Libani: Lideri i Hayat Tahrir al-Sham u vra nga një sulm ajror rus! Assad premton përdorimin e forcës “për të çrrënjosur terrorizmin”

1 Dhjetor, 08:27| Përditesimi: 1 Dhjetor, 20:25

  • Share

Sipas qeverisë libaneze, lideri i Hayat Tahrir al-Sham, Abu Mohammad al-Jolani, është vrarë në një sulm ajror të kryer nga avionë luftarakë rusë mbi Aleppo. Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka deklaruar se forcat e saj ajrore kanë kryer sulme kundër rebelëve sirianë në mbështetje të ushtrisë së Damaskut, por pa specifikuar objektivat e goditura.

Gjithashtu, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut pretendon se Rusia ka realizuar pesë sulme ajrore të njëpasnjëshme kundër një kampi refugjatësh në një lagje të Idlibit, duke vrarë të paktën një civil dhe duke plagosur të tjerë.

Sidoqoftë, raportohet se xhihadistët e grupit Hayat Tahrir al-Sham dhe aleatët e tyre kundër regjimit të Bashar al-Asadit po përparojnë në provincën qendrore siriane të Hama-s, pasi kanë rimarrë territore të rëndësishme në Aleppo dhe Idlib, nga të cilat ishin dëbuar në vitin 2016. Dje, luftëtarët e organizatës të lidhur me al-Kaedën morën kontrollin e aeroportit ndërkombëtar të Aleppos.

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, ka premtuar se do të përdorë “forcën” për të çrrënjosur “terrorizmin” gjatë një bisede telefonike me një zyrtar të Abkhazisë, një rajon separatist pro-rus në Gjeorgji, sipas agjencisë shtetërore siriane të lajmeve, Sana.

Nga ana tjetër, Shtëpia e Bardhë ka akuzuar regjimin e Bashar al-Asadit për varësinë nga Rusia dhe Irani, duke e konsideruar këtë si shkakun kryesor për rënien e Alepos në duart e grupeve kryengritëse me shumicë islamike.

“Refuzimi i vazhdueshëm i regjimit të Asadit për t’u angazhuar në një proces politik dhe varësia e tij e madhe nga Rusia dhe Irani kanë krijuar kushtet që çuan në ngjarjet e fundit, përfshirë humbjen e kontrollit të tij në veriperëndim të Sirisë,” deklaroi zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare, Sean Savett.

Ora 20:21
Media: Pallati i presidentit sirian në Aleppo nën pushtimin e rebelëve (VIDEO)

 

Pallati i presidentit sirian Bashar al-Assad në Aleppo është pushtuar nga rebelët sirianë. Lajmin e kanë bërë të ditur mediat arabe.

Imazhet e pushtimit të ndërtesës, krejtësisht të shkretë, u publikuan nga vetë rebelët, pavarësisht se ky pushtim është vetëm simbolik.

Assad nuk e ka vizituar Aleppon që nga viti 2022, përveç një vizite të shkurtër në 2023 pas tërmetit.

Ora 16:33
Deputeti sirian Al Shami: Situata është serioze në Aleppo, OKB-ja dhe SHBA-ja të ndihmojnë me evakuimin e popullsisë nga vendi

Deputeti sirian është Anass Mohamed Alshami është shprehur në një intervistë të fundit se situata në Siri nuk është aspak e mirë pas sulmeve xhihadiste.

"Situata është shumë serioze. Ne kemi nevojë për ndihmën e Kombeve të Bashkuara, SHBA-së dhe të gjitha kombeve që mund të na ndihmojnë për të siguruar që njerëzit të largohen nga Aleppo” , tha Anass Mohamed Alshami, për LaPresse .

Më tej Alshami ka shtuar se disa njerëz janë larguar, por tani është e pamundur që ata të lëvizin.

“Milicët e tre grupeve rebele kanë marrë kontrollin e qytetit, përveç zonave ku ka forca kurde dhe ku ka pasur luftime të tjera. Shumë njerëz arritën të arratiseshin nga Aleppo në Ditët e fundit, por tani nuk është më e mundur të largohesh apo të hysh në qytet, ky është një problem i madh”, shtoi Alshami.

Ora 15:59
Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut: 372 viktima nga sulmet e xhihadistëve, mes tyre 48 civilë

1733065294_00036NU7MN.jpg

Siri

Të paktën 48 civilë nga një total prej 372 viktimash janë vrarë që nga e mërkura, kur përleshjet mes rebelëve kundër regjimit dhe ushtrisë siriane janë intensifikuar. Kështu bën të ditur Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Organizata deklaron se mes civilëve të vrarë është edhe një fëmijë gjatë sulmeve në Al-Atareb; katër studentë universiteti humbën jetën nga raketat e lëshuara nga Hayat Tahrir al-Sham në një konvikt studentor në Alepo.

Katër persona të tjerë u vranë nga sulmet ajrore ruse në një kamp refugjatësh në Idlib, dhe 16 të tjerë nga sulmet ajrore në rrethrrotullimin Al-Basel. Po ashtu, 23 të tjerë kanë humbur jetën në zona të ndryshme të Idlibit dhe në zonat e Al-Atareb.

Ora 14:37
Sulmet e xhihadistëve në Siri, Assad premton përdorimin e forcës “për të çrrënjosur terrorizmin”

1733060339_PresidentAssad.jpg

Bashar al-Assad

Presidenti i Sirisë, Bashar al-Assad, ka premtuar se do të përdorë “forcën” për të çrrënjosur “terrorizmin” gjatë një bisede telefonike me një zyrtar të Abkhazisë, një rajon separatist pro-rus në Gjeorgji, sipas agjencisë shtetërore siriane të lajmeve, Sana.

Assad deklaroi se “terrorizmi kupton vetëm gjuhën e forcës, dhe pikërisht me këtë gjuhë do ta thyejmë dhe do ta zhdukim, pavarësisht kush e mbështet apo e financon,” citohet nga Sana.

Ora 13:00
Sulme të reja ruse në veri-perëndim të Sirisë

1733054514_SEI231450145.jpg

Siri

Rusia ka realizuar pesë sulme ajrore të njëpasnjëshme kundër një kampi refugjatësh në një lagje të Idlibit, duke vrarë të paktën një civil dhe duke plagosur të tjerë. Këtë e ka bërë të ditur organizata jofitimprurëse me seli në Mbretërinë e Bashkuar, Observatori Sirian për të Drejtat e Njeriut (SOHR).

Më parë, SOHR kishte deklaruar se forcat e Moskës kishin goditur zonat rurale të Idlibit dhe Hama-s – jo shumë larg jugut të Alepos – ku grupi që udhëheq ofensive rebelësh “ka marrë kohët e fundit kontrollin”.

Ndërkohë, qeveria ka dërguar “përforcime të mëdha” për të ndërtuar një linjë mbrojtëse rreth fshatrave në fushën e Hama-s, shton organizata.

Ora 12:56
Observatori Sirian: Aleppo është plotësisht jashtë kontrollit të qeverisë

1733054257_httpsd1e00ek4ebabms.cloudfront.n1.jpg

Aleppo, Siri

Qyteti i Alepos, në veri të Sirisë, është plotësisht jashtë kontrollit të regjimit të Bashar al-Assad për herë të parë që nga fillimi i konfliktit në vend në vitin 2012. Këtë e raportojnë aktivistët e Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Xhihadistët e Hayat Tahrir al-Sham dhe fraksionet e rebelëve aleatë “kontrollojnë qytetin e Alepos, përveç lagjeve që janë nën kontrollin e forcave kurde. Për herë të parë që nga fillimi i konfliktit në vitin 2012, qyteti i Alepos është jashtë kontrollit të forcave të regjimit sirian,” tha për AFP Rami Abdel Rahman, kreu i Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut me seli në Britaninë e Madhe.

Ora 10:05
Irani: Pas sulmeve të rebelëve në Siri qëndron Uashingtoni

1733044097_800071256792884520423d4d10ea4.jpg

Abbas Araghchi

Ministri i Jashtëm i Iranit, Abbas Araghchi, deklaroi sot se Shtetet e Bashkuara kanë organizuar sulmet e rebelëve sirianë në Alepo dhe Idlib.

“Rajoni po përballet me komplotet e reja, duke përfshirë sulmet e fundit të grupeve Takfiri kundër qeverisë siriane,” tha Araghchi, duke shtuar: “Zhvillimet e fundit kanë zbuluar se këto grupe terroriste veprojnë nën komandën e Shteteve të Bashkuara.”

“Irani do të mbështesë fuqimisht qeverinë dhe ushtrinë siriane kundër grupeve terroriste,” theksoi Araghchi, cituar nga agjencia Irna.

Nga ana e tij, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmail Baghaei, dënoi sulmin e djeshëm ndaj konsullatës iraniane në Alepo: “Sipas Konventës së Vjenës, çdo shkelje e misioneve diplomatike nga ndonjë individ, grup apo qeveri është e papranueshme,” tha ai.

Araghchi do të mbërrijë sot në Damask, për ndalesën e parë të një turi rajonal, ku do të diskutojë zhvillimet e fundit në rajon. Të hënën ai do të vizitojë Turqinë. “Irani do të mbështesë fuqimisht qeverinë dhe ushtrinë siriane kundër grupeve terroriste,” deklaroi ministri i Jashtëm iranian.

Ora 09:25
Siri/ Xhihadistët përparojnë drejt Damaskut, qeveria mohon tërheqjen e ushtrisë

1732995745_SyriaPanoramaofDamascuscity.jpg

Damask, Siri

Xhihadistët e grupit Hayat Tahrir al-Sham dhe aleatët e tyre kundër regjimit të Bashar al-Asadit po përparojnë në provincën qendrore siriane të Hama-s, pasi kanë rimarrë territore të rëndësishme në Aleppo dhe Idlib, nga të cilat ishin dëbuar në vitin 2016.

Dje, luftëtarët e organizatës të lidhur me al-Kaedën morën kontrollin e aeroportit ndërkombëtar të Aleppos, i pari aeroport civil që bie nën kontrollin e HTS-së, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.

Rebelët tani po marshojnë drejt Hama-s dhe kanë pushtuar disa qytete dhe fshatra në pjesën veriore të provincës. Me përparimin e tyre, milicitë e mbështetura nga Irani janë tërhequr, ndërsa forcat kurde janë ripozicionuar në veri të Aleppos, raportojnë aktivistët.

Ndërkohë, burime lokale kanë përmendur tërheqjen e forcave siriane nga disa zona, por Ministria e Mbrojtjes në Damask e ka mohuar këtë.

“Konfirmojmë se njësitë tona janë ende të vendosura në pozicionet e tyre në veri dhe lindje të Hama-s dhe janë plotësisht të gatshme të zmbrapsin çdo sulm terrorist,” thuhet në deklaratë.

“Operacioni për të kundërshtuar sulmin terrorist po zhvillohet me sukses dhe së shpejti do të kalojë në fazën e kundërsulmit për të rimarrë të gjitha zonat e humbura,” përfundon deklarata.

Ora 09:18
Libani: Lideri i Hayat Tahrir al-Sham u vra nga një sulm ajror rus mbi Aleppo

1733041218_Jolani.jpg

Abu Mohammad al-Jolani

Sipas qeverisë libaneze, lideri i HTS-së, Abu Mohammad al-Jolani, është vrarë në një sulm ajror të kryer nga avionë luftarakë rusë mbi Aleppo.

Ministria e Mbrojtjes e Rusisë ka deklaruar se forcat e saj ajrore kanë kryer sulme kundër rebelëve sirianë në mbështetje të ushtrisë së Damaskut, por pa specifikuar objektivat e goditura.

K.M//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Berberi: 01/12/2024 20:32

    Grupet terroriste te sponsorizuar nga amerika dhe izraeli duan me cdo kusht qe ti cojne drejt kaosit te gjithe ata shtete qe nuk u binden atyre dhe bota flet akoma per mbrojtje te demokracise dhe pallavra te tilla . Mendoj se duhet ndryshuar gjithe organizatat nderkombetare sepse deri me sot jane vegla ne duart e perendimoreve dhe te pafuqishme per te zbatuar ligjin nderkombetar njesoj per te gjithe

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qenë për ju viti 2024?