Dy mjete lundruese janë bllokuar dhe janë gjobitur nga policia kufitare në Vlorë gjatë aksionit për sigurinë e vijës bregdetare, i cili në dy raste ka evidentuar lundrime në zonat e ndaluara.
Nga kontrollet e kryera përgjatë gjithë vijës bregdetare në Vlorë dhe Sarandë, policia kufitare ka konstatuar dy mjete lundrimi në shkelje të rregullave të lundrimit, duke kaluar zonat e ndaluara për lundrim.
Për pasojë janë bllokuar një gomone dhe një skaf dhe janë gjobitur me 100 mijë lekë të rinj, drejtuesit e tyre.
Konkretisht Policia Kufitare e Vlorës ka ndëshkuar me gjobë 100 mijë lekë të rinj, drejtuesin e mjetit lundrues gomone, pasi u konstatua se po lundronte në zonë të ndaluar, në plazhin e Jonufrës.
Ndërsa drejtuesin e mjetit lundrues skaf, u gjobit me po të njëjtën masë pasi gjatë verifikimeve ka rezultuar se nuk kishte në bord, dokumentacionin e nevojshëm për lundrim.
Policia Kufitare do të vijojë kontrollet në të gjithë vijën bregdetare të qarkut. Gjithashtu, fton qytetarët që të denoncojnë çdo rast paligjshmërie, në aplikacionin Komisariati Dixhital, ose të telefonojnë në numrin pa pagesë 112, duke iu garantuar anonimatin, reagim të shpejtë dhe profesional.