VIDEO/ Kombëtarja prek e para tokën gjermane për Euro 2024, surprizohet nga komuniteti shqiptar në Dusseldorf

8 Qershor, 19:25| Përditesimi: 9 Qershor, 10:55

  • Share

Kombëtarja shqiptare ka mbërritur në tokën gjermane. Kuqezinjtë udhëtuan pasditen e 8 qershorit nga Grac-i i Austrisë drejt Dusseldorfit, duke u bërë e para skuadër finaliste e Europianit që zbarkon në Gjermani. Menjëherë sapo mbërritën në aeroportin e Dusseldorfit, kuqezinjtë u pritën në një atmosferë fantastike.

Ambasadorja e Shqipërisë në Gjermani, Adia Sakiqi, zyrtarë të UEFA-s, përfaqësues të lartë të aeroportit por edhe disa fëmijë nga komuniteti shqiptar në Dusseldorf, mirëpritën të parët Kombëtaren shqiptare duke i uruar mirëseardhje dhe suksese në Kampionatin Europian.

Presidenti i FSHF-së Armand Duka, i falënderoi për pritjen dhe i ftoi që të gjithë së bashku ta shijojmë Kampionatin Europian.

“Dua t’ju falënderoj të gjithëve. Të gjithë fëmijët dhe të tjerët për pritjen fantastike dhe të ngrohtë që kanë organizuar për ne, që nga aeroporti i Dusseldorfit e deri këtu. Pavarësisht se ne fizikisht nuk kemi qenë këtu, e kemi ndjerë ngrohtësinë tuaj në çdo moment dhe detaj që ekipi jonë këtu të ndihet si në shtëpi. Të gjithë ne shqiptarët jemi vërtetë shumë të lumtur dhe krenarë që jemi pjesë e këtij kompeticioni, më i rëndësishmi sportiv për mua në botë. I ftoj futbollistët tanë dhe të gjithë shqiptarët që do të ndjekin ekipin Kombëtar që ta shijojnë vërtetë këtë Europian. Ne jemi skuadra e parë mike që vijmë në Gjermani për Kampionatin Europian. Kështu që duke qenë të parë unë uroj që të kemi këmbën e mbarë për të gjithë Kampionatin Europian dhe të kemi një Europian sa më të mirë e të bukur që ta shijojnë të gjithë që do jenë pjesë, në Gjermani, në stadiume dhe në televizionet e të gjithë botës. Ta shijojmë të gjithë bashkë dhe pse jo Shqipëria të fitojë” – tha Presidenti Duka.

Menjëherë më pas Kombëtarja shqiptare është nisur drejt Dortmundit ku do të akomodohet në kampin bazë gjatë ditëve të qëndrimit në Gjermani për finalet e “EURO 2024” në SportCentrum Kaiserau.

Kuqezinjtë nisin më 15 qershor aventurën në Europianin "Gjermani 2024" në përballjen me Italinë, teksa në 19 qershor luajnë kundër Kroacisë, për të mbyllur duelet në Grupin B më 24 qershor ndaj Spanjës.

S.Dh//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Jola: 09/06/2024 14:51

    Suksese cuna! Na keni bere krenare! Poshte politikanet e felliqur!!

    Përgjigju
  • Ole ole: 08/06/2024 19:46

    Hajde me fitore me italianet, se nuk kan gje ata.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?