VLORË- Dy elektricistë dhe një faturist janë shoqëruar dhe po hetohen në gjendje të lirë nga policia lidhur shtëpinë e barit e zbuluar dje (19 shkurt) në Vlorë ndërsa policia sekuestroi 780 bimë kanabisi, ku 482 prej tyre janë kubikë.
Burime për Report Tv e shqiptarja.com bëjnë me dije se pas konstatimit për vjedhje energjie policia ka vazhduar hetimet, ndërsa prej një viti banesa në lagjen “24 Maji”, ishte marrë me qira.
Po hetohet për të zbuluar nëse kjo shtëpi ishte përdorur dhe më parë për kultivimin e kanabisit apo kjo ishte hera e parë.
Ndërkohë, specialistët e Sektorit për Hetimin e Narkotikëve në DVP Vlorë, kanë nisur hetimin edhe për 3 punonjës të OSHEE-së për veprën penale “Shpërdorim i detyrës”.
'Nga veprimet hetimore ka rezultuar se shtetasit F. Gj., 50 vjeç, E. O., 40 vjeç, dhe G. H., 58 vjeç, punonjës të OSHEE-së, dyshohen se, në kundërshtim me detyrën funksionale, nuk kanë ushtruar kontrolle për evidentimin e lidhjes së paligjshme të energjisë elektrike në objektin ku u zbulua ambienti i përshtatur për kultivimin e bimëve narkotike', thuhet në njoftim.
Si rezultat i operacionit të 19 shkurtit, 3 persona ranë në pranga, 1 u shpall në kërkim dhe 2 të tjerë janë në hetim.
Në pranga e bluve ka rënë 38-vjeçari Endrit Sadedini, një emër i njohur për policinë, i cili më herët u ka shpëtuar dy atentateve. Sadedini, 38 vjeç, prej pak ditësh kishte ardhur në Vlorë, pasi më herët ka qenë duke vuajtur dënimin në një shtet tjetër. Pas informacioneve se ai lëvizte me armë zjarri, policia ka organizuar operacionin që e çoi në pranga.
Në momentin e ndërhyrjes, mësohet se ai i ka drejtuar armën policisë, por nuk ka qëlluar pasi është neutralizuar nga efektivët. Policia ka vënë në hetim, pasagjerin që udhëtonte në makinë me Sadedinin, për veprën penale moskallëzim krimi.
Komente
