Damask, Siri
Xhihadistët e grupit Hayat Tahrir al-Sham dhe aleatët e tyre kundër regjimit të Bashar al-Asadit po përparojnë në provincën qendrore siriane të Hama-s, pasi kanë rimarrë territore të rëndësishme në Aleppo dhe Idlib, nga të cilat ishin dëbuar në vitin 2016.
Dje, luftëtarët e organizatës të lidhur me al-Kaedën morën kontrollin e aeroportit ndërkombëtar të Aleppos, i pari aeroport civil që bie nën kontrollin e HTS-së, sipas Observatorit Sirian për të Drejtat e Njeriut.
Rebelët tani po marshojnë drejt Hama-s dhe kanë pushtuar disa qytete dhe fshatra në pjesën veriore të provincës. Me përparimin e tyre, milicitë e mbështetura nga Irani janë tërhequr, ndërsa forcat kurde janë ripozicionuar në veri të Aleppos, raportojnë aktivistët.
Ndërkohë, burime lokale kanë përmendur tërheqjen e forcave siriane nga disa zona, por Ministria e Mbrojtjes në Damask e ka mohuar këtë.
“Konfirmojmë se njësitë tona janë ende të vendosura në pozicionet e tyre në veri dhe lindje të Hama-s dhe janë plotësisht të gatshme të zmbrapsin çdo sulm terrorist,” thuhet në deklaratë.
“Operacioni për të kundërshtuar sulmin terrorist po zhvillohet me sukses dhe së shpejti do të kalojë në fazën e kundërsulmit për të rimarrë të gjitha zonat e humbura,” përfundon deklarata.
Lajmi kryesor:
Libani: Lideri i Hayat Tahrir al-Sham u vra nga një sulm ajror rus! Assad premton përdorimin e forcës “për të çrrënjosur terrorizmin”
K.M/ReportTv.al