Qytetarët e vendeve të Bashkimit Europian janë thuajse të ndarë në mënyrë të barabartë në vlerësimin e tyre, nëse Shqipëria duhet të jetë ose jo pjesë e Unionin pasi të plotësojë kushtet për anëtarësim. Shqiptarja.com ka marrë në analizë të dhënat e sondazhit të Eurobarometrit, të cilat tregojnë se ndër vendet fqinje, Greqia është në shumicë kundër. Ndërkohë, paksa i habitshëm duket qëndrimi i italianëve, ata janë të ndarë pothuajse në gjysmë teksa vlerësojnë nëse Shqipëria duhet të jetë ose jo pjesë e familjes europiane.
Habia është se mbështetja më e madhe për Shqipërinë vjen nga vendet e Skandinavisë me një shumicë dukshëm pro anëtarësimit të vendit tonë. Shqetësim mund të konsiderohen të dhënat që vijnë nga vendet lider të BE, Franca dhe Gjermania, ku ata që janë kundër, përbejnë shumicën. Sondazhi u zhvillua periudhën shkurt-mars 2025 me pjesëmarrjen e 26,300 qytetarëve.
Vetëm 45% e evropianëve janë pro anëtarësimit të Shqipërisë në Bruksel, një prej përqindjeve më të vogla krahasuar me të gjitha vendet kandidate, pas Turqisë me 36% dhe Kosovës me 43%. Mbështetjen më të madhe e ka Ukraina me 52% dhe pas saj Mali i Zi me 51%.
Mbështetja pro zgjerimit është veçanërisht e lartë midis të rinjve: rreth dy të tretat e të anketuarve të moshës 15 deri në 39 vjeç besojnë se kandidatët (potencialë) duhet t'i bashkohen BE-së pasi të plotësojnë kushtet e nevojshme.
Më entuziastët mes evropianëve për zgjerimin janë vendet në veri të kontinentit me suedezët 79%, danezët 75%, lituanezët 74% dhe finlandezët 73%. Nga ana tjetër francezët dhe çekët me nga 43% dhe austriakët me 45% janë popujt më kundër zgjerimit të Unionit.
Vendet skandinave, kampione të mbështetjes
Në krye të listës së mbështetësve qëndron Suedia, ku 74% e qytetarëve janë pro dhe vetëm 19% kundër. Ky është niveli më i lartë pozitiv në gjithë BE-në. Edhe Danimarka me 60% pro dhe Finlanda me 53% pro shfaqin qëndrime të qarta pro zgjerimit me Shqipërinë.
Në këtë grup duhet përfshirë edhe Estonia, ku 47% janë pro dhe 40% kundër, Letonia me 46% pro dhe 34% kundër, si dhe Lituania me 45% pro dhe 39% kundër. Vendet baltike, edhe pse më të rezervuara krahasuar me skandinavët, prapë japin një notë pozitive për Shqipërinë.
Evropa Jugore, mes entuziazmit dhe skepticizmit
Në Mesdhe gjejmë kontraste të forta. Në Spanjë, 55% e të anketuarve janë pro anëtarësimit të Shqipërisë dhe 26% kundër. Në Portugali 53% pro dhe 31% kundër, si edhe Malta 57% pro, 31% kundër.
Nga ana tjetër, Greqia dhe Qiproja, fqinjë me vendin tonë, janë ndër më skeptiket: të dyja me 58% kundër anëtarësimit të Shqipërisë dhe vetëm 39% pro (Greqia) dhe 34% pro (Qipro). Me Greqinë, edhe pse vende aleate dhe fqinje, Shqipëria pati një përplasje të gjatë edhe për çështjen e negociatave për shkak të çështjes së Fredi Belerit.
Në Itali 48% janë pro dhe 47% kundër anëtarësimit të Shqipërisë në BE. Italia, pavarësisht lidhjeve historike dhe ekonomike të ngushta me Shqipërinë, mbetet e ndarë pothuajse në gjysmë.
Si ndahet Evropa Qendrore dhe Lindore
Në Evropën Qendrore kemi një tjetër panoramë. Nga Kroacia shohim një qëndrim të pritshëm, si një vend fqinj, po edhe me një eksperiencë të ngjashme në rrugën europiane. 58% e qytetarëve në Kroaci shprehen pro anëtarësimit të Shqipërisë në BE dhe vetëm 36% kundër.
Në Hungari, 49% pro dhe 44% kundër. Poloni 47% pro, 43% kundër dhe Rumania 51% pro, 39% kundër. Mbështetja për vendin tonë është e dukshme, edhe pse jo unanime.
Ndërsa në Çeki dhe Sllovaki mbizotëron skepticizmi, sidomos në Pragë, ku 62% janë kundër dhe vetëm 29% pro. Në Slloveni, 52% janë pro dhe 43% kundër. Në këtë grup bie në sy edhe Irlanda, një nga vendet më pozitive, me 51% pro dhe vetëm 34% kundër.
Franca, Gjermania dhe vendet skeptike të Beneluksit
Në vendet themeluese të BE-së mbështetja për Shqipërinë rezulton nën mesataren. Franca shënon 36% pro dhe 48% kundër. Gjermania shfaqet po ashtu skeptike me 35% pro dhe 56% kundër.
Në Beneluks, kemi 40% të qytetarëve të Belgjikës që shprehen pro anëtarësimit, ndërsa 56% kundër dhe Luksemburgu 52% pro dhe 36% kundër. Holanda 59% e qytetarëve në Holandë janë pro dhe 36% kundër. Në Austrin vetëm 30% pro dhe 64% kundër.
Megjithatë pavarësisht pesimizmit apo optimizmit mes evropianëve, shqiptarët vijojnë të mbeten evropianistë të pandryshuar, 91% janë pro Bashkimit Evropian.
Kosova, mbështetje edhe te vendet që nuk njohin pavarësinë
Sondazhi i fundit i Eurobarometrit ka matur edhe qëndrimet e qytetarëve të Bashkimit Europian për anëtarësimin e Kosovës. Në total, 43% e qytetarëve të BE-së shprehen pro hyrjes së Kosovës në Union sapo të përmbushë kushtet e anëtarësimit, ndërsa 46% janë kundër, shifra pothuajse identike me ato për Shqipërinë.
Ashtu si në rastin e vendit tonë, edhe për Kosovën vendet nordike janë mbështetëset më të forta. Në krye qëndron Suedia, ku 79% e qytetarëve janë pro dhe vetëm 15% kundër, mbështetja më e lartë në të gjithë BE-në për Kosovën. Pas saj vjen Danimarka me 68% pro dhe 21% kundër, si dhe Finlanda me 55% pro dhe 26% kundër. Kroacia, një vend me lidhje historike e politike me Kosovën, renditet e treta me 62% pro dhe 33% kundër.
Në anën tjetër të spektrit janë vendet ku mbizotëron skepticizmi. Austria shfaqet si më kundërshtarja, me vetëm 28% pro dhe 66% kundër. Çekia është një tjetër vend me qëndrim negativ, me 28% pro dhe 62% kundër. Ndërkohë, Italia (40% pro, 55% kundër) dhe Belgjika (41% pro, 54% kundër).
Interesante janë rezultatet e sondazhit në vendet e Unionit që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës. Qytetarët e Spanjës, Rumanisë dhe Sllovakisë janë pro anëtarësimit. Konkretisht: Spanja 53% pro dhe 27% kundër, Rumania 52% pro dhe 36% kundër, Sllovakia 46% pro dhe 44% kundër. Në Greqi e Qipro shumica nuk e duan anëtarësimin e Kosovës. Konkretisht, në Greqi 44% janë pro dhe 49% kundër, në Qipro 40% pro dhe 46% kundër.
Komente

SA me von ishalla ne be.me mir
Përgjigju