TIRANE - Në mesin e debateve politike, në seancën e fundit të këtij sesioni parlamentar, në Kuvend kaluan ligje të rëndësishme që prekin drejtpërdrejt qytetarët, përfshirë këtu ndryshime të rëndësishme në kodin penal, konkretisht u ndryshuan 22 nene.
7-15 vjet burg per armembajtje pa leje
Armëmbajtja pa leje në Kodin Penal ishte me burgim nga 3 deri në 7 vjet. Por me ndryshimet në kodin e ri rritja e dënimit u bë nga 7 deri në 15 vjet.
1-5 vjet burg per dhunen ne aktivitete sportive
Ndryshimet në Kodin Penal kanë një kapitull të veçantë për dhunën në aktivitete sportive. Goditja ndaj njerëzve të sportit dënohet me burgim nga 1 deri në 3 vjet, e në rast përsëritjeje deri në 5 vjet. Burg parashikohet edhe për ata që hedhin sende në fushë apo hyjnë brenda saj, deri në 5 vjet.
Zhduket gjoba/ Burg kush godet mjekun, policin, zyrtaret e te zgjedhurit
Goditja për shkak të detyrës dënohej deri dje me gjobë ose me burgim gjer në 2 vjet, ndërsa me anë të ligjit të miratuar gjoba hiqet fare, dhe dënimi është vetëm me burg deri në 2 vjet për funksionarët e thjeshtë, 3 vjet kanosja e të zgjedhurve, 4 vjet kanosja e policëve, 3 vjet kanosja e personelit shëndetësor.
Gjobë deri në 3 vjet burg nëse bllokoni rrugët
Kodi Penal ka ndryshuar edhe për bllokimin e Rrugëve, ku vënien e pengesave ose ndalimi, i qarkullimit te mjeteve te transportit automobilistik, hekurudhor, dënohet me gjobë ose me burgim deri në 3 vjet.
Burg deri në 3 vjet për lojërat e fatit
Neni 197 pëson ndryshim në themel, pasi tashmë lojërat e fatit ndalohen me ligj. Organizimi i lojërave të palejuara, siç janë garat sportive apo lojërat e fatit dënohet me burgim deri në 3 vjet. Ndërkohë që me Kodin aktual Penal, kur Shqipëria nuk i kishte të ndaluara me ligj lojërat, Kodi penal parashikonte gjoba, ose me burgim deri në dy vjet në rast të përcaktimit të rezultateve në garat sportive apo shtrembërim të konkurrencës në këto aktivitete.
Burg deri në 7 vjet kush vret kafshët e mbrojtura
Neni 202 ka pësuar ndryshim të plotë nga ai i vjetri, dhe i dedikohet specieve të mbrojtura të florës dhe faunës së egër. Kush i vret, shkatërron apo tregton ato në shkelje të autorizimeve nga organet kompetente, dënohet me burgim nga 2 deri në 7 vjet.
Kush i vret kafshët dënohet me burg 2-7 vjet
Gjobë kush mban kafshë të rrezikshme në publik
Në rast se plagoset një person, dënimi 1 deri në 5 vjet
Siguria Ushqimore
Ligji i kaluar në Kuvend për sigurinë ushqimore adreson disa ndryshime të rëndësishme që kanë të bëjnë me rishikimin e dispozitave ekzistuese që lidhen me sigurinë ushqimore dhe krijimin e figurave të reja penale. Në abuzimet me sigurinë ushqimore ka parashikime për dënime më të ashpra.
Deri më tani, një person që fuste lëndë të ndaluar në ushqime, edhe në rast se nga kjo vdesin persona, dënohet nga gjoba deri në 10 vjet burg. Ligji propozon që në çdo rast kjo vepër të dënohet me burg, ndërsa kur nga këto veprime janë prekur fëmijë ose gra shtatzëna, të dënohet me burgim nga 10 vjet deri në 15 vjet.
Importimi, prodhimi, ruajtja, ofrimi i shitjeve apo vendosja në qarkullim e ushqimeve, pijeve të dëmshme, por edhe prodhimi dhe përpunimi i ushqimeve dhe pijeve në shkelje të kërkesave të legjislacionit të posaçëm dënohet me burgim deri në 3 vjet.
Kur nga vepra është shkaktuar dëmtimi i rëndë i shendetit ose vdekja e disa personave, fëmijëve, grave shtatzëna dënohet me burgim nga 10 vjet deri në 15 vjet. Dënim me burg do të ketë edhe për ata persona që ndërrojnë ose falsifikojnë shenjat e sigurisë të vendosura nga autoritet përkatëse në pije ose produkte ushqimore.
DËNIMET PËR ABUZIMET ME SIGURINË USHQIMORE
Burg kush vendos lëndë të ndaluar në ushqime
10-15 vite burg nëse këto veprime prekin fëmijë ose gra shtatzëna
3 vite burg kush prodhon, ruan dhe importon në shkelje të ligjit
Burg për personat që fasifikojnë ose ndërrojnë shenjat e sigurisë
NEGLIZHENCA NE TRAJTIMIN MJEKESOR
Kur rrezikohet jeta e nje personi dënim deri në 2 vite burg
Kur shkaktohet vdekja dënim deri në 4 vite burg
Kur shkakton infektimin me HIV/AIDA
Ndihma sociale/ Bie tavai 8 mije leke
Një tjetër ligj ndër më të rëndësishmit është dhe ai për asistencën sociale, që në thelb prek personat që marrin ndihmë ekonomike. Sipas ligjit të ri, nuk do të ketë më tavan për vlerën e ndihmës ekonomike, që ishte 8 mijë lekë, por vlera monetare do të përcaktohet në sajë të nevojave reale dhe të vecanta që kanë familjet e përfshira në skemë. Reforma e re e propozuar nga Ministria e Shëndetësisë ka hequr kriteret përjashtuese për përfitimin e ndihmës ekonomike përmes sistemit të digjitalizuar.
Asistenca sociale përfshin, por nuk kufizohet në, ndihmën ekonomike, pagesat e aftësisë së kufizuar, ndihmën e menjëhershme financiare për foshnjat e porsalindura dhe përfitime të tjera, që garantohen nga ky ligj.
Një tjetër lehtësim që ofron ky ligj është shmangia e burokracive, siç ëstë miratimi i listës së përfituesve nga këshillat bashkiakë duke hequr një hallkë të panevojshme tanimë që sistemi është i dixhitalizuar, pasi mosmbledhja në kohë e këshillave bashkiakë shpesh sillte vonesa në marrjen në kohë të pagesave të ndihmës ekonomike. Në ligjin e miratuar në sesionin e fundit parlamentar parashikohen gjithashtu edhe rasten kur një familje përjashtohet nga skema e përfitimit të ndihmës ekonomike për 6 muaj deri në 1 vit, që nga deklarimi i rremë deri te refuzimi i punës së përshtatshme për personat në mosha aktive pune.
Ligji i ri për asistencën sociale parashikon kufizime në kohë të qëndrimit brenda skemës së ndihmës ekonomike, me qëllim për të nxitur përfituesit në moshë aktive pune për t’u integruar në tregun e punës nëpërmjet ofrimit të mundësive për punësim dhe formimit profesiona Këshillat bashkiakë do të vendosin kriteter dhe listat e përfituesve nga fondi 6% që kanë në dispozicion për familjen që nuk përfshihen në skemën e ndihmës ekonomike.
Bonusit të bebes për çdo të porsalindur
Përfshihet në ligjin e ri të asistencës sociale edhe programi i bonusit të bebes për çdo të porsalindur: 40,000 lekë për fëmijën e parë, 80,000 lekë për fëmijën e dytë, 120,000 lekë të reja për fëmijën e tretë. Përfshirja e bonusit të bebes në ligjin e asistencës sociale jo vetëm mbeshtet direkt familjet e reja me pagesën për çdo të porsalindur por është edhe politike pro-lindshmërisë.
ÇFARË PËRFITONI NGA LIGJI PER NDIHMEN EKONOMIKE
Hiqet tavani për vlerën e ndihmës ekonomike
Vlera do përcaktohet në bazë të nevojës
Hiqen kriteret përjashtuese
Shmangen burokracitë, dixhitalizohet sistemi
Kufizime në kohë të qëndrimit brenda skemës
Cigaret/ Ndalohen te pihen shisha brenda lokalit, nuk tregtohen me cigare me shije
Nëse deri dje në ambientet e mbyllura të lokaleve lejohej konsumimi i nargjileve, me ligjin e ri për mbrojtjen e shëndetit nga produktet e duhanit, kjo do të jetë e ndaluar. I njëjti ‘fat’ si shishat, edhe për cigarette elektronike. Do të ndalohet gjithashtu shitja e produkteve të duhanit me shije karakteristike (mente, vanilje etj) si dhe shitja e paketave të duhanit me numër të reduktuar cigaresh, (paketat e vogla) si masa për të dekujaruar duhanpirjen. Madje pikat e shitjes do të jenë të detyruara të lajmërojnë Ministrinë e Shëndetësisë, për çdo produkt të ri jokarakteristik që futet në vend, duke përfshirë cigaret elektronike apo çdo produkt të tillë që do të dalë në treg vitet e ardhshme.
Ndryshimet parashikojnë edhe forcimin e masave ndëshkuese në rast të moszbatimi të ligjit për mbrojtjen e konsumatorit nga produktet e duhanit. Nëse e përsërit të njëjtën shkelje brenda një afati 1 vjeçar gjobitet me 6-fishin e gjobës, duke shkuar deri në mbyllje të aktivitetit dhe heqje të licencës për ato subjekte që gjobiten në mënyrë të vazhdueshme. Aktualisht produktet e duhanit shiten në çdo supermarket dhe çdo dyqan.
NDRYSHIMET NE LIGJIN PER DUHANIN
Argjilet, shishat dhe cigarette elektronike jo në ambientet e mbyllura
Ndalohet shitja e paketave me nr të reduktuar cigaresh
Ndalohet shitja e duhanit me shije karakteristike
Nëse përsëritet shkelja 6-fishi i gjobës/mbyllje aktiviteti
Pikat e shitjes do lajmërojnë MSH për produktet që futen
Rruge te reja Orikum-Llogara dhe Milot-Balldren
Ndërkohë, dy rrugë janë dhënë me koncesion nga Ministria e Financave. E para është rruga Orikum-Llogara, që gjatë sezonit veror trafiku në këtë aks kthehet në makth për turistët. Kuvendi miratoi pa votat e opozitës së re kontratën koncensionare mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe shoqërisë dhe “Gjikuria”. Kohëzgjatja e projektit është parashikuar për 13 vjet, ndër të cilat 3 vite konsistojnë në fazën e ndërtimit dhe 10 vite mirëmbajtje. Në vitin e tretë të mirëmbajtjes është planifikuar një ristrukturim i thellë i objektit. Gjithsej, vlera e projektit, që përben edhe vlerën totale të pagesave të disponueshmerisë nga buxheti i shtetit gjatë gjithë kohëzgjatjes së projektit, do të jetë 67 359 926 euro.
Kontrata tjetër është lidhur mes Ministrisë së Infrastrukturës dhe Energjisë, si autoriteti kontraktor, shoqërisë “ANK”, sh.p.k., si koncesionari, dhe shoqërisë “Bardh konstruksion”, sh.p.k., si shoqëria koncesionare, për projektimin, ndërtimin dhe mirëmbajtjen e segmentit rrugor Milot – Balldren. Kjo kontratë ngjalli debate të mëdha për koston e lartë të saj, 256 milionë euro me TVSh, por ministria ka sqaruar se nuk është fjala vetëm për ndërtimin, por në kosto përfshihet edhe mirëmbajtja për shumë vjet. Sipas dokumenteve të tenderit, kompania ANK do ta ndërtojë aksin 17.2 kilometër të gjatë nga Miloti në Balldren me paratë e veta dhe më pas do të shlyhet nga buxheti i shtetit me këste për 13 vjet. Edhe këtë radhë, ashtu si në dy herët e mëparshme, tenderi është fituar nga kompania që ka bërë ofertën e pakërkuar të koncesionit. Më parë, Departamenti Amerikan i Shtetit kishte shprehur publikisht shqetësimet se këto koncesione kufizojnë konkurrencën duke paracaktuar fituesit.
Miratohen ndryshimet në dy ligjet e reformës në drejtësi
Pas dy vitesh pritje janë miratuar ndryshimet e dy ligjeve e reformës në drejtësi, pasi opozita e re bashkoi votat me PS-në për të bërë kuorumin e nevojshëm, pasi me PD-LSI nuk u arrit konsensusi. Ligji për organet e qeverisjes në sistemin e drejtësisë dhe ai për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve u miratuan me 106 pro, 1 kundër dhe 1 abstenim. Sipas këtyre ndryshimeve të bëra në dy ligjet më të rëndësishme të reformës në drejtësi, KLP dhe KLGJ do u jepet mundësia të marrin masa disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët. Ndër të tjera, u thjeshtua emërimi i të diplomuarve nga magjistratura duke ndihmuar dhe në plotësimin e vakancave nëpër gjykata. Këshilli i legjislacionit kishte më shumë se një vit e gjysmë që nuk arrinte në vendimmarrje dhe pse ekspertët e forcave politike kishin përgatitur drafte si pasojë e bojkotit të gjatë dhe në fund djegies së mandateve nga PD dhe LSI.
NDRYSHIMET NE LIGJET E REFORMES NE DREJTESI
KLP/KLGJ masa disiplinore për gjyqtarët dhe prokurorët
Thjesht emërimi it ë diplomuarve nga magjistratura
Ndihmon në plotësimin e vakancave nëpër gjykata
Përmirësohet reforma në drejtësi
Miratohet rregullorja e re e Kuvendit/ Deputetet mund te arrestohen edhe pa prova nga Prokuroria
Gjithashtu në sesionin e fundit parlamentar u miratuan dhe ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit të Shqipërisë. Maxhoranca pak ditë më parë u tërhoq nga neni që i kërkonte prokurorisë prova për të autorizuar arrestimin e deputetëve. Ndryshimet kushtetuese të vitit 2016 janë reflektuar edhe në rregulloren e re të Kuvendit e cila u miratua me konsensus fillimisht në komisionin. Rregullorja parashikon masa disiplinore për deputetët që shkelin rregullat e lobimit, pranimit të dhuratave dhe konfliktit të interesit. Sa i përket shërbimit të Sigurisë në Kuvend Presidenti, Kryetari i Kuvendit, Kryeministri, Prokurori dhe ambasadorët përjashton nga kontrolli fizik. Diskutimet për rregulloren e re të Kuvendit kanë zgjatur thuajse 2 vjet.
MASAT PËR DEPUTETËT, DËNOHEN KUR:
Shkelin rregullat e lobimit
Pranojnë dhurata
Konflikti i interesit
Ndryshon ligji per koncensionet
Me 84 vota pro, 1 kundër, 1 abstenim ligjin për ndryshimet për koncesionet dhe partneritetin publik privat. Por ku konsiston ndryshimi? Sipas ligjit, që është miratuar ndalohet pranimi i ofertave të pakërkuara për koncesionet, një praktikë që deri tani është ndjekur dhjetëra herë, edhe nga qeveritë e mëparshme. Kjo është kërkuar me forcë nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, pasi ai kufizonte konkurrencën, por drafti i miratuar në Komisionet Parlamentare që në shkurt ishte lënë pezull dhe dukej sikur nuk do të kalonte këtë sesion parlamentar është miratuar sot.
Ligji për mbrojtjen civile, zvogëlimi i riskut nga fatkeqësitë natyrore
Ligji për mbrojtjen civile i miratuan ditën e djeshme pritet të zvogëlojë riskun nga fatkeqësitë natyrore dhe realizimin e mbrojtjes civile për të garantuar mbrojtjen e jetës së njerëzve, pronës, trashëgimisë kulturore dhe mjedisit, nëpërmjet forcimit të sistemit të mbrojtjes civile.
Ligji për Akademine e Shkencave
Kuvendi miratoi me 81 pro, 22 kundër dhe 3 abstenim dhe ligjin për Akademinë e Shkencave, që në muajt e fundit ka sjellë debate, pasi ka pasur disa kundërshtarë, mes të cilëve është edhe akademiku Artan Fuga.
Sesioni i ri parlamentar
Ndërsa për në sesionin e ri parlamentar në vjeshtë u shtynë; projektvendimi për emërimin e Kryetarit të Bordit të Autoritetit të Mbikëqyrjes Financiare, projektligji për ndryshimet për Institutin e Studimeve për Krimet dhe Pasojat e Komunizmit, propozimi i Presidentit për Petraq Milon në krye të KLSH-s si dhe ai i 28 deputetëve për shkarkimin e Arben Malajt nga Bordi Drejtues i Bankës së Shqipërisë.
Mir mor maskarenj sbete nej ligj per korrupsionin e prokurorve e gjykatsve
Përgjigju