TIRANE- Një ndeshje historike! Për herë të parë Shqipëria ka një stadium të parametrave evropian, pagëzuar me emrin "Air Albania". Më në fund kuqezinjtë do të përballen si të barabartë me çdo kundërshtar jo vetëm në fushë, por edhe për sa i përket infrastrukturës.
Pikërisht këtë moment nuk do të humbë askush. Më shumë se 100 mijë sportdashës kanë shprehur interes për të qenë prezent në këtë moment historik në ndeshjen e kuqezinjve përballë francezëve, por kapaciteti i stadiumit është 22 mijë tifozë.
Rreth e qark stadiumit mbizotëroi ngjyra kuqezi me tifozë nga të gjitha moshat. 1 mijë forca policore ishin në terren për të garantuar sigurinë dhe për të shmangur incidentet. Kontrollet ishin të rrepta dhe të përforcuara. U ndaluan sendet e forta, deri tek farat, ndërsa për t'u futur brenda stadiumit, stujuartët kontrolluan imtësisht edhe poshtë kapuçëve e kapeleve të tifozëve. Nuk munguan edhe ngjyrat e flamurit francez, të cilët edhe pse të pakët në numër dhuruan një atmosferë të bukur.
Interes të madh për këtë ndeshje kanë treguar edhe mediat franceze, që kanë bërë rreth 80 kërkesa për akreditim, numër ky shumë më i lartë kraharuar me gazetarët shqiptarë, të cilët do të jenë vetëm 25. Gjithashtu, FSHF-ja angazhoi 150 studentë nga Akademia e Sporteve për të ndihmuar tifozët të hyjnë në stadium.
Pak para se të fillonte ndeshja presidenti i UEFA-s, Aleksandër Çeferin zhvilloi një konferencë për shtyp ku tha se futbolli shqiptar është në rrugën e duhur dhe se tashmë duhet të pretendojë edhe më shumë se kualifikimi në europian ose botëror.
Kuqezinjtë nuk do të kenë presion e rezultatit, pasi shpresat për kualifikim u shuan që në Turqi, por sonte do të tentojnë që ta nisin me këmbën e mbarë në stadiumin e ri, por 90' nuk janë të lehta, kur mendon se përballë janë as më pak dhe as më shumë, por kampionët e botës.
Stadiumi u mbush plot, ndërsa u inaugurua me një ceremoni të veçantë ku i pranishëm ishte edhe presidenti i UEFA-s, Ceferin, ndërsa atmosferën para ndeshjes e ndezën këngëtarët Era Istrefi me këngën e botërorit 'Live It Up', Aurela Gaçe, Elvana Gjata, Flori Mumajesi si edhe Juliana Pashën që këndoi himnin shqiptar.
Postimi i Ilir Metes
Presidenti Ilir Meta ka ndjekur nga shtëpia ndeshjen Shqipëri-Francë, duke munguar në ndeshjen inauguruese të stadiumit 'Air Albania'. Ai ka postuar foto bashkë me macen e tij Sashën duke teksa ndjek përballjen e kombëtares përballë Francës duke e shoqëruar edhe me shkrimin.
"Me Sashën duke shpresuar!", shkruan Meta.
Tifozët kuq e zi kanë risjellë në nisje të ndeshjes hapës në stadiumin Air Albania historinë që mbajnë themelet e tij. Në shkallët e stadiumit është shpalosur një shqiponjë gjigante, në sfondin e së cilës është stadiumi i vjetër që mbante emrin Qemal Stafa. Emrin Qemal Stafa në stadium sot e mban pikërisht tribuna qendrore.
Pas inaugurimit të stadiumit Air Albania, kryeministri Edi Rama është përballur me një suprizë të hidhur. Disa tifozë kanë thirrur në kor 'Rama ik' pak para nisjes së ndeshjes Shqipëri-Francë.
Ministri i Punëve të Brendshme Sandër Lleshaj, ka preferuar të mos e ndjekë nga stadiumi ndeshjen historike për herë të parë në stadiumin e ri kombëtar, mes kuqezinjve dhe Francës. Por për një gjest fisnik. Në shenjë respekti për sakrificën e saj në detyrë, Lleshaj ia ka lënë vendin e tij, efektives së policisë, Ina Nuku, e cila mbeti e palgosur në dorë gjatë një protestë të opozitës kundër qeverisë ku u plagos nga shpërthimi i një mjeti pirroteknik.
"Sot në këtë ditë të rëndësishme për futbollin shqiptar, preferova të dërgoj Ina Nukën në vendin tim në stadium, si shenjë respekti për sakrificën e kësaj punonjëse të Policisë së Shtetit. Bashkë me urimet më të mira për gjithë sportdashësit shqiptarë, që sot si kurrë ndonjëherë më parë në historinë e futbollit janë mbledhur nën ngjyrat kuqezi për të përkrahur ekipin tonë kombëtar. Rroftë Shqipëria!", shkruan Lleshaj në rrjetet sociale teksa poston foton e efektives brenda stadiumit e veshur kuqezi.
Himni kombëtar i Shqipërisë është kënduar nga këngëtarja Juliana Pasha. Si fillim në respekt të skuadrës mike është kënduar himni francez, i cili fatkeqësisht u vërshëllye nga disa tifozë shqiptarë. Dhe më pas, himni i kuqezinjve ngriti në këmbë rreth 21 mijë tifozët kuqezinjtë që ndodhet në stadium. Duhet thënë se më herët, ka qenë tenori i njohu Kastriot Tusha që ka kënduar himnit në ndeshjet e kombëtares, por në këtë takim historik, në ndeshjen inauguruese të stadiumit, FSHF-ja zgjodhi një zë femëror, pikërisht Juliana Pasha.
Aurela Gaçe dhe Era Istrefi kanë elektrizuar 21 mijë tifozët në stadiumin kombëtar. Ishte fillimisht, Aurela Gaçe e cila me këngë 'Xhamadani Vija-Vija' që ngriti 21 minë tifozët e pranishëm shqiptar dhe më pas zbriti në fushë Era Istrefi, me këngën e saj 'Live it up' që dha pak atmosferë botërori në këto ndeshje.
Një koreografi spektakolare...është kjo që u është ofruar të gjithë tifozëve në ndeshjen hapëse Shqipëri- Francë
Kur kanë mbetur edhe pak minuta nga nisja e ndeshja Shqipëri-Francë, tifozët kanë dhuruar një super spektakël.
Jo gjithçka ka shkuar mirë në nisje të ndeshjes Shqipëri-Francë! Sistemi vaditës i stadiumit ka lagur tifozët prapa portës. Kjo gjë ka shkaktuar të qeshura në stadium, por me siguri tifozët që janë bërë qull nuk e kanë përjetuar shumë mirë, aq më tepër që temperaturat janë të ulëta. Megjithatë, dashuria për skuadrën kombëtare meriton një sakrificë.
Tifozët francezë kanë 'sfiduar' hapur kuqezinjtë. Ato kanë dhuruar spektakël në rrugët e kryeqytetit. Të mbledhur në grupe, me flamujt francez në duar, ato janë drejtuar stadiumit kombëtar duke krijuar një super atmosferë në kryeqytet.
Ka nisur hyrja e tifozëve në stadium. Tifozët i janë nënshtruar kontrolleve të rrepta. Siç shihet në videot e sjella në Shqiptarja.com, tifozët nuk u janë lejuar që të marrin asnjë send me vete, as ujë, as fara që e kemi parë shumë shpesh në ndeshjet shqiptare.
Presidenti Ilir Meta ka nderuar kreun e UEFA-s Aleksander Čeferin, me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”.
"Për kontributin e çmuar dhe angazhimin e tij personal, në mbështetje të zhvillimit cilësor të futbollit në Shqipëri, pata kënaqësinë të vlerësoja sot Presidentin e UEFA-s, Aleksander Čeferin, me Titullin e lartë “Kalorës i Urdhrit të Skënderbeut”, simbolin e krenarisë tonë kombëtare që përcaktoi rrugëtimin dhe identitetin europian të Shqipërisë dhe të shqiptarëve", shkruan Meta.
Shqiptarët i karakterizon mikpritja dhe këtë e kanë treguar më së miri edhe në ndeshjen e sotme mes Shqipërisë dhe Francën. Një grup shqiptarësh u kanë kërkuar foto tifozëve francez, një gjest ky shumë i bukur nga ana e shqiptarëve të cilët dinë të bëjnë mjaft mirë diferencën...në stadium janë kundërshtarë, jashtë saj janë miq.
Rreth 20 mijë flamuj në çdo stol të stadiumit është kjo dhurata që i pret të gjithë tifozët që do të shohin ndeshjen Shqipëri- Francë. Siç shihet në fotot e sjella nga gazetari Antonio Çakshiri, në çdo stol ka një flamur që do krijojë padyshim një atmosferë elektrizuese që nuk e kemi parë kurrë më parë në ndeshjet e tjera të kombëtares.
Një shqiptar që jeton në Gjermani ka marrë rrugën për në Shqipëri, specifikisht për të parë kombëtaren përballë kampionëve të botës. Për mikrofonin e Report TV, ai tregon se nuk po 'shfrytëzuar" këtë ndeshje për të parë yjet e futbollit botëror, por ato shqiptarë.
"Atmosfera është shumë e bukur dhe jam shumë i gëzuar që më në fund kemi një stadium dinjitoz. Unë kam ardhur dje enkas nga Gjermania. Jam tifozë i përhershëm. Interesi është për kombëtaren tonë, jo për Francën, se po të kishim interes për Francën do kishim shkuar në Francë", tha tifozi.
80 gazetarë francezë do të jenë të pranishëm në stadiumin 'Air Albania' për ndeshjen Shqipëri-Francë, 55 më shumë se gazetarë shqiptarë. Pra në stadium për të raportuar për këtë ndeshje janë vetëm 25 gazetarë shqiptarë. Më herët, një prej tyre, Eduard Ilnica akuzoi FSHF-në se i ka mohuar të drejtën për të qenë i pranishëm në stadium.
Kjo është ndeshja e parë ku kombëtarja kuqezi do të luajë në 'Air Albania Stadium'. Duke qenë se kjo është hera e parë për tifozët dhe nuk e njohin mirë stadiumi, FSHF-ja ka menduar që të angazhojë 150 studentë nga Akademia e Sporteve që do të orientojnë tifozët të zënë vendin e tyre shkallët e stadiumit. Gazetari i Report Tv, Ernest Koçi bën me dije se tifozët do t'i nënshtrohen dy kontrolleve. Së pari nga Policia e Shtetit, disa metra larg nga hyrja e stadiumit dhe më pas nga policët provat, që janë 360 të tillë.
Ndeshja Shqipëri-Francë në aspektin futbollistik nuk ka një vlerë të madhe, megjithatë për shumë arsye të tjera, si inaugurimi i 'Air Albania Stadium' apo ardhja e kampionëve të botës ka ngjallur interes tek tifozët shqiptar, të cilët i kanë blerë biletat në kohë rekord. Kur kanë mbetur edhe pak orë nga nisja e ndeshjes, atmosfera në rrugët e kryeqytetit është shumë e zjarrtë. Tifozët francez u kanë dhënë hijeshi rrugëve të kryeqytetit, të cilët e kanë shfrytëzuar këtë takim edhe për të vizituar kryeqytetin. Nga ana tjetër, edhe tregtarët e kanë parë si një ditë shumë të mirë për të bërë tregti. Flamujt kuqezi, por edhe ai kosovar shihen të vendosur anash rrugëve në pritje për t'u blerë nga tifozët, që për motive nga më të ndryshme nuk kanë marrë me vete një të tillë në stadium.
Tifozët francez
Ndeshja Shqipëri-Francë ka bërë bashkë legjendat kuqezi. Ervin Fakaj, Foto Strakosha, Altin Haxhi, Geri Çipi, Erion Bogdani, Ervin Skela, Klodian Duro, Alban Bushi, Igli Tare dhe Florian Myrta kanë shfrytëzuar këtë ndeshje të rëndësishme për Shqipërinë, jo aq në aspektin futbollistik, për t'u bërë bashkë dhe për të kujtuar kohët e vjetra. Dikur, me lojën e tyre kanë bërë shumë krenar qindra tifozë kuqezi, e ndërsa sot shumë prej tyre tashmë janë në poste drejtuese.
Ndonëse ka edhe 6 orë nga nisja e ndeshjes Shqipëri-Francë, e para në 'Air Albania Stadium', kurioziteti i ka shtyrë tifozët që të mbërrijnë në stadium. Me flamurin shqiptar disa bëjnë foto, disa të tjerë shohin me kureshtje ambientin rreth stadiumit, por të gjithë janë aty për një qëllim: që të mbështesin skuadrën e zemrës, kombëtaren kuqezi.
Policia ka bllokuar dhe sekuestruar në pikën e kalimit kufitar në Morinë një çantë me kapsolla që u gjet në autobusin me tifozë nga Kosova që po udhëtonin drejt Shqipërisë për ndeshjen e sotme përballë Francës. "Në kuadër të masave të marra për garantimin e rendit dhe sigurisë , parandalimin e futjes së fishekzjarrëve dhe kapsollave në stadium gjatë ndeshjes që do luhet mbrëmjen e sotme në stadiumin "Arena Kombëtare", në Tiranë, Policia ka shtuar masat e kontrollit duke filluar që në hyrje në pikat e kalimit kufitarë dhe deri në momentin që tifozët do hyjnë në stadium.
Si rezultat i masave të marra, Policia Kufitare e Morinës gjatë kontrollit të ushtruar së bashku me autoritetin doganor në autobusin me drejtues shtetasin kosovar B. M, gjeti një çantë shpine me fishekzjarrë dhe kapsolla, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale. Në këtë autobus udhëtonin në mënyrë të organizuar shtetas kosovarë për të marrë pjesë në ndeshjen e futbollit Shqipëri-Francë.
Kontrollet e rrepta do vijojnë në të gjitha pikat e kalimit kufitar, dhe në çdo ambient ku dyshohet se mund të ketë fishekzjarre dhe kapsolla, si dhe për elementë me precedent kriminal që mund të tentojnë për të hyrë në stadium.
Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, gjatë takimit të bërë paradite me grupin e punës për menaxhimin e masave të marra për mbarëvajtjen e aktivitetit ndërkombëtar, kërkoi nga të gjitha strukturat e Policisë, angazhim, seriozitet, përkushtim për përmbushjen e detyrave .
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e tifozërisë dhe sportdashësve që të respektojnë me rigorozitet gjithë udhëzimet e dhëna nga Policia dhe Federata e Futbollit, dhe të mos tentojnë për të futur në stadium sende të kundërligjshme pasi do përballen me pasojat ligjore" deklaron Policia e Shtetit.
Gjatë mbrëmjes së sotme do të mbahet ceremonia inaguruese e stadiumit më të ri në Shqipëri, “Air Albania Stadium", ku do të luhet edhe ndeshja Shqipëri-Francë.
1000 forca policore do të jenë te angazhuara për barëvajtjen e gjithë aktivitetit dhe për të parandaluar situata të pakëndëshme apo dhune.
Janë marrë një sërë masash për lëvizjen e automjeteve, ku do të jenë të lira dy akset rrugorë, rruga e Elbasanit dhe zona e Unazës.
Në orën 12:00 do të hiqen të gjtha makinat që janë afër stadiumit për të krijuar hapësirën e automjeteve të tifozëve.
Në orën 18:30 do të fillojë hyrja për në stadium, ku tifozët do të zënë vendet përkatëse.
Do të ketë kufizime në rrugët e tjera afër stadiumit apo në vendparkime, për të mos krijuar kaos.
Në rrugën e Elbasanit do të lejohen të kalojnë automjete te vogla apo autobuza të tifozëve ku ata do të munden të kalojnë.
Do të ketë kontrolle për automjetet që do të kalojnë në afrsi të stadiumit.
Për personat apo mjetet që janë të atorizuar për të hyrë në stadium duhet të kenë shenjën dalluese në xhamin e makinës nga Federata Shqiptare e Futbollit.
Për sa i përket dhunës në stadium do të jenë masa të rrepta nga ana e policisë.
Sipas kodit të ndryshuar personat që do të thyejnë regullat rrezikojnë deri në 3 vite burg.
Forcat e policisë kanë nisur që ditën e djeshme kontrollin e gjithë zonës, por ato do të jenë më të ashpra ditën e sotme.
Era Istrefi është një prej këngëtareve që do të performojë sot në ceremoninë inauguruese të “Air Albania Stadium”.
Në videon e publikuar nga koreografi Albi Nako, shihet Era teksa bën provat në fushën e stadiumit të ri.
“Live it up”, ishte kolona zanore e Botërorit “Rusi 2018” dhe do të jetë një prej këngëve që do të këndohet nga Era.
Këngëtarja nga Kosova do të performojë edhe dy këngë të reja për tifozët që do të jenë të pranishëm në stadium.
Jam dakort rama ik por mos harrojme qe dha mundesine me pas tre stadiume te kettyre permasave...e beri pa si politikane majtas e djathtas nje mut jane
PërgjigjuTë gjitha keto i bejme pervec futbollit.
PërgjigjuTe rrihet franca,,ishallah se nuk na hapi negociatat,,,..i lutemi futbokkistave te rrahin kete france te poshter...
PërgjigjuTe mundim Francen me patjeter si hakmarrje te moshapjes se negociatave nga Macroni.
PërgjigjuPo vlla .. bravo..!
Me ndihmon njeri si ta vej? 1 ,X apo 2? E kam fjalen per ndeshjen Rama-Meta neser.
Përgjigju