Kryeministri Edi Rama ndodhet në Pragë ku u mbajt forumi “GLOBSEC 2024”. Gjatë një bisede me moderatorin Steve Clemons, kreu i qeverisë theksoi se Shqipëria është në anën e paqes dhe dialogut, referuar situatës në rajon. Sipas Ramës, Shqipëria do ishte vlerë e shtuar në BE.
Rama u ndal edhe te dialogu Kosovë-Serbi dhe tha se e ardhmja nuk duhet parë me sytë e së shkuarës.
“Shqipëria shumë qartësisht është në anë të paqes, në anë të dialogut, të përparimit të përbashkët. Bindja jonë e fortë është se nuk duhet ta shohim të ardhmen me sytë e së shkuarës, duhet të shohim të shkuarën me sytë e së ardhmes. Kur nis prej këtej shumë gjëra bëhen të qarta, shumë pengesa bëhen më pak problematike dhe mund të ndërmerren më shumë hapa. Në këtë drejtim, ne kemi promovuar paqen, dialogun dhe bashkëpunimin me të gjithë. Kështu që ndërmora nismën të vizitoja Serbinë 68 vjet pas vizitës së fundit atje. Ishte pikënisja e diçkaje tek e cila besoj shumë. Do të thoja se Ballkani Perëndimor sot është në një pozitë shumë më të mirë se ç’ishte. Nuk kemi qenë kurrë më mirë si Shqipëri dhe shqiptarë dhe kjo situatë në Ballkanin Perëndimor është po kështu pjesë e kësaj.
Nga ana tjetër, sidoqoftë, më duhet të them se nuk shoh më ndonjë ndryshim të madh midis nesh dhe BE. Sigurisht që kur vjen fjala për ekonominë, kemi një hendek të konsiderueshëm të cilin duhet ta mbushim, por për pjesën tjetër nuk shoh ndonjë dallim kështu që do të thoja që ne kemi qenë përherë europianë, ne jemi europianë. Kjo nuk është diçka që vendoset apo mund të vendoset në Bruksel. Duke parë tashmë perspektivën për të qenë anëtar me të drejta të plota në BE, besoj fort që edhe sot ne do të ishim një vlerë e shtuar”, u shpreh Rama.
Lajmi kryesor:
Rama në Pragë: Shqipëria vlerë për BE-në! Putin përpjekje për të minuar demokracinë? Te ne nuk gjen spiunë, shqiptarët besnikë të perëndimit
SI.E./ReportTv.al