Kombëtarja U-17 kundër Gjermanisë

Sport

‘Shqipëri Euro 2025’/ Kombëtarja U-17 merr humbjen e dytë, Gjermania na shënon 4 gola! Tedesco: Duhet të rritemi

23 Maj, 09:13| Përditesimi: 23 Maj, 12:08

  • Share

ELBASAN - Kombëtarja shqiptare U-17 zhvilloi dje (22 maj) ndeshjen e dytë në Kampionatin Europian, përballë Gjermanisë, në stadiumin “Elbasan Arena”.

Kuqezinjtë u mundën me rezultatin 0-4. Golat për gjermanët u shënuan nga Jeremiah Mensah, Alexander Staff, Wisdom Mike dhe Keziah Oteng-Mensah.

Trajneri Andrea Tedesco e nisi takimin me këtë formacion titullar: Raffaele Huli (C), Fabian Hallidri, Fabjano Nuhaj, Leon Sylejmani, Kris Gecaj, Evagjelos Gjoka, Andreas Llana, Alex Ramku, Rikardo Sheji, Gabriel Kulla dhe Arman Durmisi.

Gjermania kaloi në avantazh që në minutën e 7-të me golin e Mensah. Shqipëria reagoi menjëherë dhe në minutën e 14-të ishte shumë pranë barazimit, por Kulla dhe Sheji u ndalën nga portieri gjerman, që ishte vendimtar në këtë aksion.

Në minutën e 20-të, “panzerat” realizuan golin e dytë me Staff dhe pjesa e parë u mbyll 2-0 në favor të tyre.

Në pjesën e dytë, Gjermania shënoi edhe golin e tretë me Mike në minutën e 65-të.

“Panzerat” fituan një penallti në të 85-ën, që u shndërrua në gol nga Keziah Oteng-Mensah, duke vulosur rezultatin përfundimtar 0-4. Kjo është humbja e dytë e kombëtares kuqezi me katër gola, pas asaj kundër Portugalisë. Shqipëria do të luajë ndeshjen e tretë të grupit ndaj Francës, më 25 maj në “Elbasan Arena”, në orën 20:30.

Pas sfidës foli edhe trajneri italian i kuqezinjve. Andrea Tedesco tha se ekipi nuk duhet të ketë presion dhe të fokusohet te rritja.

"Dy apo tre lojtarë kanë potencialin për të bërë hapa të mëdhenj përpara, nëse vazhdojnë me profesionalizëm. Por në këtë moshë, fokusi duhet të jetë tek rritja, formimi dhe ndërtimi i një profili solid për të ardhmen. Nuk duhet të flasim për rezultate tek U-17, por për progresin që do të shërbejë për ekipet kombëtare të moshave më të mëdha”, tha trajneri kuqezi.

Renditja 

Ora 10:28
Shqipëria U-17 tjetër humbje, Tedesco: Të fokusohemi te rritja, jo te presioni


Shqipëria U-17 ka pësuar një tjetër humbje në ndeshjet ndërkombëtare, duke lënë shije të hidhur për trajnerin Andrea Tedesco. Pas sfidës ku kuqezinjtë u mundën 0-4 nga Gjermania për Euro 2025 në Elbasan, tekniku italian tha se skuadra e tij nuk ishte mjaftueshëm cinike përpara portës kundërshtare.

“Humbëm një tjetër ndeshje. Pësuam dy gola në pjesën e parë dhe më pas nuk arritëm të konkretizonim rastet që krijuam. Kishim mundësi për ta hapur ndeshjen, por mungoi finalizimi. Në fund, rezultati nuk na favorizoi”, deklaroi Tedesco.

Trajneri i u ndal edhe te aspekti psikologjik dhe përqendrimi në fushë, duke theksuar rëndësinë e shfrytëzimit të çdo rasti të krijuar.

“Qasja ndaj Portugalisë ishte ndryshe nga ajo me Gjermaninë, por në të dyja rastet ne nuk patëm mprehtësinë për të shënuar. Patëm hapësira dhe mundësi, por nuk i shfrytëzuam. Këto janë momente që bëjnë diferencën dhe që na duhen për të ecur përpara”, tha ai.

Tedesco kërkon që mediat dhe mjedisi rreth skuadrës të tregojnë durim me këta të rinj.

“Dy apo tre lojtarë kanë potencialin për të bërë hapa të mëdhenj përpara, nëse vazhdojnë me profesionalizëm. Por në këtë moshë, fokusi duhet të jetë tek rritja, formimi dhe ndërtimi i një profili solid për të ardhmen. Nuk duhet të flasim për rezultate tek U-17, por për progresin që do të shërbejë për ekipet kombëtare të moshave më të mëdha”, përfundoi trajneri kuqezi.

Në dy ndeshje Kombëtarja U-17 ka pësuar tetë gola dhe nuk ka shënuar asnjë, duke pasur përballë emra si Portugalia dhe Gjermania.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Operacioni Ura, si e vlerësoni punën e SPAK ndaj grupeve kriminale?