Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas situatës së krijuar në veri të Kosovës, ku avionët serbë janë fotografuar duke fluturuar në kufirin e Jarinjës. Basha shkruan se Serbia kërkon destabilizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit për interesat e Vuçiç. Sipas Bashës, Shqipëria nuk duhet të heshtë ndaj kësaj situate, pasi tanket dhe avionët që futen në kufirin e Kosovës nuk mund të tolerohen.
"Po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në veri të Kosovës, pas vendimit të drejtë dhe legjitim të qeverisë për vendosjen e reciprocitetit. Aktet kriminale të ndodhura në 24 orët e fundit të frymëzuara nga Beogradi zyrtar, synojnë destabilizimin e Kosovës dhe krejt rajonit për interesat politike të Aleksandër Vuçiç.
Shpreh mbështetjen e plotë dhe të fuqishme për qeverinë e Kosovës, institucionet e saj dhe të gjithë faktorin politik të angazhuar në përballimin e kësaj situate. Detyra e Shqipërisë, edhe si vend anëtar i NATO-s, nuk është të heshtë por të përdorë të gjithë mekanizmat e saj diplomatikë për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate. Nuk mund të tolerohen tanket dhe avionët ushtarakë që mësyjnë kufijtë e Kosovës, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit", shkruan Basha.
Lajmi kryesor:
Kosovë/ Flakë e granata në një zyrë në Zubin Patok, qeveria pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë: Do ruajmë sigurinë në vend! Kurti nxjerr emrat e dy kriminelëve që po bllokojnë kufijtë në veri
SI.E./ReportTv.al