Transfertat për jashtë vendit por edhe paratë që mbërrijnë në Shqipëri në rrugë zyrtare nga ky 7 tetor do të jenë me komisione disa herë më të ulëta por edhe më të shpejta, pasi ka nisur zyrtarisht zbatimi i SEPA-s, zona unike e pagesave në Euro.
“Sot, të 11 bankat vendase janë gati të ofrojnë shërbime SEPA për qytetarët dhe bizneset”, tha Sejko.
Në ceremoninë e lançimit të transaksionit të parë të Shqipërisë në SEPA, Guvenrnatori Gent Sejko, listoi edhe një herë përfitimet ekonomike që do të ketë vendi.
“Integrimi në SEPA përkthehet në përfitime shoqërore e rajonale: nga ulja e informalitetit dhe kostove të dërgesave, te rritja e përfshirjes financiare dhe konvergjenca me tregun evropian. Sipas vlerësimeve të Bankës Botërore, një rritje prej 10% e pagesave digjitale sjell ulje me 2% të nivelit të informalitetit. Emigrantët shqiptarë dhe familjet e tyre mund të kursejnë deri në dhjetëra miliona euro në vit falë dërgimit të remitancave nëpërmjet kanaleve bankare të SEPA-s. Në planin rajonal, deri sot, dërgimi i parave midis bizneseve në Ballkanin Perëndimor ka kushtuar deri në 10 herë më shumë se brenda BE-së. Me SEPA-n, kjo kosto bie në nivele të përafërta me ato evropiane”, tha Sejko.
Guvernatori Sejko pati një apel përsëri për bankat tregtare, që të promovojnë më tej pagesat elektronike.
“Banka e Shqipërisë u bën thirrje bankave tregtare dhe institucioneve financiare që të promovojnë aktivisht shërbimet SEPA, të informojnë klientët për përfitimet konkrete dhe të investojnë në përmirësimin e mëtejshëm të platformave digjitale”, tha Sejko.
Kurse për ambasadorin e BE-së në Shqipëri Silvio Gonzato, bërja pjesë e Shqipërisë në zonën unike të pagesave, është dëshmi e mbajtjes së premtimeve nga BE.
“Sot është një ditë e rëndësishme sepse çdo qytetar ndjehet i barabartë me ato të BE-së, sepse transaksionet do të jenë me më pak kosto dhe më të shpejta. Por kjo është edhe një ditë që tregon se kur angazhimet politike ndiqen me vendosmëri mund të sjellin rezultate konkrete për qytetarët. Gjithashtu tregon se BE-ja është serioze në mbajtjen e premtimeve të saj, sigurisht pasi të jenë plotësuar të gjitha kushtet”, tha Gonzato.
Ambasadori kërkoi thellim të reformave në rrugën drejt anëtarësimit, në mënyrë që 2027-ta të përmbyll të gjithë kapitujt. Ambicia për t'i mbyllur të gjithë kapitujt brenda 2027-ës kërkon reforma të mëtejshme për përputhje me legjislacionin e BE, përfshirë forcimin e sektorit bankar dhe përmirësim të shërbimeve. Tashmë është koha që të thellohen reformat e ndërmarra, në mënyrë që të përfitojnë të gjithë qytetarët dhe jo vetëm një pakicë të privilegjuarish”, tha ambasadori i BE-së.
Për kryeministrin Edi Rama nisja e transfertave përmes SEPA, është moment historik dhe një hap më pranë BE-së.
“Rruga drejt anëtarësimit dhe suksesi në negociata, sjellin një lajm shumë të mire. Nga sot, 7 tetor, qytetarët dhe bizneset shqiptare mund të kryejnë transferta në euro me vendet e BE-së me komisione shumë më të ulëta dhe me të njëjtat rregulla si në BE”, shkruan Rama.
Shqipëria u pranua në SEPA në nëntor të vitit të kaluar dhe tashmë do të mund të kryej pagesa të shpejta me 40 shtete të tjera nga e gjithë bota që janë pjesë e sistemit unik të pagesave në Euro.
40 mijë lekë-10 mln lekë 0.005%
Mbi 10 mln lekë deri 10€
Mbi 100 mijë euro maksimumi 25 euro
Transfertat hyrëse maksimumi 3 euro
Komente
