituar.

Edhe kryetari i PD-së e quajti 'skenar tipik i Rusisë së Vogël dhe kërkoi t'i hiqen sanksionet  Kosovës.

Kreu i partisë së demokratëve euroatlantikë Lulzim Basha e ka quajtur një akt terror, me prapavijë destabilizuese. Nga ana tjetër ai shton se mbështet Kosovën për të vënë para përgjegjësisë autorët.

Ndiqni  më poshtë reagimet në lajmet e renditura në zhvillim sipas orës

Lajmi ne perditesim...

Ora 15:13
Shpërthimi në Zubin-Potok, reagon Meta: Akt kriminal i orkestruar nga Serbia! PL mbështetje të palëkundur Republikës së Kosovës

1729801639_ilirmeta.JPG

Kreu i PL-së Ilir Meta nga burgu 313 ka reaguar lidhur me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Kosovë mbrëmjen e djeshme ku pati një shpërthim në Zubin-Potok, e cila synoi dëmtimin e infrastrukturës kritike për Kosovën.

Meta e quan një sulm kriminal të orkestruar nga Serbia. Meta solli në memorie dhe sulmin e një viti më parë në Banjskë të drejtuar nga Radojiçiç. Më tej nuk la pa bërë me faj qasjen 'pro-serbe' të qeverisë Rama.

'Dënoj me ashpërsinë më të madhe sulmet e fundit terroriste në stacionin policor në Zveçan, në Komunën e Zveçanit dhe shpërthimin e detonuar ndaj kanalit kryesor të Ibër Lepencit, prej nga furnizohen me ujë disa qytete në Kosovë, si dhe Korporata Energjitike e Kosovës.

Ky sulm kriminal dhe terrorist, që ka synuar të dëmtojë infrastrukturën kritike dhe ndër më të rëndësishmet të Kosovës, vjen nga bandat e dirigjuara dhe të orkestruara nga Serbia, që ende nuk i ka dënuar këto akte kriminale.

Fajin dhe përgjegjësinë për këto sulme terroriste nuk e ka formati ekzistues i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, por mungesa e plotë e vullnetit të Beogradit zyrtar për respektimin e marrëveshjeve me Prishtinën zyrtare, si edhe marrja zyrtarisht në mbrojtje nga Serbia të strukturave kriminale, me në krye Millan Radojçiçin, që mbështeten nga institucionet serbe, që kanë glorifikuar edhe sulmin terrorist në Banjskë, si edhe nga ata shqipfolës, që i mbajnë ison Serbisë, që mbështesin dhe implementojnë nisma proserbe si "Ballkani i Hapur" apo që fajësojnë dhe penalizojnë qëndrimet parimore dhe patriotike të Qeverisë së Kosovës, siç ka vepruar dhe vepron çdo ditë Edi Rama.

Partia e Lirisë, në mbështetje të palëkundur të popullit dhe institucioneve, të integritetit territorial dhe sovranitetit të Republikës së Kosovës u bën thirrje të gjithë vende partnere ndërkombëtare, Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, të dënojnë me forcën më të madhe këto sulme terroriste, si dhe t'i ushtrojnë presionin e duhur Beogradit zyrtar për të hequr dorë nga këto akte kriminale që rrezikojnë paqen, stabilitetin dhe sigurinë në rajonin tonë', thuhet në postimin e Metës në Facebook.

Ora 12:20
Shpërthimi në Zubin-Potok, reagon Berisha: Synon destabilizimin e Kosovës, skenari tipik i Rusisë së vogël

Kryetari i PD-së Sali Berisha dënoi sulmin në veri të Kosovës me qëllim destabilizimin e rajonit. 

Kanë synim madhor destabilizmin e atij rajoni. Këto akte janë një aktakuzë e rëndë e Beogradit i cili kërkon me çdo kusht një zonë konfliktuale të re, destabilizimin e Kosovës, Një skenar i tillë është skenar tipik i Rusisë së vogël. Përgjegjësit të vendosin sa më shpejt para ligjit. Të hiqen të gjitha sanksionet absurde të vendosura ndaj Kosovës. Kosova është pjesë e NATO dhe askush nuk duhet të luajë me këtë vend.

Ora 11:28
Shpërthimi në Zubin Potok, Bardhi: Akt terrorist, Serbia synon destabilitetin e rajonit

Kreu i Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike dënoi sulmin mbrëmë në veri të Kosovës.

Akti terrorist mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një tjetër provë se Kosova është vazhdimisht në agresion dhe agresorët nuk kanë marrë kurrë ndëshkimin që meritojnë nga komuniteti ndërkombëtar. Akte të tilla janë një dëshmi e qartë se Serbia jo vetëm nuk është e angazhuar me seriozitet në dialogun normalizues të marrëdhënieve me Kosovën, por vazhdimisht synon destabilitetin e Rajonit dhe minimin e rregullave e ligjeve brenda territorit të Kosovës.

Duke dënuar me forcë këtë akt terrorist, mbetemi të palëkundër në mbështetje të institucioneve të Kosovës dhe qytetarëve të saj. Kosova e pavarur dhe së shpejti anëtare e Bashkimit Europian është një realitet i pakthyeshëm. Aktet destabilizuese nuk mund të triumfojnë kurrë mbi paqen e sigurinë në Rajon dhe as mbi të ardhmen e përbashkët të popujve tanë në familjen europiane.

Ora 11:08
Shpërthimi në Zubin Potok, Partia 'Djathtas 1912': Synohet të përhapet frikë e dëmtohet rendi demokratik në Kosovë

1732899331_alibeaj.jpg

Partia Djathtas 1912 ka reaguar pas shpërthimit të së premtes që dëmtoi një kanal që furnizon me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit nga liqeni i Ujmanit në veri.

Djathtas 1912 dënon me forcë aktin terrorist të ndodhur në Kanalin Iber-Lepenc në Kosovë, duke e konsideruar atë një përpjekje të qartë për destabilizimin e Republikës së Kosovës dhe krijimin e pasigurive në rajon.

Ky incident nuk është i izoluar, por pjesë e një fushate të vazhdueshme nga ekstremistët nacionalistë që synojnë të përhapin frikë dhe të dëmtojnë rendin demokratik në Kosovë.

Djathtas 1912 shpreh mbështetjen e saj të plotë për qeverinë e Kosovës në përpjekjet e saj për të garantuar jetën dhe pronën e qytetarëve, si dhe për mbrojtjen e infrastrukturës kritike të vendit. Gjithashtu, ne e konsiderojmë jetik bashkëpunimin e organeve ligjzbatuese të Kosovës me KFOR-in dhe partnerët ndërkombëtarë për ruajtjen e sigurisë dhe sovranitetit territorial të Republikës së Kosovës.

Përballimi i sfidave të sigurisë kërkon koordinim të ngushtë dhe bashkëpunim të pandërprerë. Djathtas 1912 qëndron përkrah Kosovës në këto momente të vështira dhe riafirmon angazhimin për stabilitetin dhe paqen në rajon.

Ora 11:02
Shpërthimi në Zubin-Potok, reagon Spiropali: Dënoj aktet terroriste të shkatërrimit të furnizimit me ujë në Kanalin e Ibër-Lepenc

1732215359_elisaspiropali.JPG

Kryeparlamentarja Elisa Spiropali ka reaguar pas shpërthimit në Zubin Potok ku u godit infrastruktura kritike e Kosovës për furnizimin me ujë dhe energji elektrike. Spiropali dënon sulmin si akt terrorist dhe shprehet për kthimin e normalitetit dhe qetësisë për qytetarët e Kosovës.

'Aktet terroriste të shkatërrimit të infrastrukturës kritike të furnizimit me ujë në Kanalin e Ibër-Lepencit, nuk dëmtojnë vetëm shërbimet jetike ndaj qytetarëve të Kosovës, por përpjekjet e popullit dhe institucioneve të Kosovës për siguri, zhvillim, mirëqenie, dialog e paqe, dëmtojnë klimën dhe përpjekjet për mirëkuptim dhe bashkëpunim në rajon. 

Frymëzuesit, shkaktarët dhe fajtorët e këtyre akteve meritojnë ndëshkimin e merituar.
Jemi pranë institucioneve të Kosovës dhe mbështesim përpjekjet për kthimin e normalitetit, garantimin e qetësisë e sigurisë për qytetarët e Kosovës dhe gjithë rajonin', shprehet Spiropali.

Ora 10:26
Hidhet në erë kanali i ujit Ibër-Lepenc, Rama: Akt sabotazhi mbi infrastrukturën kritike! Goditja kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar

Kryeministri Edi Rama ka reaguar pas shpërthimit të së premtes që dëmtoi një kanal që furnizon me ujë disa qytete dhe termocentralet e vendit nga liqeni i Ujmanit në veri.

Akti i sabotazhit mbi infrastrukturën kritike të furnizimit me ujë në kanalin e Ibër Lepencit është një krim i rëndë, i cili cënon jetën e qytetarëve të Kosovës dhe godet procesin e normalizimit të marrëdhënieve në rajonin tonë, ku të gjitha shtetet janë të përfshira në rrugën e integrimit në Bashkimin Europian. Kjo goditje kriminale duhet zbardhur e ndëshkuar sa më parë me mbështetjen e partnerëve ndërkombëtarë.

Ndërkohë Bashkimi Europian duhet të heqë menjëherë sanksionet e mbetura ndaj Kosovës dhe të riangazhohet në një format të ri dialogu për normalizim mes Kosovës dhe Serbisë.

Formati ekzistues ka dështuar të prodhojë rezultatet e dëshiruara dhe është koha që çështjet e dialogut të kalojnë përmes marrëdhënieve bilaterale të BE-së me Kosovën apo Serbinë, si dy shtete njësoj të pavarura prej njëra-tjetrës, ku fati europian i secilit shtet s’mund të varet nga dëshirat a mosdëshirat e shtetit tjetër; ashtu sikundër fati europian i krejt rajonit s’mund të varet nga mosnjohja e Kosovës nga Serbia apo 5 shtete anëtare të BE-së.

 

Ora 09:36
Shpërthimi në Zubin-Potok, Begaj telefonon Osmanin: Mbështesim Kosovën në hetimin dhe ndëshkimin e këtij akti sabotues dhe terrorist

1732955745_begajvjosaosmani.jpg

Presidenti i Shqipërisë Bajram Begaj, zhvilloi një bisedë telefonike me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani ku dënoi ashpër aktet terroriste me lëndë eksplozive mbi Kanalin e Ibër-Lepenic që synojnë shkatërrimin e infrastrukturës kritike të Kosovës e cenojnë sigurinë kombëtare të saj.

Begaj, thuhet në komunikatën e shpërndarë nga presidenca, ‘mbështet fuqishëm të gjitha përpjekjet e Republikës së Kosovës për përballimin e situatës dhe hetimin e ndëshkimin e plotë të këtij akti sabotues e terrorist.’

Ora 09:16
Shpërthimi në Zubin-Potok, Basha: Vepër terroriste, prapa qëndron gati një skenar destabilizues

1728549731_lulzimbasha.jpg

Lulzim Basha ka reaguar lidhur me shpërthimin në Zubin Potok, teksa u sulmua rrjeti i ujësjellësit të Ibër-Lepencit në fshatin Varagë. Basha dënon me forcë këtë akt terrori dhe kërkon menjëherë zbardhjen e saj.

Sipas tij, duke marrë parasysh edhe sulmin me granatë dore në komunën e Zveçanit, tregon se qëndron një skenar destabiluzues prapa.

'Dënoj me forcë aktin e terrorit në Zubin Potok dhe mbështes e inkurajoj institucionet e Kosovës që të hetojnë dhe zbardhin sa më parë këtë ngjarje të rëndë kriminale.

Sulmet ndaj infrastrukturës jetike, që penalizojnë qytetarët në furnizimin me ujë dhe energji, janë vepra terroriste të frymëzuara nga ata që duan me çdo kusht tensione dhe destabilizim në rajon. Ky sulm, që pason dy të tjerët në stacionin policor të Zveçanit dhe në ndërtesën e komunës së Zveçanit, tregon se pas tyre qëndron një skenar i përgatitur për destabilizim.

Mosvënia para përgjegjësisë së autorëve dhe ideatorëve të sulmit të armatosur terrorist në Banjskë është një dështim, pasojat e të cilit i vuan jo vetëm Kosova, por e gjithë arkitektura e sigurisë euroatlantike. Prandaj, sot nevojitet një vëmendje e shtuar nga misioni i NATO-s në Kosovë për të parandaluar çdo përpjekje tjetër për sulme të mundshme me pasoja të rënda për paqen dhe sigurinë në rajon e më gjerë.'

G.K//ReportTv.al
Komento

Komente

  • sali: 30/11/2024 14:15

    SHIKO MOS E KANE HEDHUR NE ERE VETE KETA ALBINRAT PER TE MBAJTUR POPULLIN IDIOT KOSOVAR NEN TERORIN E GJOJA SERBIT PER TE FITUAR PRAPE ZGJEDHJET,kETE KANE BERE DHE BERISHISTET ME PERPARA

    Përgjigju
  • LAli: 30/11/2024 11:22

    Ku ishin gjithe keta trima kur hidheshin ne ere shtyllat e tensionit te larte ne Shqiperi...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?