Kosova & Rajoni

Kosovë/ Flakë e granata në një zyrë në Zubin Patok, qeveria pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë: Do ruajmë sigurinë në vend! Kurti nxjerr emrat e dy kriminelëve që po bllokojnë kufijtë në veri

25 Shtator 2021, 10:48| Përditesimi: 25 Shtator 2021, 23:11

  • Share

KOSOVË-Jarinja dhe Bërnjaku, dy pikat kufitare në veri të Kosovës, për të gjashtën ditë vijojnë të jenë të bllokuara  nga protestuesit të cilët në disa vende kanë ngritur edhe barrierë zhavorri. Në 2 prej komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës tensionet janë përshkallëzuar gjatë natës së kaluar. Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok është djegur nga serbët të cilët nuk po e pranojnë reciprocitetin për targat. Serbët kanë hedhur granata dore edhe në Qendrën e Regjistrimit në Zveçan, por që nuk kanë arritur ta djegin. Policia ka dal në vendngjarje, teksa raportohet për tensionim të situatës. Po ashtu serbët kanë paralajmëruar edhe djegien e Qendrës së Regjistrimit në Leposaviç.

Tensionimi i kësaj situate ka sjellë që kryeministri i Kosovës, Albin Kurti mblodhi Këshillin e Sigurisë dhe pas saj publikoi foto e dy persona që i quajti kriminelw dhe janë ata që po mbajnë të bllokuar pikat kufitare në veri të vendit. Në mbledhjen e Kwshillit të Sigurisë ishte erdhe presidentja Vjosa Osmani e cila u kthye me urgjencë nga SHBA në Prishtinë për shkak të situatës në veri. Sipas kreut të Qeverisë, dy nga këta persona janë Vladislav Dajkoviq dhe Igor Braunoviq, të cilët siç thotë Kurti janë “të dëshmuar me veprimtari kriminale dhe pikëpamje ekstremiste".

Prania e helikopterëve e avionëve luftarakë rusë dhe serbë në kufi, Kurti i cilësoi si provokime që tentojnë të nxisin konfliktin rajonal.

Edhe presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani u bën thirrje ndërkombëtarëve që mos t'i injorojnë sulmet, pasi sipas saj janë synime ruso-serbe për të destabilizuar rajonin. Ndërkohë, Osmani i bën thirrje NATO-s dhe BE-së që të ndalojnë regjimin e Vuçiçit.

Ministri i Brendshëm i i Kosovës Xhelal Sveçla i ka quajtur akte kriminal me elemente terroriste këto ngjarje.  Ndërkohë që fyes ka qenë reagimi nga Serbia. Ministri i Brendshëm serb, Aleksander Vulin, ka  ka fyer kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin, duke e quajtur “budalla që do luftë". 

 

Ora 23:56
Tensionet në Kosovë/ Presidenti i Këshillit Evropian: Kurti dhe Vuçiqi të tërhiqen, të largohen Njësitë Speciale dhe barrikadat

Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, nëpërmjet në postimi në Twitter ka reaguar mbi çështjen delikate të Kosovës duke i kërkuar dy udhëheqësve të shmangin tensionet në veri të vendit.  

Michel, e ka nisur postimin e tij duke theksuar lidhjet e  ngushta dhe kontaktet me situatën me kreun e BE-së për Politikë të Jashtme dhe Siguri, Josep Borrell.

Në kontakt të ngushtë me Josep Borrell. Koha që Serbia dhe Kosova, Aleksander Vuçiq dhe Albin Kurti, të tërhiqen dhe të mos e kalojnë situatën, ta bëjnë tërheqjen e Forcave Speciale dhe barrikadave dhe të vazhdojnë negociatat sipas propozimeve të Emisarit të Lartë të BE’së, Miroslav Lajçak”, përfundon Michel.

 

Ora 23:10
Përfundon mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, qeveria: Do ruajmë sigurinë në gjithë territorin

Ka përfunduar mbledhja e Këshillit të Sigurisë së Kosovës, ndërkohë që kryeministria ka mbajtur një deklaratë për mediat. Në takim thuhet se është diskutuar për koordinimin e mëtejshëm të veprimeve që do ndërmerren në lidhje me situatën e krijuar në kufi. Qeveria në fjalimin e mbajtur është zotuar se do të ruajnë sigurinë, rendin dhe paqen në vend.

"Në mbledhje u shqyrtua situata e sigurisë në Republikën e Kosovës pas fillimit të zbatimit të vendimit për pajisjen me targa të përkohshme për automjetet me targa të Serbisë. Në veçanti u diskutua koordinimi i mëtejmë i veprimeve strategjike në shërbim të paqes dhe sigurisë, kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë  në vend. Institucionet e Republikës së Kosovës mbesin të përkushtuara për ruajtjen e rendit, sigurisë publike dhe sundimit të ligjit në tërë territorin e Republikës së Kosovës”, u shtua tutje.

Ora 22:59
Tensionet në Kosovë, Kreu i PDK-së, Krasniqi: Qeveria të marrë masa për të siguruar policinë dhe qytetarët në kufi

Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi ka thënë se qeveria duhet të marrë masa për të siguruar jetën e pjesëtareve të Policisë së Kosovës si dhe të gjithë qytetareve në veri të Kosovës. Sipas tij, veprimet bllokuese dhe gjuha nxitëse për konflikte e Serbisë duhet të trajtohet seriozisht.

Postimi i plotë:

Me mendje e zemër jam me policët e Republikës së Kosovës, të cilët, në një situatë aspak të lehtë dhe shqetësuese për sigurinë e tyre, për të gjashtën ditë me radhë po qëndrojnë në krye të detyrës, në pikat kufitare në Bërnjak dhe Jarinje.

Në përgjegjësinë e qeverisjes, gjithmonë është e udhës që për vendime të rëndësishme, të ketë koordinim dhe strategji të qëndrueshme. Por vendimet legjitime të institucioneve të Kosovës, janë vendime sovrane të shtetit të Kosovës, të cilat nuk mund të bllokohen, e mbi të cilat nuk mund të instruktohet kërcenim mbi shtetin tonë.

Sulmet ndaj institucioneve tona, siç ndodhën në 24 orët e fundit, shoqëruar me akrobacione ajrore të Serbisë përgjatë kufirit, nuk duhet lejuar që të jenë prelud i përkeqësimit të mëtejmë të situatës. Qeveria duhet të marrë masa për të siguruar jetën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës si dhe të gjithë qytetarëve të asaj ane, pa dallim.

Njëkohësisht, veprimet bllokuese dhe gjuha nxitëse e konfliktuoze e Serbisë ndaj shtetit dhe sovranitetit tonë, duhet të trajtohet seriozisht. I bëj thirrje Bashkimit Evropian, Shteteve të Bashkuara të Amerikës, NATO-s dhe partnerëve tanë strategjik, që të reagojnë urgjentisht ndaj kësaj qasjeje, që përbën kërcenim të hapur ndaj sovranitetit tonë shtetëror dhe rendit tonë kushtetues.

Shteti i Kosovës është produkt i vullnetit për liri. Rruga për jetësimin e shtetit ka qenë e gjatë dhe e mundimshme, rrjedhimisht e përhershme dhe e pakthyeshme. Përgjegjësia për të është përgjegjësi kombëtare e jo vetëm politike. Presim dhe jemi të gatshëm të mbështesim një qasje që reflekton përgjegjësi shtetërore për menaxhimin e situatës së krijuar.

Ora 22:19
Daçiç: Në veri të Kosovës po zhvillohet luftë nervash, do të fitojë kush e ruan gjakftohtësinë

Situatën aktuale në veri të Kosovës, Kryetari i Kuvendit të Serbisë, Ivica Daçiç, e vlerësoi si një luftë nervash dhe se do ta fitojë ajo palë që ruan gjakftohtësinë.

Kryeparlamentari serb ka thënë për “TV Pink” se në veriun e Kosovës po zhvillohet një betejë e madhe diplomatike, nëse do të vazhdohet tutje me aksione të njëanshme, apo nuk do të lejohen ato, dhe do të respektohet ajo që është nënshkruar më herët, duke shtuar se na pret një periudhë intensive diplomatike.

“Perëndimi do të donte të gjente një zgjidhje për problemin në Kosovë dhe Metohi, por ajo tashmë e ka ideuar, dhe kjo është njohja e pavarësisë së shtetit ‘të rremë’. Ata do të donin që kjo të zgjidhet në atë mënyrë, qoftë me dashamirësi apo me forcë”, tha Daçiç

Ai tha se shumë njerëz e ndezin fitilin në Kosovë “sepse nëse situata është e qetë, humb rëndësia e rolit të tyre kur bëhet fjalë për përfaqësuesit ndërkombëtarë”.

Sipas tij, ana tjetër e motivimit për shkaktimin e incidenteve është agresiviteti i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, i cili po përpiqet të tregojë se qeveria e tij është e para që ka legjitimitet, dhe se ato të mëparshmet ishin të pavlefshme.

“Ne kemi menduar se Hashim Thaçi ishte i keq dhe se nuk kishte më të keq, por u shfaq Ramush Haradinaj e tani Kurti”, tha Daçiç.

Ora 22:13
Trazirat në veri të Kosovës, Ministria e Jashtme bën thirrje për qetësim të situatës: Asgjë nuk e justifikon dhunën, autorët të nxirren para drejtësisë

Ministria e Jashtme e Shqipërisë ka reaguar për situatën e tensionuar në veri të Kosovës ku bën thirrje për qetësim të situatës dhe dënon dhunë n e ushtruar në djegien e zyrave të regjistrimit të mjeteve në Zubin Potok dhe dëmtuan një zyrë të ngjashme në Zvecan.

“Ministria e Jashtme e Shqipërisë është shumë e shqetësuar për përshkallëzimin e situatës në veri të Republikës së Kosovës dhe dënon fuqimisht aktet vandale të kryera sot, ku disa individë i vunë zjarrin zyrave të regjistrimit të mjeteve në Zubin Potok dhe dëmtuan një zyrë të ngjashme në Zvecan. Asgjë nuk e justifikon përdorimin e dhunës, dëmtimin e pronës publike dhe mungesën e respektit ndaj ligjit. Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme bën thirrje që këta vandalë të sillen para drejtësisë.

Shqipëria është veçanërisht e shqetësuar për dërgimin e forcave të armatosura serbe pranë kufirit me Kosovën dhe mjetet fluturuese ushtarake të cilët fluturojnë afër dhe sipër hapësirës ajrore të Kosovës, të cilat nxisin individët të provokojnë trazira dhe dhunë, si dhe synojnë destabilizimin e Kosovës. Këto akte bien ndesh me marrëveshjet ndëkombëtare, të cilat kanë për synim të sigurojnë rendin dhe stabilitetin në atë pjesë të rajonit.

Ne i bëjmë thirrje Serbisë të tërheqë forcat e armatosura të dërguara pranë kufirit me Kosovën dhe të punojë për de-përshkallëzim të menjëhershëm të situatës. Ne i nxisim të gjithë aktorët të tregohen të përmbajtur dhe të drejtohen menjëherë drejt dialogut, si e vetmja mënyrë për të ecur përpara dhe për të zgjidhur çështjet e mbetura pezull me frymën e bashkëpunimit, ndaj të cilave Shqipëria është angazhuar në mënyrë të pakthyeshme, në përpjekjet e saj dypalëshe dhe shumëpalëshe.

Si një aleat i NATO-s dhe një anëtar i përgjegjshëm i Kombeve të Bashkuara, Shqipëria do të bëjë gjithçka që është e nevojshme për të mbështetur të gjitha përpjekjet drejt de-përshkallëzimit të menjëhershëm të situatës dhe kthimit drejt dialogut”, thuhet në njoftimin e Ministrisë së Jashtme.

Ora 22:09
Tensionet në kufi, Presidentja Osmani ndërpret vizitën në SHBA, niset me urgjencë drejt Kosovës

Presidentja Vjosa Osmani ka ndërprerë vizitën e saj në SHBA dhe është nisur për në Prishtinë për shkak të tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë. Lajmi është bërë me dije nga Zyra e Presidencës përmes një njoftimi për mediat.

Ora 22:06
Pas mbledhjes së Këshillit të Sigurisë, Kurti publikon emrat e dy personave me veprimtari kriminale që po bllokojnë rrugët në Jarinjë dhe Bërnjak

Kryeministri i vendit Albin Kurti ka publikuar disa fotografi të disa personave të cilët sipas tij po bllokojnë rrugët në pikëkalimet kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak. Së bashku me këto fotografi, Kurti ka dhënë edhe disa përshkrime për dy nga ata persona.

Sipas kreut të Qeverisë, dy nga këta persona janë Vladislav Dajkoviq dhe Igor Braunoviq, të cilët siç thotë Kurti janë “të dëshmuar me veprimtari kriminale dhe pikëpamje ekstremiste".

“Në bllokimet e rrugëve magjistrale që shpiejnë në drejtim të vendkalimeve kufitare Jarinje dhe Bërnjak po marrin pjesë individë të dëshmuar me veprimtari kriminale e pikëpamje ekstremiste. Në vijim janë dhënë përshkrimet dhe fotografitë e dy prej tyre.

1. Vladislav Dajkovië, shtetas malazez, me datë 22 shtator 2021, ka hyrë në Kosovë përmes pikës kufitare në Jarinje ku edhe i është bashkuar protestuesve. Ai ka edhe nënshtetësi të Serbisë dhe është i lindur më 13 janar 1992. Njihet për botëkuptimet proserbe e proruse dhe ka marrë pjesë në të gjitha organizimet kundër orientimit perëndimor në Mal të Zi. Ai ka lidhje të ngushta me agjentin propagandues serb, Boris Malagurski, si dhe me propaganduesin francez prorus, Arnaud Gouillon. Dajkovië, është edhe anëtar i Lëvizjes Imperialiste Ruse (me flamurin e së cilës shihet në foto), që është shpallur organizatë terroriste nga ShBA-të.

2. Igor Braunovië, drejtor i përgjithshëm i “Srbijašume”, lavdërohet publikisht nga zëvendësi i tij Bratislav Dikië për pjesëmarrje në bllokadën në Jarinje. Dikië është general në pension e dikur ishte kreu i xhandarmerisë serbe që ka qenë i arrestuar si i përfshirë në tentimin për grusht shtet në Mal të Zi në vitin 2016. Dikië është i afërt me kryetarin e Kuvendit të Serbisë, Ivica Daëië. Për më tepër, Dikië ka qenë i involvuar në thyerjen e kutive të votimit në komunën veriore të Mitrovicës në zgjedhjet lokale 2013, si dhe në heqjen e përmendores së UÇPMB-së në Preshevë po ashtu në vitin 2013. Së fundmi, pushteti e ka shpërblyer atë me pozitën e ndihmës drejtorit të ndërmarrjes publike “Srbijašume”. Pra, ai ka dalë hapur në rrjetet sociale në përkrahje të barrikadave dhe si përfaqësues në këto barrikada e ka dërguar me datë 22 shtator 2021 pikërisht Igor Braunovië, drejtorin e përgjithshëm të NP “Srbijašume”. Ai nuk ka ardhur vet personalisht në barrikada meqë është figurë e komprometuar si element rus gjatë tentimit për grusht shtet në Mal të Zi”, shkruan Kurti

 

Ora 18:27
Situata në veri të Kosovës, Basha: Serbia kërkon destabilizim, Shqipëria të mos heshtë, nuk mund të tolerohen tanket në kufirin kosovar

Kryedemokrati Lulzim Basha ka reaguar pas situatës së krijuar në veri të Kosovës, ku avionët serbë janë fotografuar duke fluturuar në kufirin e Jarinjës. Basha shkruan se Serbia kërkon destabilizimin e Kosovës dhe gjithë rajonit për interesat e Vuçiç. Sipas Bashës, Shqipëria nuk duhet të heshtë ndaj kësaj situate, pasi tanket dhe avionët që futen në kufirin e Kosovës nuk mund të tolerohen.

"Po ndjek me shqetësim situatën e krijuar në veri të Kosovës, pas vendimit të drejtë dhe legjitim të qeverisë për vendosjen e reciprocitetit. Aktet kriminale të ndodhura në 24 orët e fundit të frymëzuara nga Beogradi zyrtar, synojnë destabilizimin e Kosovës dhe krejt rajonit për interesat politike të Aleksandër Vuçiç.

Shpreh mbështetjen e plotë dhe të fuqishme për qeverinë e Kosovës, institucionet e saj dhe të gjithë faktorin politik të angazhuar në përballimin e kësaj situate. Detyra e Shqipërisë, edhe si vend anëtar i NATO-s, nuk është të heshtë por të përdorë të gjithë mekanizmat e saj diplomatikë për të ndihmuar në zgjidhjen e kësaj situate. Nuk mund të tolerohen tanket dhe avionët ushtarakë që mësyjnë kufijtë e Kosovës, duke kërcënuar paqen dhe sigurinë e të gjithë rajonit", shkruan Basha.

Ora 17:40
Tensionet Kosovë-Serbi, Haradinaj thirrje Brukselit: Ndërhyni tek Beogradi, të mos provokojnë situatën

Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka reguar pas tensioneve ditën e sotme në veri të Kosovës. Haradinaj i bën thirrje Brukselit që të ndërhyjë tek Beogradi që ata të respektojnë marrëveshjet e mos të provokojnë situatën.

"Pavarësisht se si janë zhvilluar gjërat, se si është marrë vendimi për targat, ajo që po ndodh në veri të vendit është e papranueshme. E mbështes fuqishëm Policinë e Kosovës dhe institucionet e vendit të cilat janë vënë në mbrojtje të rendit dhe të ligjit. Provokimet e serbëve në veri janë të projektuara në Beograd dhe në Moskë, e Prishtina, duke mos rënë pre e këtyre provokimeve, duhet të jetë e vendosur në mbrojtje të qenësisë së saj. Njëkohësisht kërkoj nga Brukseli që të ndërhyjë te Beogradi zyrtar dhe të kërkojë prej tij që të mos e provokojë situatën në veri por t’i zbatojë marrëveshjet e nënshkruara", shkruan Haradinaj.

Ora 17:13
E quajti budalla, Kurti i përgjigjet ministrit serb: Ke qenë zëdhënës i partisë së gruas së Milloshevicit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti i është kundërpërgjigjur ministrit të brendshëm të Serbisë, Aleksandër Vulin, i cili tha se ‘për ta ndezur luftën duhet vetëm një budalla ( duke nënkuptuar Kurtin), ai ndodhet në Prishtinë’. Në një dalje për mediat, Kurti tha se Vulin ka qenë zëdhënës i partisë së gruas së Millosheviqit. Madje theksoi se Vulin i përket atyre zyrtarëve që Millosheviqin e konsideronte si jo të mjaftueshëm radikal.

“Së pari fluturaket serbe duket që janë përgjigje edhe ndaj deklaratës së Escobar që tha se nuk bën të militarizohet situata dhe ata filluan që të përdorin avionë ushtarakë. Pra këtu thua se nuk e kanë veq me neve, ndërkaq së dyti, Vulin mjafton të thuhet për të se ka qenë zëdhënës i partisë së gruas së MIllosheviqit që aso kohe është quajtur Jul dhe i përkiste atyre zyrtarëve serbë që e konsideronte që Millosheviqi nuk është mjaftueshëm radikal. Pra besoj që kjo e shpjegon plotësisht se për kë bëhet fjalë dhe cka thoë kur thotë atë që ju e parafrazuat”, tha Kurti.

 

Ora 16:58
Tensionet në veri të Kosovës, Kurti urdhëron mbledhjen e Këshillit të Sigurisë: Pikat kufitare do të digjeshin po të mos ishte për policinë tonë

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka urdhëruar mbledhjen e Këshillit të Sigurisë pas 6 ditësh tensione në Veri të vendit për shkak të reciprocitetit të targave që vendosi qeveria e Kosovës me Serbinë.

Duke vlerësuar punën e policisë në veri të Kosovës, Kurti tha se nëse nuk do të ishin efektivët do të ishin djegur edhe pikat kufitare në Jarinje e Bërnjak ashtu si ndodhi në Zubin Patok.

“Paramendoni se çfarë do të ngjante në pikat 1 dhe 31 sikur të mos ishte aty policia speciale. Sulmet e sotme janë dëshmi se kjo është synuar edhe në pikat në Jarinje dhe Bërnjak. Sot u vërtetua se ne kemi pika kufitare sepse kemi njësi speciale të policisë. Asnjë incident në asnjë pikë kufitare në ditën e gjashtë të vendimit të zbatimit të qeverisë së Kosovës. Aty ku ka polici të Kosovës nuk ka incidente aty ku nuk ka polici ka incidente siç ndodhi në Zubin Potok”, tha ai.

Në lidhje me helikopterët e avionëve luftarakë rusë dhe serbë që po dërgon Serbia në kufi, Kurti tha se këto janë provokime që tentojnë të nxisin konfliktin rajonal.

“Serbia po sjell afër kufirit helikopterë dhe avionë luftarak rusë, Serbia po provon të nxis konflikt rajonal. Pengesat dhe bllokadat përfshirë veprimet e sotme kriminale janë të tilla sepse krimi ka qenë e vetmja formë e mbijetesës për ta. Vendimi për targat nuk u drejtohet qytetarëve serbë të Kosovës, ky vendim është masë e barabartë që shteti serb aplikon për qytetarët e Kosovës. I ftojmë qytetarët në veri pa dallime etnike të respektojnë ligjet dhe të mos ndikohen nga ata që nxisin dhunë. Mbi 9 mijë targa të përkohshme janë dhënë deri më tani, duket që këtu e kanë hallin zjarrvënësit nga Beogradi ”, tha Kurti.

Ora 16:39
Situata në veri të Kosovës, Isa Mustafa: Presidentja duhet ta thërrasë Këshillin e Sigurisë, e pafalshme që Osmani e Kurti ndodhen jashtë vendit

Ish-kryeministri Isa Mustafa e ka cilësuar situatën në veri të Kosovës si tepër të rrezikshme. Mustafa ka kritikuar mosprezencën në Kosovë të tre liderëve kryesorë të institucioneve kur situata në veri është e paqëndrueshme. Ai u shpreh se në momente të tilla presidentja e vendit duhet të thërrasë Këshillin e Sigurisë dhe të ndërmerren masa duke u koordinuar me ShBA-të, BE-në dhe KFOR-in.Lidhur me situatën në veri të vendit, ish-kryetari i LDK-së, Isa Mustafa tha se është e pafalshme që Presidentja, Kryeministri e kreu i Kuvendit gjenden jashtë Kosovës.

“Situata në veri të Kosovës është tepër serioze dhe e rrezikshme. Në një situatë të tillë Presidentja, Kryeministri dhe Kryeparlamentari duhet të jenë në Kosovë. Nuk mund të dërgojmë mesazhe njëra nga New Yorku, tjetri nga Shkupi e nga Budapesti, kurse njësitë speciale të mbesin të mbërthyera në Jarinje e Bërnjak nën kërcënimin e helikopterëve, avionëve e tankeve të Serbisë. Kjo është joserioze dhe e pafalshme. Në momente të tilla duhet thirret Këshilli i Sigurisë nga Presidentja e vendit dhe të ndërmerren masat e nevojshme duke u koordinuar me partnerët, SHBA dhe EU, KFOR-in dhe institucionet në Kosovë”,  ka thënë Mustafa për Express.

Ora 16:22
Sulmet në veri të Kosovës, reagon Osmani: Synime ruso-serbe për destabilizim, ndërkombëtarët të mos i injorojnë

Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani ka reaguar pas sulmeve në veri të Kosovës. Përmes një postimi Osmani iu bën thirrje ndërkombëtarëve që mos t'i injorojnë sulmet, pasi sipas saj janë synime ruso-serbe për të destabilizuar rajonin. Ndërkohë, Osmani i bën thirrje NATO-s dhe BE-së që të ndalojnë regjimin e Aleksandër Vuçiçit. 

"Sulmet e fundit ndaj institucioneve publike në veri të vendit nga strukturat kriminale dhe ilegale të mbështetura nga Serbia janë dëshmia kryesore për atë që po e themi që moti: Serbia dhe regjimi hegjemonist i Vuqiqit janë burimi kryesor i destabilizimit në rajon, i cili po synon zhbërjen e arritjeve të aleatëve tanë amerikanë dhe evropian në Kosovë e rajon.

Bashkësia ndërkombëtare nuk duhet ta injorojë atë që shihet qartë - tendencën ruso-serbe që nëpërmjet destabilizimit të rajonit tonë, ta dëmtojë edhe vetë Bashkimin Evropian dhe NATO-në, si bashkim e sistem vlerash. Në Kosovë, Mal të Zi dhe Bosnje dhe Hercegovinë po përdoret i njëjti model destabilizues, të cilin Rusia përdorë në shtetet baltike, Ukrainë, Moldavi dhe Gjeorgji. Ndaj, është koha që bashkësia ndërkombëtare, e para se gjithash shtetet anëtare të BE-së dhe NATO-s, ta shohin këtë rrezik e ta ndalojnë regjimin e Vuqiqit në realizimin e synimit të tij për krijimin e “botës serbe”, që i përket logjikës së viteve të 90-ta në Serbi.

Ftoj qytetarët e Republikës së Kosovës, në veçanti serbët e Kosovës që të jenë të bashkuar në refuzimin e skenarëve ogurzi të Serbisë. Institucionet e Kosovës do të vazhdojnë të jenë pranë tyre duke ofruar mbështetje dhe siguri nga strukturat kriminale dhe ilegale të Serbisë", shkruan Osmani.

Ora 16:03
Provokon Serbia, avionët luftarakë të ushtrisë fluturojnë afër Jarinjës, serbët e presin me ovacione e duartrokitje

Mediat serbe raportojnë se avionët luftarakë të ushtrisë serbe po fluturojnë afër Jarinjës dhe kanë publikuar pamje të artilerisë së rëndë ushtarake që janë nisur drejt kësaj pike kufitare.

Tanke, kamionë ushtarakë dhe mjete të tjera janë parë në Rashkë shkruajnë mediat serbe. Ky provokim nuk është i pari nga pala serbe.

Helikopterët ushtarakë mbrëmë kanë kaluar territorin e Kosovës në Jarinjë. Gjatë ditës së sotme dy aeroplanë ushtarakë po ashtu janë parë në afërsi të hapësirës ajrore në Jarinjë duke bërë manovra. Paraqitja e aeroplanit ngjalli duartrokitje nga të serbët e grumbulluar, të cilët bërtitën “Serbia, Serbia”.

Ora 12:28
Tensionet në Veri/ Albin Kurti: Serbia po provokon konflikt serioz ndërkombëtar, nuk do t'i tolerojmë

1632506202_albinkurti1.jpg

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se personat që kanë sulmuar zyrat në komunat me shumicë serbe janë të nxitur nga Serbia. Madje sipas tij, ky është provokim për “konflikt serioz ndërkombëtar”

“Hetimet preliminare tregojnë që djegia e ndërtesës së Qendrës së Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok nuk ishte aksidentale por e qëllimshme. Edhe në Zveçan kanë hedhur dy bomba dore, po ashtu në ndërtesën e qendrës së njëjtë për regjistrimin e automjeteve, por ato fatmirësisht nuk kanë eksploduar. Individë ose grupe të cilave sundimi i ligjit dhe rendi e siguria publike ua rrezikon aktivitetin kriminal po e sulmojnë shtetin tonë dhe po e cenojnë paqen. Qartazi ata po i nxit e mbështet Serbia, përkatësisht regjimi autokrat atje. Fatkeqësisht, para syve të bashkësisë ndërkombëtare, Serbia po përdorë qytetarë të Kosovës për të provokuar konflikt serioz ndërkombëtar”, ka thënë Kurti në një reagim në Facebook.

Kurti ka thënë se sulmet e tilla s’do të tolerohen.

“Policia e Kosovës është institucion profesional që duhet respektuar nga të gjithë. U bëj thirrje qytetarëve, sidomos në veri të Ibrit, pavarësisht a janë serbë, shqiptarë, boshnjakë apo romë, që ta ruajnë qetësinë dhe të bashkëpunojnë me institucionet e Kosovës”, ka përfunduar ai.

Ora 11:45
Ministri i Brendshëm serb fyen Albin Kurtin: Për ta ndezur luftën duhet vetëm një budalla, ai ndodhet në Prishtinë

Ministri i brendshëm i Serbisë, Aleksander Vulin, ka folur për situatën e krijuar në veri pasi Republika e Kosovës është duke vendosur reciprocitetin e targave.

Vulin i cili njihet për ofendimet drejtuar Kosovës dhe retorikën e tij nacionaliste ka fyer kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurtin, duke e quajtur “budalla”.

Siç ka thënë Vulin për të ndezur luftën duhet vetëm një budalla dhe sipas tij ai person gjendet në Prishtinë, duke iu referuar kryeministrit, Albin Kurti.

“Nevojiten të paktën dy persona për ta bërë paqen, ndërkaq për luftën mjafton vetëm një budalla, dhe jam i frikësuar se atë budalla e kemi në anën tjetër, ai ndodhet në Prishtinë dhe emri i tij është Albin Kurti”, ka thënë Vulini shkruan RTV.rs.

Ai ka thënë se Serbia ka arsye për të qenë e shqetësuar.

“Njerëzit që udhëheqin në Prishtinë janë qyqarë të vërtetë, dhe mund të presësh çkado prej tyre”, është shprehur Vulin. Sipas tij, tani duhet të negociohet dhe se Prishtina është ajo që duhet ta bëjë hapin e radhës.

Ora 11:02
Tensionet në Veri të Kosovës, ministri i Brendshëm: Akte terroriste

Përmes një reagimi në rrjetet sociale, ministri i Punëve të Brendshme Xhelal Sveçla, ka thënë se nga një akt kriminal me elemente terroriste është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve në Zubin Potok.  Sveçla ka shkruar se Policia ka dalur në vendin e ngjarjes, teksa ka informata se është sulmaur edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan.

 “Sot ora 01:00 pas mesnate, nga një akt kriminal me elemente terroriste të shkaktuar nga persona të dyshimtë është djegur Qendra e Regjistrimit të Automjeteve e cila gjendet në objektin e komunës në Zubin Potok. Policia e Kosovës ka dalë menjëherë në vendin e ngjarjes dhe së shpejti do të kemi më shumë informata. Po ashtu, është sulmuar edhe Qendra e Regjistrimit Civil në Zveçan ku dyshohet edhe për një mjet shpërthyes”, ka shkruar ai, i cili nënvizoi se këto veprime tregojnë se çfarë do të ndodhte në pikat kufitare në Jarinjë dhe Bërnjak nëse nuk do të kishte prani të forcave speciale.

K.T.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Trnakop Kacija: 25/09/2021 19:41

    Kryesorja as Shqiperia as Serbia kurre nuk kane me sundu Kosoven.

    Përgjigju
  • Populli: 25/09/2021 16:26

    Dikush po mbron disa njerez ne Tirane.. Nuk ke shpetim o plaku Merre…

    Përgjigju
  • Idrizi: 25/09/2021 14:10

    Budallenjte,te cilet kane ndezur dy Luftra Boterore ndodhen ne Serbii,o Vul-humbur...

    Përgjigju
  • Une: 25/09/2021 10:36

    Ku jane trimat e Facebook dhe Instagram? Keta qe shajne para a mbrapa politikanet per tradhtare.

    Përgjigju
    • Emigrant: 25/09/2021 11:32

      Trimat e VV qe shajn clirimtaret jan mcef tani qe e kan qeverin ne dor le ti dalin zot vendit te mbrojn lirin qe e gjeten gati

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?