TIRANE-Debati për zgjedhjet në universitete ka sjellë sot largimin nga puna të pedagogëve që janë pjesë e KIZ-it (Komisionit Institucional të Zgjedhjeve), kryetares Majlinda Keta dhe anëtarëve, zv/ rektorit Bernard Dosti, Orjona Mucollarit, Ardiam Dokës dhe Egla Gishtit. Rektori Mynyr Koni shkarkoi pedagogët, pasi nuk iu bindën urdhrit për zgjedhjet në universitete, i cili i kundërshton. Por cfarë tha Keta sot që solli vendimin e hakmarrjes nga Koni duke i shkarkuar?
Në një intervistë për Report Tv, kryetarja e KIZ-it, Majlinda Keta deklaroi se për të gjitha kundërshtitë, Koni duhet ti drejtohet Komisionit të Apelimit. Disa orë më pas, Koni e shkarkoi si pedagoge atë dhe të tjerët. Por Keta reagoi duke e cilësuar si një akt absolutisht të pavlefshëm që nuk sjell asnjë pasojë juridike. "U njoha me Vendimin nr.56 datë 06.05.2020 të Rektorit te UT me të cilin ka vendosur zgjidhjen e menjëhershme të justifikuar të kontratës së punës me UT. Në këtë vendim mbasi ka parashtruar si shkelje të rënda të ligjit nga ana ime në detyren e Kryetares të KIZ, gjatë ushtrimit të fuksionit që ligji dhe statuti i ngarkon si organ ekzluziv për zhvillimin e zgjedhjeve në UT, duke iu referuar Kodit të Punës, Statutit të ri të UT, si edhe rregullores së vjetër të saj, ka vendosur si më sipër.
Ky akt i Zotit Koni është nje akt absolutisht i pavleshëm dhe nuk sjell asnjë pasojë juridike: 1.Rektori i UT nuk mund të shkarkojë një institucion duke shkarkuar anëtarët e tij që nuk varen, por në të kundërt është i pavarur dhe që ka detyrimin ligjor për të zhvilluar zgjedhjet në UT si institucion. 2. Sipas ligjit për Arsimin e Lartë neni 68, pika 2 zgjidhja e menjëhershme e kontratës së punës nuk është kopentence eksluzive e Rektorit, por është kompetencë e Senatit Akademik i cili nëpërmjet kërkesës së Drejtuesit të njësisë bazë, ngre një komision Ad hoc, dhe vetëm atëherë kur ky komision propozon shkarkimin e personelit, Rektori zgjidh marrëdhënien e punës me UT.
Senati Akademik me Statutin miratuar me Urdhërin e Ministri të MASR. nr.816, datë 26.12.2018 në nenin 76 të tij ka bërë rregullime në zbatim të ligjit duke përcaktuar në mënyrë të hollësishme këtë procedure të miratuar nga neni 68 i ligjit. Me këtë akt të paprecedent të një Rektori të një IAL Publike, por jo të tillë për Zotin Koni, ai i ka bërë një dëm të rëndë Arsimit të Lartë dhe imazhit të tij dhe ky veprim i tij, përvecse është i dënueshëm administrativisht, përbën në mënyrë flagrante shpërdorim detyre të fuksionarit publik, me pasoja të rënda për institucionin dhe ne personalisht, të parashikuar nga neni 248 të Kodit Penal, si dhe ka kryer vepër penale që prekin zgjedhjet e lira në një sistem demokratik, duke kanosur me ndërprerjen e marrëdhënieve të punës si anëtar i Komisionit të autorizuar nga ligji per zgjedhjet në UT, parashikuar nga neni 325 të Kodit Penal" mbyllet reagimi i Ketës.
Ndërkohë që Koni nuk ndalet me kaq, por i ka drejtuar edhe një letër të hapur ministres së Arsimit Besa Shahini duke i kërkuar që anulojë zgjedhjet që janë planifikuar në 12 qershor. Ai thotë se studentët nuk janë në auditorë dhe kështu nuk kanë mundësi për të votuar. Për këtë shkak dhe situatës së krijuar nga COVID-i, ai kërkon që zgjedhjet të bëhen pas përfundimit të gjendjes së fatkeqësisë natyrore. "Keni urdhëruar se kur dhe se cilët studentë do të paraqiten në auditore, pra, e thënë ndryshe, keni urdhëruar se cilët studentë mund apo duhet të marrin pjesë në zgjedhje dhe të ushtrojnë të drejtën e votës, apo të drejtën për t’u zgjedhur, dhe cilët të tjerë, nuk duhet ta kenë këtë të drejtë.
Në fakt, të drejtën për t’u zgjedhur dhe për të zgjedhur, studentëve ia ka dhënë ligji i arsimit të lartë 80/2015 dhe Rregullorja e Zgjedhjeve, duke i caktuar ata si një nga dy trupat zgjedhore në institucionet publike të arsimit të lartë, për të zgjedhur rektorin dhe dekanin; apo edhe përfaqësuesit e tyre në Senatin Akademik, dhe për t’i përfaqësuar denjësisht ata në këtë organ kolegjial.
Pa dashur të zgjatem dhe të tregoj konkretisht në këtë letër të hapur argumentet ligjore dhe nënligjore, të cilët janë parashtruar të gjitha në shkresën e fundit nr.1551/1 datë 4 maj 2020, ajo çfarë dua të theksoj edhe një herë është fakti që, duke mos ndryshuar Urdhërin nr.99 datë 26.03.2020, jeni duke përjashtuar mbi 15 mijë studentë të Universitetit të Tiranës nga procesi zgjedhor dhe e drejta e tyre ligjore për të zgjedhur dhe për t’u zgjedhur.
Sikurse ju kam kërkuar edhe në shkresën nr.1551/1 datë 4 maj 2020, po ju kërkoj publikisht edhe një herë të bëni ndryshimin e Urdhërit nr.99 datë 26.03.2020, për shtyrjen e procesit zgjedhor dhe datës së zgjedhjeve për autoritetet dhe organet drejtuese në institucionet publike të arsimit të lartë në vend, deri në shfuqizimin e Vendimit të Këshillit të Ministrave për shpalljen e fatkeqësisë natyrore në vend si dhe të urdhrave të Ministrisë së Shëndetësisë dhe Mirëqënies Sociale" tha ai ndër të tjera.
Por pavarësisht se janë shkarkuar 5 përfaqësuesit e KIZ-it te 5 fakulteteve po vijon procesi i aplikimit të kandidatëve për “anetar senati”, “Rektor”, “Dekan” dhe “Pergjegjes i njesise baze”. Sot u regjistrua kandidati i parë për Rektor, dekanit i Juridikut Artan Hoxha.