Igli Hasani, Edi Rama, Gent Cakaj

Protestat në Minsk, ambasadori shqiptar në Vjenë: Gati për të ndërmjetësuar në Bjellorusi

24 Gusht 2020, 20:14| Përditesimi: 24 Gusht 2020, 20:33

  • Share

Ambasadori shqiptar në Vjenë dhe presidenti i Këshillit të Përhershëm të OSBE-së, Igli Hasani shprehu gatishmërinë e Shqipërisë dhe Suedisë, që do të marrë presidencën e rradhës së OSBE-së, për një vizitë ndërmjetësimi në Minsk, gjatë një interviste me median e njohur italiane TPI.

Situata në Bjellorusi po shkon drejt një ngërçi, me Lukashenkon që nuk bën asnjë hap pas, me grevat që kanë përfshirë vendin, lideren e opozitës, Svetlana Tikahnovskaya, që vazhdon të jetë në Lituani, nga ku ajo vazhdon të lëshojë thirrjet e saj me video.

Nga Moska, presidenti Vladimir Putin bëri me dije se çdo ndërhyrje ndërkombëtare nuk do të tolerohet nga rusët dhe i dërgoi mesazhe të qarta BE-së të qëndrojë larg.

Në këtë situatë të krijuar është i nevojshëm një ndërmjetës ndërkombëtar ose të paktën dikush që përpiqet të krijojë një dialog midis autoriteteve dhe opozitës, me shpresën për të favorizuar frenimin e përshkallëzimit dhe për të parandaluar përkeqësimin e situatës.

Për këtë arsye, Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Europë (OSBE) u paraqit me një letër të nënshkruar nga Edi Rama, kryeministri shqiptar dhe Ann Linde, ministrja e Jashtme suedeze, përkatësisht kryetari aktual dhe i ardhshëm i OSBE-së, të cilët u ofruan për një vizitë në Minsk, me shpresën e hedhjes së hapave të para për një dialog të mundshëm.

Igli Hasani shpjegon për TPI se përse organizata, tashmë e pranishme në zona të ndryshme konflikti në Europën Lindore dhe Azinë Qendrore, është mjeti i duhur për të promovuar uljen e tensioneve në Bjellorusi.

TPI: Mosarritja e rinovimit të postit të sekretarit të përgjithshëm e ka lënë organizatën me një zbrazëti të konsiderueshme, në një moment të rëndësishëm. Cilat janë efektet?

Igli Hasani: Fakti që nuk ka qenë e mundur që të rinovohen me konsensus pozitat më të rëndësishme në OSBE është, ndoshta, shenja e vështirësive më të mëdha që diplomacia shumëpalëshe ka përjetuar vitet e fundit. Sidoqoftë, është pikërisht detyra e presidencës, këtë vit në duart e Shqipërisë, që të sigurojë udhëheqjen politike të OSBE-së, veçanërisht në këto situata të vështira.

TPI: Shkurtimisht, cilat janë cilësitë unike të OSBE-së, që e bëjnë atë të përshtatshme për të marrë rolin e nxitësit të dialogut në Bjellorusi?

Igli Hasani: Parandalimi dhe zgjidhja e konflikteve është arsye e ekzistencës e OSBE-së. Këtu rregulli i konsensusit, që, nga njëra anë, e bën të vështirë marrjen e vendimeve, dëshmon se është një pikë e fortë: duke qenë në gjendje të ndërhyjnë me të drejtën e vetos në çdo kohë, disa qeveri kanë besim më të madh në ndërmarrjen e ndërmjetësimeve të lehtësuara ose të proceseve të pajtimit kombëtar nga OSBE-ja, në krahasim me organizatat e tjera. Gjithashtu, OSBE-ja ka një përvojë të madhe në ndërmjetësim dhe fleksibilitet të gjerë në mjetet që mund të vendosë, nga dërgimi i përfaqësuesve specialë, deri në nisjen e misioneve në terren, madje edhe brenda një kohë shumë të shkurtër.

TPI: Tani për tani, në Bjellorusi nuk flitet për konflikte dhe ende nuk ka palë të qarta të përfshira. Cilat janë sistemet që përdoren, në përgjithësi, për të promovuar dialogun në situata të ngjashme?

Igli Hasani: Hapi i parë duhet të jetë krijimi i kontakteve me qeverinë dhe palët. Pastaj, identifikimi i të gjithë aktorëve në një proces pajtimi është thelbësor, për të shmangur fillimin e një procesi që përjashton një palë. Suksesi shpesh përcaktohet nga përfshirja e duhur e një ndërmjetësimi, që e legjitimon atë. Partnerët ndërkombëtarë mund të lehtësojnë këto procese, shpesh duke identifikuar një diplomat me përvojë për të shoqëruar dialogun. OSBE-ja ka strukturën dhe përvojën për këtë. E gjithë kjo, nën supozimin e një ndalese të menjëhershme të abuzimeve të të drejtave të njeriut dhe lirimin e të burgosurve politikë. Është e rëndësishme të shmanget tundimi për të detyruar modele të parapaketuara: secili vend duhet të gjejë mënyrën e vet, në mënyrë të pavarur dhe populli bjellorus duhet ta përcaktojë vetë të ardhmen e tij. Partnerët ndërkombëtarë, siç është OSBE-ja, mund të lehtësojnë dhe shoqërojnë një proces pajtimi kombëtar dhe të inkurajojnë respektimin e detyrimeve të tyre, veçanërisht në fushën e të drejtave themelore.

TPI: Shqiptarët e dinë shumë mirë se cila është pasiguria e krijuar nga fundi i një cikli, por edhe sesa e rëndësishme është krenaria e një kombi, që nuk dëshiron të ndihet si komisioner. Suedezët, nga ana tjetër, janë historikisht në pararojë të respektimit të të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes. A është larmia e këtij tandemi një forcë?

Igli Hasani: Në Shqipëri, ne përfituam nga lehtësimi i OSBE-së për të shoqëruar proceset e reformës dhe dialogun politik, prandaj e dimë mirë sesa e vlefshme mund të jetë ndihma e komunitetit ndërkombëtar në momente politikisht të ndjeshme. Tandemi me Suedinë është veçanërisht me fat dhe është shpresa jonë që përvoja e diplomacisë shqiptare dhe suedeze të mund të jenë bashkëplotësuese.

TPI: Edi Rama dhe Ann Linde dërguan një letër të përbashkët në Minsk duke kërkuar këshillime. Cilat janë hapat e ardhshëm në këtë proces?

Igli Hasani: Shpresa jonë, për të cilën po punojmë shumë, është që oferta jonë e sinqertë e ndihmës drejt një dialogu kombëtar të mund të pranohet. Idealisht, hapi i parë do të ishte një vizitë e përbashkët e ministrave në Minsk, e cila padyshim që duhet të përgatitet me kujdes.

Komento

Komente

  • Soni: 25/08/2020 11:17

    Ambasador direkt pa kaluar fazat e ligjit.....shikoni sa vjet ka ne diplomaci....turp

    Përgjigju
  • Hasan Pordha: 24/08/2020 21:43

    Ketu nuk behet fjale per Lukashenkon e Bjellorusise por per regjimin carist te Rusise

    Përgjigju
  • Perikliu: 24/08/2020 21:38

    Edhe une u rrojta dhe i hoqa lesht bera dush dhe u bera gati per ne Minsk por ce do, Llukashenkoja kishte zene dashnore tjeter.

    Përgjigju
  • Loran: 24/08/2020 20:51

    Ahhahahahaha hahahaha hahahah ke ky ka ngel puna agaagga

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?