Shqipëria mund të ketë për herë të parë një medalje të artë në Lojërat Olimpike. Bëhet fjalë për mundësin e natyralizuar Chermen Valiev, i cili në "Paris 2024" fitoi medaljen e bronztë në stilin e lirë të mundjes deri në 75 kg.
Përpara se mundësi kuqezi të ishte në garë për vendin e tretë, presidenti i Federatës së Mundjes, Sahit Prizreni dhe KOKSH u ankuan për eliminimin e padrejtë dhe vendimet jo të sakta të gjyqtarëve pas eliminimit të Valiev në çerekfinale.
Mundësi ynë u eliminua 6-5 nga uzbeku Jamalov Razambek, kjo pas pikës teknike të kundërshtuar nga tanët fill pas garës. Për "RTSH 24", kreu i mundjes në vend, Sahit Prizreni ka konfirmuar se vendimi për eliminimin e Valiev është dërguar në CAS, duke sjellë edhe paralelizëm se e drejta ka trimfuar në disa episode të ngjashme dhe në rast se CAS (Lozanë) i jep të drejtë palës shqiptare, atëherë Valiev do marrë vendin e parë dhe medaljen e artë.
Kjo pasi rivali që e eliminoi mundësin tonë në çerekfinale, Jamalov Razambek ia doli të fitonte vendin e parë në këtë peshë.
"Chermen Valiev i është mohuar ndeshja në gjysmëfinale, i është vjedhur dhe ne kemi bërë një ankimim në CAS. Unë pretendoj që drejtësia të vihet në vend. Ajo që ka ndodhur me Chermen Valiev dhe kundërshtarin nga Uzbekistani është një vjedhje e hapur pasi nuk ka rregullore që justifikon ato që bëri arbitri ku morën 10 sekondat e fundit duke i marrë pikë djalit tonë.
Ndjemë që na është bërë padrejtësi, por kur morëm dy medalje ndihem pak i lehtësuar dhe i lumtur që ne ja dolëm. Unë shpresoj që drejtësia do të vihet në vend dhe nëse kjo ndodh do të thotë që ne do kemi një medalje ari dhe një bronzi.
Ka precedent të një rasti të një vajze në Indi, e cila mori medaljen e artë nga SHBA pasi drejtësia foli pas përfundimit të Lojërave. Shqipëria e ka kryer misionin e saj”, tha Prizreni.