Sport

Botërori 2026/ Goli na kthehet në 'gogol', Shqipëria barazon 1-1 në Letoni falë Strakoshës dhe autogolit! Zbehet ëndrra amerikane për Kombëtaren

10 Qershor, 15:29| Përditesimi: 11 Qershor, 12:09

  • Share

FT/ Letoni 1-1 Shqipëri (Cernomordijs 45+4' / Cernomordijs 29' (autogol))

RIGA, Letoni - Me mendje jo të kthjellët dhe këmbë të rënda, Shqipëria e futbollit nuk shkoi më shumë se barazimi 1-1 kundër Letonisë në Riga për ndeshjen e katërt në Grupin K kualifikues të Kupës së Botës 2026; duke komplikuar pozitat e saj për ëndrrën e madhe të një vendi në finalet e këtij kompeticioni që do zhvillohet në SHBA, Kanada dhe Meksikë.

NDESHJA - Fillimi i sfidës ishte kaotik dhe me dy skuadrat që kërkonin të studionin njëra-tjetrën. Pas minutave të para ishin tanët që morën lojën në dorë duke rrezikuar me Brojën dhe Laçin, por pa rezultat. Në minutën e 17-të kryesori turk Umut Meler akordoi një penallti për Letoninë, edhe pse në përsëritje u duk që Kumbulla nuk kishte kontakt me Gutkoskis. Pas katër minutave komunikim me dhomën e teknologjisë vendimi nuk u kthye dhe Ikaunieks u paraqit nga pika e bardhë. Strakosha kuptoi krahun dhe mbajti tanët në lojë me një pritje të bukur.

Në të 29 minutë erdhi edhe goli i parë i sfidës që i dha epërsinë Shqipërisë. Në zhvillimet e një aksioni nga e majta e sulmit, Arbër Hoxha kroson në zonë dhe portieri vendas e devijon, por sfera përplaset me këmbët e kapitenit Cernomordijs dhe përfundon në rrjetë. 0-1 për kuqezinjtë dhe përqafim nga lojtarët.

Kur u duk se fraksioni i parë do mbyllej me këto shifra, Cernomordijs shleu fajin dhe pas një topi në zonë kërceu më shumë se Ivan Balliu, ndërsa goditja e tij me kokë u ndal në rrjetë në sekondat e fundit të pjesës së parë.

Edhe fraksioni i dytë kishte një refren, Shqipëria sulmonte dhe Letonia që mbrohej me 11 lojtarë pas linjës së topit. Megjithëse në pjesën e dytë Sylvinho hodhi në fushë Nedim Bajramin, Ernest Muçin, Mirlind Dakun apo Myrto Uzunin, tanët nuk kishin asnjë rast të rrezikshëm dhe sfida u mbyll 1-1. Në gjashtë takimet mes Letonisë dhe Shqipërisë, skuadrat janë ndarë po gjashtë herë në barazim.

Pas barazimit 0-0 kundër Serbisë tre ditë më parë, kuqezinjtë marrin një rezultat zhgënjyes në udhëtim. Nga ana tjetër Serbia fitoi në shtëpinë e saj 3-0 kundër Andorrës me tripletën e Mitrovic dhe 'kërcënon' vendin e dytë që përkohësisht mbahet nga tanët me dy ndeshje më shumë të luajtura.

Në Grupin K kryeson Anglia (tre ndeshje) me nëntë pikë, ndjekur nga Shqipëria (katër ndeshje) me pesë pikë, Serbia (dy ndeshje) katër pikë, Letonia (tre ndeshje) katër pikë dhe në fund Andorra me katër ndeshje të luajtura dhe zero pikë.

Tanimë Kombëtarja rikthehet në fushë më 9 shtator po kundër Letonisë, por këtë herë në Shqipëri.

Komentet më të rëndësishme:

90+4' Mbyllet 1-1 ndeshja në Riga,

90' Katër minuta shtesë.

81' Broja dhe Manaj lënë fushën, në vend të tyre Daku dhe Uzuni.

80' Rey Manaj lëviz bukur në zonë, por goditja e tij me të majtën ndalet nga portieri.

69' Laçi i bën vend Nedim Bajramit.

60' Arbër Hoxha i bën vend Ernest Muçit.

56' Kristjan Asllani provon nga jashtë zone, topi devijohet në këndore nga portieri. Gjuajtja e parë në portë nga tanët.

46' Fillon pjesa e dytë, asnjë zëvendësim te dy skuadrat.

45+5' Mbyllet 1-1 pjesa e parë.

45+4' Cernomordijs shlyen gabimin e autogolit dhe në shtesën e katërt të pjesës së parë shënon për Letoninë duke vendosur ekuilibrat në 1-1. Një aksion nga këndi shfrytëzohet nga kapiteni vendas për t'u kthyer nga "djall në engjëll". Gol me kokë nga mbrojtësi që kërceu më lart se Balliu.

45' Pesë minuta shtesë.

29' GOOL! Shqipëria kalon në avantazh me autogolin e Cernomordijs. Një krosim nga Hoxha nuk u ndal si duhet nga portieri, me topin që pas një ping-pongu u përplas te Cernomordijs dhe u ndal në rrjetë.

21' Strakosha i ka kuptuar krahun dhe ka ndalur penalltinë e dyshimtë të Ikaunieks.

17' Gutkoskis rrëzohet në zonë, arbitri turk Umut Meler akordon 11 metërsh. Protesta nga tanët pasi në pamje duket që Kumbulla nuk ka kontakt me sulmuesin vendas. Pas këshillimit në kufje arbitri nuk e anullon penalltinë.

12' Broja 'vjedh' një top dhe futet bukur në zonë. Sulmuesi pason për Laçin, por goditja e tij ndalet në këmbët e mbrojtësit vendas.

9' Katër goditje këndi, nga dy për secilën skuadër. Tanët qarkullojnë topin.

6' Loja përqëndrohet në mesin e fushës.

2' Gutkovskis godet me kokë, pret Strakosha.

1' Topi i parë shkelmohet nga tanët.

Formacionet zyrtare:

Letonia (3-5-1-1): Zviedris; Jurkovskis, Cernomordijs, Balodis; Jaunzems, Saveijevs, Ciganiks, Varslavans, Zelenkovs; Ikaunieka; Gutkoskis Trajner: Paolo Nicolato

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Balliu, Ismajli, Kumbulla, Mitaj; Asllani, Shehu, Laçi; Broja, Hoxha, Manaj Trajner: Sylvinho

Renditja në Grupin K

Ora 23:40
Rey Manaj: Nuk po luajmë kalçeto me shokët, jemi në Kupën e Botës! Penalltia e humbur? S'kam fjetur fare, njerëzit s'e kuptojnë


Rey Manaj foli pas barazimit 1-1 që Kombëtarja mori në Letoni, një rezultat zhgënjyes për kuqezinjtë.

“Isha i kënaqur nga aksioni për golin 0-1. Por pastaj nuk ishim të përqendruar. Menduam se mund ta fitonim ndeshjen lehtë. Besoj se e preka unë topin në fund te goli. Por edhe autogol, për mua nuk ka rëndësi. Rëndësi ka që të fitojë Shqipëria.

Po luajmë për Kupën e Botës, nuk po luajmë kalçeto me shokët. Normale që është e vështirë të bësh gol. Futbolli nuk luhet me matematikë. Fakti që është në vendin e 138 duhet t’i bësh 5 gola dhe Serbisë që është në vendin e 30 nuk duhet t’i bësh gol.

Mund të jetë një ngarkesë tani në fund të sezonit, kemi luajtur shumë ndeshje. Është edhe presioni, sepse të gjithë mendonin se do të vinim në Letoni dhe do të fitonim 0-3. Duhet të përgatitemi më mirë dhe të shënojmë në ndeshjet e tjera.

Ndeshja me Serbinë, penalltia e humbur dhe shiriti i kapitenit?

Mbas penalltisë nuk kam fjetur fare gjumë. Gjysma e njerëzve disa gjëra nuk i kuptojnë. I pranoj kritikat. Ka lojtarë me eksperiencë në ekip dhe lojtar të rinj. Ne më të vjetërit, duhet ta marrim situatën në dorë. Mbase jemi të ngarkuar. Në shtator t’i futemi fortë dhe të synojmë vendin e dytë, sepse është një shans i artë për të shkuar në Botëror.  

Shiriti? Ndeshjen e parë me Kombëtaren e kam luajtur në 2015, kam gati 10 vite. Folëm me stafin dhe më të gjithë, nuk është se më futi nën presion shiriti”, tha Manaj për 'Supersport'.

Ora 23:36
Armando Broja i sinqertë: Sot na mungoi gjithçka

Sulmuesi i Kombëtares, Armando Broja foli pas barazimit zhgënjyes 1-1 që Shqipëria mori në Riga kundër Letonisë.

“Sot na ka munguar gjithçka. Në pjesën e parë nuk e luajtëm shpejt topin, nuk futëm shumë topa në zonë, nuk bëmë goditje në portë. Strakosha bëri pritje të bukur te penalltia, goli i Letonisë, na i prishi moralin. Këto ndeshje janë të vështira. Në qoftë se nuk shënon, ka për të qenë ndeshje e vështirë. Ata donin të luanin vetëm me topa të gjata, të vononin lojën.  

Trajneri merr vendimet e ekipit. Çdo lojtar ka kapacitet për të luajtur 90 minuta. Ndoshta ishin njëçik të lodhur. Ajo ishte një ndeshje e vështirë, na ka konsumuar fizikisht. Edhe kjo ishte e vështirë. Jemi mërzitur shumë, nuk kemi luajtur mirë sot. Shanse për vendin e dytë ka. Ky grup nuk është i lehtë. Kemi shanse për t’u kualifikuar nëpërmjet vendit të dytë.  

Ekipet e vogla mbyllen, rrijnë shumë në mbrojtje, është e vështirë të krijosh shanse, siç bëjmë ne kundër Anglisë dhe Serbisë. Duhet më shumë të qarkullojmë topin dhe duhet të fusim më shumë topa në zonë dhe të krijojmë shanse. 

Kemi bërë disa skema në stërvitje për të krijuar shanse. Kur futesh në lojë është më ndryshë. Duhet të krijonim më shumë shanse”, u shpreh Broja për 'Supersport'.  

Ora 23:27
'Jeta nuk të fal, mëkat që falëm 45 minuta', Sylvinho: Ky barazim ishte një hap pas për objektivat


Trajneri i Kombëtares, Sylvinho foli për 'Klan' pas ndeshjes që Shqipëria barazoi 1-1 në Letoni. I zhgënjyer braziliani që e quan një hap pas. Sipas tij pjesa e parë ishte e "falur" për kundërshtarin. Kjo një kritikë direkte për kuqezinjtë.

"Është penalltia e parë që kemi pësuar në këto 2 vite e gjysmë. Kemi gabuar. Strakosha ka bërë një pritje të jashtëzakonshme. Bëmë një gol, por më pas kemi gabuar. Futbolli nuk të fal. Në pjesën e parë kemi gabuar shumë, sidomos në qarkullimin e topit nga ekipi kundërshtar.

Jemi përmirësuar më shumë në pjesën e dytë, por nuk mjaftoi. Duhet të futemi në fushë me një qendrim ndryshe, me një përqendrim më të madh, pasi futbolli është 90 minuta. Gabimet më të mëdha kanë qenë në pjesën e parë, kemi shpërdoruar 45 minuta.

Duhet të dimë të shkojmë drejt atij objektivi që kemi vendosur. Objektivi ishte që të fitonim. Kemi merituar diçka më shumë edhe me Serbinë, por kur arbitri thotë “kaq”, atëherë marrim vetëm një pikë dhe kaq. Mëkat që shpërdoruam 45 minuta.

45 minuta janë një kohë shumë e gjatë për të pritur, si në jetë, ashtu edhe në futboll. Edhe nëse je Brazili, apo Italia, nuk fiton dot nëse nuk bën atë që duhet bërë në fushë, pavarësisht nëse je favorit në letër.

Sigurisht që ishte një hap pas nga ndeshja me Serbinë, sidomos në 45 minutat e para. Kur kemi vendosur një objektiv nuk mund të presim. Jeta nuk të fal, ashtu edhe futbolli. Qasja ishte e gabuar", tha Sylvinho.

Ora 23:25
Strakosha: E kemi vështirë të shënojmë


Portieri Thomas Strakosha priti penalltinë në barazimin 1-1 të Kombëtares në Letoni. Pas ndeshjes ai tha se ekipi e ka të vështirë të shënojë.

“Na mungoi goli i dytë. Duhet të ishim më të përqëndruar, kemi treguar që nuk e kemi kaq të thjesht. Duhet të mbrojmë më të mirë dhe të jemi më agresivë përpara.

E pyeta Bozhiqin (trajnerin e portierëve) te penalltia çfarë mendonte, më tha mendimin e vet.

Duhet të mbanim topin mbrapa më shumë në pjesën e parë. Dhamë 4-5 korne në pjesën e parë, nuk duhej kaq thjesht. Asgjë nuk ka mbaruar, duhet të merrnim edhe dy pikë këtu.

Duhet të shikojmë veten tonë, të marrim pikët brenda në shtëpi me Letoninë. Në pjesën e parë Sylvinho normalisht nuk ishte i lumtur”, u shpreh Strakosha për “Supersport”.

Ora 23:17
Kristjan Asllani: Sylvinho më tha të kthehesha në mbrojtje


Kristjan Asllani foli pas barazimit 1-1 mes Letonisë dhe Shqipërisë.

"Sigurisht që nuk ka qenë pjesë e parë pozitive. Nuk e di çfarë ka ndodhur, kishim fat se gabuan penalltinë dhe gjetëm golin. Nuk mund të bëhet pjesa e parë kështu sepse e dimë çfarë ëndrre kemi dhe kështu bëhet çdo gjë e vështirë.

Të gjitha ndeshjet e vështira. Serbia ka dy ndeshje më pak, jemi në vend të dytë. Çunat do pushojnë, unë do shkoj në Botëror për klube. Më pas në shtator duhet Shqipëri tjetër.

Pjesën e parë kam shkuar shumë herë lart. Kemi marrë kundërsulme, trajneri na kërkoi të ktheheshim në mbrojtje mua dhe Shehut se mbrojtja gjendej vetëm.

Pjesa e parë problemi besoj se vinte nga presimet individuale dhe jo skuadra. Lamë mbrojtjen vetëm dhe kishte shumë probleme. Kur të kthehemi do punojmë akoma më fort. Duhet të luajmë për të fituar ndeshjet.

Do shkoj në Botëror për klube, për merkato do flasim se jam i lodhur edhe nga ndeshja. Këto gjëra do i shohim dhe do flasim", tha Asllani për "Klan".

Ora 23:16
Mario Mitaj: Bëmë shumë raste, por jo golin

1749590220_1749332901mariomitaj.jpg
Mbrojtësi Mario Mitaj foli pas barazimit 1-1 të Kombëtares në Letoni, duke mos e fshehur zhgënjimin.

“Nuk kam se çfarë të them shumë për këtë ndeshje. Ishte një kundërshtar shumë i fortë. Në pjesën e dytë bëmë shumë raste, por nuk bëmë golin. Kur shohim që nuk e bëjmë dot golin aq lehtë, duhet të shikojmë që të mos pësojmë. Shpresoj që të shënojmë në ndeshjet e tjera. E dinim që ata ishin të rrezikshëm nga goditjet standarte, por ishte thjesht një shpërqendrim", tha Mitaj.

Ora 23:08
NOTAT/ Kristjan Asllani 'ylli' i mbrëmjes, Mitaj e Shehu 'ok'! Strakosha hero

Kombëtarja shqiptare e futbollit barazoi 1-1 kundër Letonisë në Riga. "SofaScore" ka vlerësuar Kristjan Asllanin si më të mirin e ndeshjes me notën 8.0, ndërsa Mario Mitaj, Julian Shehu, Strakosha, Manaj dhe Balliu me notë kaluese. Kujtojmë se Thomas Strakosha ndali një penallti duke mbajtur tanët në lojë në minutë e 21.

Notat e Letoni 1-1 Shqipëri sipas 'Sofascore'

 

Ora 20:26
Sylvinho i heq penalltinë Manajt, e zbulon Bulku: Ja kush do ta godasë


Rey Manaj luan sërish titullar me Kombëtaren, ndërsa kundër Letonisë do jetë edhe kapiten i ekipit. Pas humbjes së penalltisë kundër Serbisë, sulmuesi Manaj nuk do godasë më 11 metërshat, por i janë besuar Asllanit.

“Për Gjimshitin e dimë që mungon për kartona, Ajeti është i pamundur. Të gjithë lojtarët janë të rëndësishëm. Çdo lojtarë që futet në fushë është i rëndësishëm. Balliu është një zgjedhje teknike e trajnerit. E vërtetë që Hysaj zhvilloi një ndeshje shumë të mirë, por kjo nuk do të thotë gjë, Balliu është zgjedhje teknike. 

Penallti kanë humbur lojtarë më të mëdhenj se Manaj, nuk do të thotë që një lojtar që humb penallti, të nxirret nga formacioni. 

Kapiteni zgjidhet në bazë të ndeshjes. Në qoftë se do të ketë penallti do ta gjuajë Asllani. Çdo kush mund të ishte pjesë e formacionit, duke u nisur nga ndeshja e mirë me Serbinë, trajneri vendosi t’i besonte të njëjti sulm. Zgjidhjet janë në bazë të atyre që shikojmë gjatë stërvitjeve”, u shpreh Bulku për 'Supersport'.

Ora 19:25
Formacionet zyrtare/ Sylvinho bën tre ndryshime, Hysaj ulet në stol! Manaj kapiten, titullarët kundër Letonisë

Trajnerët Paolo Nicolato dhe Sylvinho kanë bërë me dije edhe formacionet zyrtare të ndeshjes mes Letonisë dhe Shqipërisë, e cila zhvillohet sot në Riga me fillim nga ora 20:45.

Sylvinho ka bërë tre ndryshime nga ndeshja kundër Serbisë, luajtur tre ditë më parë. Gjimshiti i pezulluar është zëvendësuar nga Kumbulla, ndërsa Ajeti i dëmtuar nga Ismajli. Ndërkohë Balliu ka marrë vendin e Hysajt, paçka se shkodrani ishte lojtari më i mirë kundër serbëve. Manaj në majën e sulmit me shiritin e kapitenit për herë të parë. Letonia luan në mbrojtje.

Formacionet zyrtare:

Letonia (5-3-1-1): Zviedris; Jurkovskis, Cernomordijs, Balodis; Jaunzems, Saveijevs, Ciganiks, Varslavans, Zelenkovs; Ikaunieka; Gutkoskis Trajner: Paolo Nicolato

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Balliu, Ismajli, Kumbulla, Mitaj; Asllani, Shehu, Laçi; Broja, Hoxha, Manaj Trajner: Sylvinho

Ora 19:08
VIDEO/ Kombëtarja luan me fanellat e bardha kundër Letonisë, brenda dhomës së zhveshjes gjithçka gati

Kombëtarja shqiptare e futbollit luan kundër Letonisë pas pak dhe në stadiumin e Rigës duket gjithçka gati. Kombëtarja jonë do luajë me uniformën e dytë, atë të bardhë.

 

Ora 18:40
Pesë barazime në po kaq ndeshje, Shqipëria dhe Letonia 'takohen' pas 26 vitesh

Në historinë mes Shqipërisë dhe Letonisë nuk ka asnjë fitues në pesë përballjet e mëparshme. Të pesta barazime, me skuadrat që kanë shënuar nga gjashtë gola në portat respektive. Ndërkohë, takimi i fundit i zhvilluar mes Shqipërisë dhe Letonisë daton më 4 shtatorin e vitit 1999, pra diçka më pak se 26 vite më parë.

Për herë të parë Shqipëria dhe Letonia u ndeshën më 11 nëntor 1992 në Tiranë, për kualifikueset e Kupës së Botës 1994. Ndeshja mbyllej në barazim 1-1, ndërsa në barazim pa gola (0-0) mbyllej sfida e kthimit në Letoni më 15 majin e 1993.

Më 10 shkurt 1998 Shqipëria dhe Letonia barazonin 2-2 në një turne të zhvilluar në Maltë.   

Më pas dy skuadrat janë përballur në të njëjtin grup për kualifikueset e Euro 2000. Më 28 prill sfida në Letoni mbyllej 0-0, ndërsa në atë të kthimit në Tiranë dy skuadrat barazuan 3-3 më 4 shtator 1999.

Ora 17:36
Fitorja detyrim, Letonia nuk vlen as sa… Ernest Muçi


Kombëtarja shqiptare vlen më shumë se 11 fishi i asaj letoneze. 109.35 milionë euro është vlera e lojtarëve që Sylvinho ka grumbulluar për ndeshjet e qershorit, sipas faqes ‘Transfermarkt’. Nga ana tjetër, trajneri Paolo Nicolato ka një ekip modest në letër, pasi gjithë vlera e ekipit shkon në 9.58 milionë euro. Lojtari më i vlefshëm i Letonisë është mbrojtësi i Aberdeen, Kristers Tobers, me 1 milion euro. Vetëm Ernest Muçi (11 milionë euro) vlen në treg më shumë se gjithë ekipi i Letonisë.

Ora 17:27
Sërish në tribunë, dy të sakrifikuarit e Kombëtares


Për ndeshjen kundër Letonisë trajneri Sylvinho nuk do ketë të gatshëm dy qendërmbrojtësit, Berat Gjimshiti për shkak të pezullimit për kartona dhe Arlind Ajetit për shkak të një lëndimi muskulor në kofshën e majtë. Të dy ishin titullarë kundër Serbisë. Veç tyre, trajneri ka lënë në tribunë sërish portierin Mario Dajsinani dhe mesfushorin Adrion Pajaziti. Ndërkohë me grupin janë bashkuar Adrian Bajrami dhe Medon Berisha.

Ora 17:03
Sylvinho me katër dilema për formacionin, ja si luan Kombëtarja në Riga


Trajneri Sylvinho ka katër dilema për formacionin me të cilin Kombëtarja do dal sot në fushë për përballjen në transfertë kundër Letonisë. Për shkak se vetëm tre ditë më parë kuqezinjtë shpenzuan energji në barazimin 0-0 kundër Serbisë, Sylvinho po mendon për disa ndryshime.

Me Gjimshitin dhe Ajetin që mungojnë, qendra e prapavijës do t'i besohet Ismajlit dhe Kumbullës, ndërsa balotazh ka edhe për fashën e djathtë të mbrojtjes, ku Balliu pret një shans, paçka se Hysaj ishte lojtari më i mirë i tanëve kundër Serbisë.

Dilemë edhe për mesin e fushës dhe qendrën e sulmit, ku Bajrami dhe Daku duan një fanellë titullari. Nisur edhe nga kundërshtari dhe fakti se tanët duan patjetër lojë sulmuese, sot priten ndryshime nga braziliani i stolit.

Formacioni i mundshëm:

Shqipëria (4-3-3): Strakosha; Hysaj (Balliu), Ismajli, Kumbulla, Mitaj; Asllani, Shehu, Bajrami (Laçi); Hoxha (Muçi), Broja, Manaj (Daku) Trajner: Sylvinho

S.Dh/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Gjergji: 11/06/2025 13:50

    Kombetarja jone ka kohe qe e ka hequr nga fjalori fjalen GOOOL.

    Përgjigju
  • Bledi: 11/06/2025 09:47

    Duhet Manaj të lozte në krah dhe Broja në qendër, sepse Manaj është lojtar më energjik për krahun,kurse Broja si pykë duhej

    Përgjigju
  • Iris: 11/06/2025 06:03

    U jane prere krahet cunave,te gjithe me koken varur,kaq te merzitur nuk i pame as pas ndeshjes me Serbine.Le te japim arsyet:1-Ne kemi pasionin,por jo kembet per futboll,nuk i kemi patur kurre ne fakt.Kemi fituar aty-ketu,por nuk i fut skuadrat tona ne ato me suksese te cimentuara,se ne ato me suksese te medha jo e jo.2-Nuk fitohet duke u mbledhur per 3-4 seanca stervitore sic e bejne keta.Shikoj skuadren e ketueshme,mblidhen 6 muaj para ndeshjes e sterviten vazhdimisht,kurse tanet mblidhen ne seanca stervitore qe u ngjajne per nga efekti vetem nxemjeve qe benim dikur para fillimit te mesimit.3-Sjelljet e egot e lojtareve ne stervitje e ne raportet e tyre me skuadren e trainjerin,mendoj qe sjellin pasoja e efekte ne loje e rezultat.

    Përgjigju
  • Ardi: 10/06/2025 22:55

    Rrembythje skuader ,dhe Delvina do luante me mire. Turp!

    Përgjigju
  • rudi: 10/06/2025 22:49

    jep dorheqjen tranjer se nuk shtyhet ma

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Jeni dakord me kërkesën e gjyqtarëve për rritje të pagës me 700 euro?