Trajneri Dragan Stojkovic i ofroi dorëheqjen drejtuesve të Federatës së Futbollit të Serbisë. Ai nuk do udhëtojë me ekipin në Andorra për sfidën e radhës. Humbja 0-1 me Shqipërinë ka lënë pasoja te Serbia. Kjo nuk është hera e parë që Shqipëria e Sylvinhos ka shkarkuar trajnerë pas fitoreve, pasi e ka bërë me Poloninë dhe Çekinë.
“A kemi lojtarë më të mirë? Nuk e di. Kjo përzgjedhje lojtarësh ka qenë zgjedhja ime. U përpoqa ta zgjidhim këtë ndeshje në favorin tonë. Ose kam gabuar në zgjedhje, ose thjesht kam gabuar, por ja që ndodhi kështu. Kur të largohem, do të largohem me krenari. Ka qenë privilegj të jem trajner i vendit tim. Që kur mora drejtimin, dikush do analizojë nëse ia vlejti apo jo, nëse pati gjëra të mira, mendoj se po, por nuk duhej të ndodhte të humbnim këtë ndeshje. Jo për mua, por thjesht nuk duhej të ndodhte.
Situata është e veçantë sepse nesër udhëtohet për në Andorra. Unë nuk udhëtoj, është e pakuptimtë të shkoj me ekipin. Ua thashë këtë, më dëgjuan. U thashë se me shumë gjasë nuk do shkoj në Andorra dhe se ndeshjen me shumë mundësi do ta drejtojë ndihmësi im, Goran Doroviç.
Kam biseduar tashmë me Presidentin dhe Sekretarin e Përgjithshëm të Federatës dhe si një njeri i përgjegjshëm, kam ofruar dorëheqjen. Këtë humbje nuk e prisja, sidomos ndaj një ekipi që është rivali ynë kryesor për vendin e dytë. Marr përgjegjësi absolute dhe unë jam i vetmi fajtor. Për këtë mos u shqetësoni. Më vjen keq që humbëm, por kështu është sporti dhe jeta. Do ketë kohë të flasim për gjëra të tjera, por si person përgjegjës, kam ofruar dorëheqjen para dy drejtuesve kryesorë të Federatës”, tha Stojkovic në konferencë për shtyp.
Lajmi kryesor:
Botërori 2026/ Serbia gjunjëzohet në shtëpinë e saj, goli i Manajt çon Shqipërinë në 'qiellin e shtatë'! 'Shpërthen' festa në të gjithë vendin
S.Dh/ReportTv.al
