Në mbarë kishat dhe famullitë katolikë të Shqipërisë ranë sot kambanat e zisë dhe nisën meshat e përshpirtjes dhe lutjet për Papën e ndjerë....
Në Katedralen Shën Pali në Tiranë u vendos fotografia e Papës, ndërsa këtë pasdite po mbahet dhe një meshë në nder të tij.
"Papa Françesku na ka dëshmuar afrimitetin e tij me ato që janë periferitë e kishës dhe shoqërisë",-tha ndër të tjera Arqipeshkvi i Kishës katolike, Imzot Arjan Dodaj.
Më herët, nga Shkodra, Konferenca Ipeshkvnore u bëri thirrje të gjithë besimtarëve të luten për shpirtin e Atit të Shenjtë.
“U bëjmë thirrje të gjithë komuniteteve Dioqezane, famullitare, rregulltare e çdo besimtari që të luten për Papa Françeskun. Po ashtu, duke filluar nga mbrëmja e ditës sotshme, të organizohen momente lutjeje dhe përshpirtje në të gjitha komunitetet e besimtarëve”, tha Dom Mark Pashkja.
Jeta lulëzon mbi vdekjen, ndaj kreu i Kishës Katolike, Imzot Arjan Dodaj nuk i ndërpreu ceremonitë e pagëzimit të dy vogëlushëve në Tiranë.
Flamuri i Vatikanit u ul në gjysmështizë në të gjitha famullitë.
Dom Enzo, një misionar pranë kishës katolike në Vlore është një nga personat që ka patur fatin ta takojë Papën, një nga momentet qe sipas tij mbetet e gjallë në memorie.
Duke nisur nga kjo e hënë, mesha e pasdites, në orën 18.00, do t’i dedikohet Papës në mbarë Shqipërinë.
Në dioqezën e Sapës është mbajtur një meshë në nderim të Papa Françeskut, ku morën pjesë dhjetëra besimtarë. Gjatë meshës, ipeshkvi i Sapës, Mons. Simon Kulli, u përlot teksa foli për figurën e Papës, të cilin e cilësoi si “barin e mirë të Kishës” dhe “papën e fëmijëve, të të sëmurëve dhe të të pamundurve”.
Imzot Kulli kujtoi gjithashtu porositë e Papa Françeskut gjatë vizitës së tij në Shqipëri, duke i cilësuar ato si një burim inkurajimi dhe kurajoje për vendin.
Edhe në kishën e Shën Gjergjit në Fier, në orën 18:00 këmbanat kanë rënë në nderim të Papa Françeskut, i cili vdiq sot në moshën 88- vjecare.Besimtarët kanë ndezur qirinj dhe jane lutur për shpirtin e tij.
“Papa na pikëlloi me humbjen e papritur', kanë thënë ata për mikrofonin e Report Tv teksa e cilësojnë udhërrëfyes të paqes dhe dashurisë në botë me predikimin për tolerancë fetare dhe me thirrjet e vazhdueshme për ndalimin e luftrave.
Besimtarët katolikë kanë marrë pjesë në meshën e mbajtur pasditen e sotme në katedralen e Shkodrës. Kjo meshë është kthyer në një meshë lutjeje për shpirtin e Papa Françeskut, të ndarë nga jeta, që iku nga kjo botë pikërisht një ditë pas festës së Pashkës, ditës së Ringjalljes së Krishtit.
Famullitari i Shkodrës, Dom Vlash Palaj, në fjalën e tij para besimtarëve, u shpreh se pas gëzimit të Ringjalljes, sot kemi një lajm të trishtë, siç është ai i ndarjes nga jeta të Papa Françeskut.
Komente
