Kronikë

Zjarret në vend, Emergjencat Civile: Shuhen vatrat problematike në Pilur dhe Kukës

25 Qershor, 11:30| Përditesimi: 25 Qershor, 12:55

  • Share

Ministria e Mbrojtjes nëpërmjet Emergjencave Civile ka njoftuar se është bërë e mundur shuarja e plotë e zjarreve në fshatin Pilur të Himarës dhe në Kolsh të Kukësit, dy prej vatrave më problematike të raportuara gjatë orëve të fundit.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes, në total janë 13 vatra zjarri në disa qarqe të vendit.  

Në terren kanë qenë të angazhuara 118 forca operacionale, 22 automjete zjarrfikëse dhe mjete të tjera ndihmëse.

Sipas informacioneve situata e zjarreve është si mëposhtë:

Vlorë-U shua plotësisht zjarri në fshatin Llaman. Flakët kishin përfshirë një sipërfaqe me lis, shkurre dhe ullinj. Në operacion morën pjesë 4 automjete zjarrfikëse me 12 efektivë nga MZSH e Himarës, 3 forca policie, 13 forca bashkiake dhe 4 nga Shërbimi Pyjor. U shuan gjithashtu edhe vatrat në fshatin Amonicë, bashkia Selenicë, dhe lagjen “Ish-Fidanishtja”, bashkia Vlorë.
Lezhë- U shua vatra e zjarrit në fshatin Ndërfan, bashkia Mirditë, që kishte përfshirë një sipërfaqe me pyll lisi dhe shkurre. Zona po mbahet në monitorim.
Kukës- Pas përpjekjeve të forcave, u shua zjarri në vendgrumbullimin e mbetjeve urbane në fshatin Mamëz, bashkia Kukës. Edhe kjo zonë është në monitorim të vazhdueshëm.
Elbasan-Në këtë qark u shuan disa vatra në fshatin Shijon, bashkia Elbasan, si dhe në “Malin e Dukës”, bashkia Prrenjas. Flakët përfshinë sipërfaqe me shkurre, ferra dhe barishte.
Tiranë -Rreth orës 16:50 të ditës së djeshme, një vatër zjarri ra në fshatin Vishnje, bashkia Tiranë. Zjarri u izolua në kohë, ndërsa shkaku mbetet i panjohur.
Durrës-U shua një vatër zjarri në një bazë ushqimore për bagëti, në fshatin Borizanë, bashkia Krujë, ku pati edhe dëme materiale. Gjithashtu u shua edhe një vatër në fshatin Hamallaj, bashkia Durrës, në një sipërfaqe me hamullore.
Fier- Forcat operacionale izoluan zjarrin në fshatin Sheqishtë, bashkia Patos, në një sipërfaqe me shkurre.
Gjirokastër-U punua për shuarjen e vatrës së rënë në mbrëmje, në një zonë me shkurre dhe barishte midis fshatrave Valare dhe Dhoksat, bashkia Gjirokastër.

Ora 12:54
Zjarr në Zvërnec, rrezikohen banesat! Forca zjarrfikëse, ujësjellësi dhe banorët në terren për shuarjen e flakëve (VIDEO)

 

Një zjarr i përmasave të konsiderueshme ka përfshirë pasditen e sotme një sipërfaqe të madhe me bimësi dhe shkurre në zonën e Zvërnecit, në qytetin e Vlorës. Për shkak të temperaturave të larta dhe erës së fortë, flakët janë përhapur me shpejtësi, duke rrezikuar edhe disa banesa që ndodhen në afërsi të zonës së zjarrit.

Në vendngjarje kanë mbërritur me urgjencë forcat zjarrfikëse me tre automjete, të cilat po punojnë intensivisht për të izoluar vatrat e zjarrit dhe për të parandaluar përhapjen e flakëve drejt banesave dhe zonave të banuara. Për shkak të terrenit të vështirë dhe përmasave të zjarrit, në ndihmë të zjarrfikësve ka shkuar edhe një automjet i ujësjellësit, i cili po ndihmon në furnizimin me ujë të forcave në terren.

Po ashtu, banorë të zonës i janë bashkuar përpjekjeve për të lokalizuar flakët dhe për të mbrojtur pronat dhe banesat e tyre. Ata po punojnë me mjete rrethanore për të ndihmuar në shuarjen e zjarrit deri në momentin që situata të vihet nën kontroll.

Shkaqet e zjarrit nuk janë përcaktuar ende, por dyshohet se mund të bëhet fjalë për zjarrvënie të qëllimshme, një fenomen që, fatkeqësisht, është përsëritur në disa zona të bregdetit dhe të pyjeve në jug të vendit gjatë ditëve të fundit.

Aktualisht, përpjekjet për shuarjen e flakëve vijojnë, ndërsa autoritetet lokale dhe emergjencat civile bëjnë thirrje për kujdes të shtuar, duke kërkuar nga qytetarët që të mos ndërmarrin veprime të papërgjegjshme që mund të përkeqësojnë situatën.

H.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    A mendoni se rinumërimi i pothuajse gjysmës së votave është farsë e kotë?