Gripi i tipit A H1N1 dhe virozat e tjera respiratore kanë tejmbushur qendrat shëndetësore dhe urgjencën e spitalit të Elbasanit, ku vetëm në shërbimin e urgjencës kryhen 200 vizita në ditë. Temperaturë e lartë, kollë, rrufe, vështirësi në frymarrje dhe dhimbje trupore janë shenjat kryesore që zakonisht trajtohen me antibiotik dhe antipiritik. Ndërsa pacientet me komplikacione, bluzat e bardha, i kanë shtruar në spital.
“Ka dhe raste të rënda që kanë nevojë për hospitalizim. Ne i këshillojmë qytetarët që të qendrojnë të izoluar në shtëpi, kur kanë familjarë të prekur nga gripi”, tha mjeku, Ergys Mici, shef i Urgjencës Elbasan. Teksa evidenton grupet e riskut, mjeku këshillon qytetarët të mbrohen nga situata e ngarkuar virusale.
Po kështu, në Vlorë janë regjistruar mbi 800 raste me viroza dhe grip brenda një jave, një shifër e lartë, krahasuar me te njejten periudhe te vitit te kaluar. Gripi është agresiv, me një numër të konsiderueshëm pacientësh që kërkojnë trajtim spitalor për shkak të bllokimit të rrugëve të frymëmarrjes.
“Bazuar në analiza dominon gripi i tipit A H1N1 dhe Covid-19. Pasojat i kanë personat me imunitet të ulët dhe të sëmurët kronikë”, tha Agron Bashllari, shefi i Epidemiologjisë në Vlorë.
Më të rrezikuarit mbeten të sëmurët kronikë, fëmijët dhe të rinjtë, ndërsa epidemiologu bën thirrje për vaksinim sa më të shpejtë.
“Situata që po përballemi është shqetësuese. Mos kryerja e vaksinës anti-grip dhe neglizhenca për t’u mbrojtur kanë ndikuar në rritjen e ndjeshme të rasteve. Vaksinimi është një masë e domosdoshme për të ulur ndjeshëm rrezikun e komplikacioneve sidomos tek të sëmurët, diabetikë, asmatikë, të sëmurët me zemër, etj”, tha Bashllari.
Sipas mjekëve, kulmi i sëmundshmërisë pritet të arrihet në muajin shkurt ndaj këshillojnë qytetarët të qendrojnë në shtëpi tre ditë, gjatë prekjes nga gripi, për të ndërprerë zinxhirin e infektimit masiv.