Zjarr pas sulmit izraelit në depon e naftës Shara, Teheran

Bota

Si mund të përgjigjet Irani? Ngushtica e Hormuzit, raketat ndaj bazave amerikane dhe rrjeti Houthi-Hezbollah

22 Qershor, 10:03| Përditesimi: 22 Qershor, 10:16

  • Share

Si do të përgjigjet Irani ndaj bombardimeve të Shteteve të Bashkuara mbi tre vendndodhje kyçe të programit të tij bërthamor?

Regjimi i Teheranit ka kaluar dekada duke ndërtuar kapacitete ushtarake shumënivelëshe, si brenda vendit ashtu edhe në rajon: objektivi, të paktën pjesërisht, ka qenë të dekurajojë SHBA-të nga ndonjë sulm. Tani që Trump ka vendosur të hyjë në luftën e nisur nga Izraeli për të shkatërruar programin bërthamor të ajatollahëve, Irani mund të vendosë të përdorë plotësisht ato kapacitete.

Kjo mund të nënkuptojë një valë sulmesh ndaj forcave amerikane në Lindjen e Mesme ose një përpjekje për të mbyllur ngushticën e Hormuzit, një nyje kritike për furnizimet globale me naftë.

Reagimi ushtarak

Sipas gjeneralit Joseph Votel, ish-komandant i Komandës Qendrore të SHBA-ve (Centcom), e cila mbikëqyr trupat amerikane në Lindjen e Mesme, përgjigjja e Teheranit mund të përkthehet në sulme të drejtpërdrejta ndaj forcave amerikane ose ndaj misioneve diplomatike në rajon. Ose në sulme kibernetike apo terroriste.

Qendrat e mëdha ushtarake amerikane në Katar, Bahrein dhe Kuvajt janë "shumë të mundshme" që të jenë objektiv i Iranit, tha Votel për Financial Times, duke shtuar se Centcom-i ka ndërmarrë tashmë masa në pritje të ndonjë sulmi. Sipas Dana Stroul, ish-zëvendëssekretare e Mbrojtjes për Lindjen e Mesme, së shpejti do të mësohet nëse Trump është “i përgatitur për pasojat”.

Një zyrtar i mbrojtjes së SHBA-ve deklaroi se SHBA-të kanë rreth 40.000 trupa dhe personel ushtarak në Lindjen e Mesme, të shpërndarë në baza dhe objekte ushtarake në Bahrein, Kuvajt, Katar dhe Emiratet e Bashkuara Arabe, si dhe në Egjipt, Irak, Jordani, Oman, Arabinë Saudite dhe Siri.

Këto baza disponojnë të njëjtat sisteme të avancuara mbrojtjeje ajrore si Izraeli, por do të kishin shumë më pak kohë paralajmërimi në rast të një vale raketash apo dronësh të armatosur. Dhe madje as Izraeli, që ndodhet disa qindra kilometra larg, nuk ka arritur të ndalë të gjitha sulmet ajrore.

Në rajon ndodhen gjithashtu disa anije luftarake amerikane dhe një grup aeroplanmbajtësesh, me grupin luftarak të USS Nimitz që pritet të mbërrijë. “Janë gjithmonë në një gjendje të arsyeshme alarmi për shkak të rrezikut të sulmeve të mundshme, por tani me siguri janë edhe më të përgatitur,” u shpreh Kendall.

Ngushtica e Hormuzit

Ngushtica e Hormuzit është gryka e ngushtë që lidh Gjirin Persik me pjesën tjetër të botës dhe përmes saj kalon rreth 20% e gjithë naftës së tregtuar globalisht. Në pikën më të ngushtë është vetëm 33 kilometra e gjerë. Çdo bllokim i kësaj rruge mund të shkaktonte rritje të menjëhershme të çmimeve të naftës në gjithë globin.

Irani ka një flotë anijesh të vogla dhe mijëra mina detare që mund ta bëjnë të pakalueshme ngushticën, të paktën për një periudhë të shkurtër. Mund gjithashtu të nisë raketa nga bregdeti i gjatë i Gjirit Persik, ashtu siç kanë bërë aleatët e tij, rebelët Houthi të Jemenit, në Detin e Kuq.

SHBA-të, përmes Flotës së Pestë të stacionuar në Bahrein, janë të angazhuara prej kohësh në garantimin e lirisë së lundrimit në këtë ngushticë dhe do të përgjigjeshin me forca shumë më të mëdha. Por edhe një përleshje e shkurtër ushtarake do të mjaftonte për të paralizuar trafikun detar dhe për të trembur investitorët, duke rritur çmimet e naftës dhe duke shtuar presionet ndërkombëtare për armëpushim.

Irani mund të zgjedhë gjithashtu të sulmojë objektet kryesore të prodhimit të naftës dhe gazit në vendet e rajonit, me synimin që të detyrojë një rritje të çmimit të naftës për shkak të përfshirjes së SHBA-ve në luftë. Në vitin 2019, një sulm me dron ndaj dy objekteve të mëdha të prodhimit të naftës në Arabinë Saudite, i marrë përsipër nga Houthit, por i atribuar gjerësisht Iranit, uli përkohësisht përgjysmë prodhimin e naftës së mbretërisë.

Houthit dhe Hezbollah

I ashtuquajturi Boshti i Rezistencës i Iranit, një rrjet grupesh militante në gjithë Lindjen e Mesme, është tani një hije e asaj që ishte përpara luftës së shkaktuar nga sulmi i Hamasit ndaj Izraelit më 7 tetor 2023 nga Rripi i Gazës, por ende ruan disa kapacitete të fuqishme.

20 muaj luftë në Gaza kanë dobësuar ndjeshëm grupet palestineze të Hamasit dhe Xhihadit Islamik; ndërkohë, vjeshtën e kaluar, Izraeli shkatërroi pjesën më të madhe të Hezbollahut libanez, duke vrarë shumicën e drejtuesve dhe duke dëmtuar rëndë jugun e Libanit, duke e bërë të pamundur përfshirjen e tij në konflikt.

Megjithatë, Irani mund t'u drejtohet rebelëve Houthi, të cilët kanë paralajmëruar se do të rinisin sulmet në Detin e Kuq nëse SHBA-të hyjnë në luftë, si dhe milicive aleate në Irak. Të dyja palët zotërojnë kapacitete raketore dhe me dronë që mund t’i përdorin për të goditur SHBA-të dhe aleatët e tyre.

Irani mund të përpiqet gjithashtu të reagojë përmes sulmeve të largëta nga militantët, ashtu siç është akuzuar gjerësisht se bëri në vitet 1990 me sulmin ndaj një qendre komunitare hebreje në Argjentinë, për të cilin u fajësua nga autoritetet vendase dhe nga SHBA se qëndronin pas tij Irani dhe Hezbollah.

Programi bërthamor

Ekspertët kanë paralajmëruar prej kohësh se edhe sulmet e përbashkëta të SHBA-ve dhe Izraelit mund të mos jenë të mjaftueshme për të asgjësuar tërësisht programin bërthamor iranian: kjo sepse Irani e ka shpërndarë programin e tij në disa zona në gjithë territorin.

Teherani do ta kishte të vështirë të riparonte apo të rindërtonte programin e tij ndërsa avionët luftarakë të Izraelit dhe SHBA-ve qëndrojnë në ajër, por mund gjithashtu të vendosë të ndërpresë plotësisht bashkëpunimin me Agjencinë Ndërkombëtare për Energjinë Atomike (AIEA) dhe të tërhiqet nga Traktati për Mos-Përhapjen e Armëve Bërthamore.

Koreja e Veriut u tërhoq nga traktati në vitin 2003 dhe testoi një armë bërthamore tre vite më vonë, duke zhvilluar programin e saj pa u përballur me ndonjë sulm ndëshkues nga ajri.

Irani këmbëngul se programi i tij është paqësor, ndonëse është i vetmi shtet jobërthamor që pasuron uraniumin deri në nivelin 60%, shumë më afër nivelit 90% që është i nevojshëm për një armë bërthamore.

Agjencitë e inteligjencës amerikane dhe AIEA-ja besojnë se Irani nuk ka më një program të organizuar ushtarak bërthamor që prej vitit 2003. Izraeli besohet se është i vetmi shtet në Lindjen e Mesme që posedon armë bërthamore, por nuk e pranon zyrtarisht posedimin e tyre./Corriere Della Sera

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni sulmin e SHBA-së ndaj impianteve bërthamore të Iranit?